Përshtati në shqip: Arlinda Rexhmati
Koronavirusi i ri është deklaruar si një emergjencë globale nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), ndërkohë që virusi vazhdon të përhapet dhe jashtë Kinës.
“Arsyeja kryesore për këtë deklaratë nuk është ajo që po ndodh në Kinë, por çfarë po ndodh në vendet e tjera,” u shpreh drejtori i OBSH, Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Ajo që po shqetëson autoritetet është që koronavirusi mund të përhapet në vende me sisteme shëndetësore të dobëta.
Të paktën 213 persona në Kinë kanë vdekur nga virusi, kryesisht në Hubei, me pothuajse 10,000 raste të infektuara në të gjithë vendin.
Sipas OBSH, deri tani numërohen 98 raste në 18 vende të tjera, por pa vdekje. Shumica e këtyre rasteve janë njerëz që kanë qenë në Wuhan apo Hubei.
Gjithsesi në tetë raste, në Gjermani, Japoni, Vietnam dhe Shtetet e Bashkuara, pacientët u infektuan nga persona të tjerë që kishin udhëtuar në Kinë.
Duke folur në një konferencë për shtyp në Gjenevë, dr. Tedros e përshkroi virusin si një “shpërthim të jashtëzakonshëm” që u përball me një “përgjigje të jashtëzakonshme”. Ai i konsideroi masat e marra nga autoritetet kineze të duhurat, duke shtuar se nuk ka arsye që të limitohet tregtia apo udhëtimi në Kinë.
Çfarë ndodh nëse virusi përhapet në një vend që nuk ka aftësitë e duhura për ta kontrolluar?
Shumë vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme, nuk kanë mjetet e duhura që ta dallojnë apo ta kontrollojnë virusin. Frika është që në këtë mënyrë koronavirusi mund të përhapet në mënyrë të pakontrolluar dhe të kalojë disa kohë përpara se të dallohet.
Kini parasysh që kjo është një sëmundje që u shfaq vetëm muajin e kalur, dhe deri tani ka pothuajse 10,000 raste të konfirmuara në Kinë.
Shpërthimi i Ebolës në Afrikën Perëndimore në 2014, më i madhi në historinë njerëzore, tregoi se sa e lehtë është që vendet më të varfëra të hasin vështirësi në kontrollin e situatave të tilla.
Dhe, nëse koronavirusi i ri përhapet dhe në këto vende, atëherë do të ishte shumë e vështirë të përmbahej. Në fakt, nuk jemi akoma në atë fazë, 99% e rasteve janë në Kinë dhe OBSH është e bindur që vendi mund ta kontrollojë shpërthimin atje.
Por, deklarimi i virusit si emergjencë globale e shëndetit publik, i lejon OBSH – së të mbështesë vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, të forcojë survejancën e tyre ndaj sëmundjeve dhe t’i përgatisë ato për raste të mundshme.
Burimi: BBC

