OBSH bën sërish thirrje për shpërndarje të drejtë të vaksinave

Drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha të dielën se nëse vendet nuk përdorin mjetet ekzistuese në luftën kundër pandemisë në mënyrë efektive, fundi i saj nuk do të jetë i afërt.

“Pandemia do të përfundojë kur bota të zgjedhë t’i japë fund asaj,” tha zoti Tedros duke folur në takimin e Lartë Botëror të Shëndetit, një forum global i mbajtur në Gjermani.

“Ne i kemi të gjitha mjetet që na duhen, por bota nuk i ka përdorur siç duhet ato,” tha zoti Tedros, duke iu drejtuar përfaqësuesve nga 100 vende që morën pjesë virtualisht.

Pengesat për përmbushjen e qëllimit të OBSH-së për të vaksinuar 40% të popullsisë të çdo vendi kundër koronavirusit kanë lidhje me “politikën dhe fitimet”, tha shefi i OBSH-së, “jo me prodhimin”.

“Vendet që kanë arritur tashmë objektivin prej 40%, përfshirë të gjitha vendet e G-20, duhet t’u lënë radhën për marrjen e vaksinave COVAX-it dhe Trustit Afrikan për Blerjen e Vaksinave,” tha zoti Tedros.

Zyrtari i OBSH-së u kërkoi gjithashtu prodhuesve të vaksinave që të bëhen “shumë më transparentë” lidhur me procesin e shpërndarjes së tyre.

Ai u kërkoi atyre “të ndajnë njohuritë, teknologjinë dhe liçencat dhe të heqin dorë nga të drejtat e pronësisë intelektuale.”

“Ne nuk po kërkojmë bamirësi,” tha Tedros, “ne po bëjmë thirrje për një investim të arsyeshëm në rimëkëmbjen globale.”

Sipas të dhënave nga Universiteti Johns Hopkins, deri të hënën janë regjistruar 243.7 milionë infeksione dhe gati 5 milionë vdekje në botë nga COVID-i; dhe deri tani janë bërë pothuajse 7 miliardë vaksina./VOA

Postime të ngjashme

Shtatë fëmijë të Kopshtit nr. 10 në Vlorë përfundojnë në spital, dyshohet për helmim nga ushqimi
Produktet e pasigurta në treg, alarmi vjen nga Belgjika; kontrollet në Shqipëri ranë me 33% në 2025
Buxheti 2027/ Spahiu: 117.8 miliardë lekë për shëndetësinë dhe mirëqenien sociale
Përtej vitaminës D: Si ndikon drita e diellit në metabolizëm dhe sheqerin në gjak
Pudinga me copëza xhami në treg, AKU: Mos e konsumoni
Medikamentet GLP-1 RA: Çfarë duhet të presin personat me obezitet nga trajtimi me këto barna?
QSUT prej muajsh pa aparaturën e Litotripsisë, pacientët me gurë në veshka pa shërbim
Tragjedi në Spitalin e Traumës në Tiranë/ Pacienti hidhet nga kati i tretë dhe humb jetën, policia nis hetimet