Drejtori për Europën në Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) thotë se kontinenti së shpejti mund të hyjë në një “periudhë të gjatë qetësie” të pandemisë Covid-19.
Dr. Hans Kluge përmendi shifrat e larta të vaksinimit, afrimin e fundit të dimrit dhe natyrën më pak të rëndë të variantit Omicron.
Duke folur për gazetarët, ai tha: “Kjo periudhë e mbrojtjes më të lartë duhet parë si një ‘armëpushim’ që mund të na sjellë një paqe të qëndrueshme.”
Ky koment vjen në një kohë kur shumë vende në Europë po u japin fund kufizimeve të Covid-19.
Dr. Kluge tha se javën e kaluar u identifikuan rreth 12 milionë raste të reja të virusit në të gjithë Europën – shifra më e lartë e regjistruar – por zyrtarët nuk kanë vënë re një rritje të konsiderueshme të numrit të personave që kanë nevojë për kujdes kritik në spitale.
Në fillim të kësaj jave, Danimarka u bë vendi i parë në Bashkimin Europian që hoqi të gjitha rregullat e pandemisë, duke përfshirë edhe mbajtjen e maskave.
Megjithëse rastet vazhdojnë të jenë relativisht të larta në këtë vend, autoritetet thonë se virusi nuk konsiderohet më si një “kërcënim kritik”, për shkak se shkalla e lartë e vaksinimit të popullsisë po ndihmon në mbrojtjen kundër sëmundjes së rëndë, pavarësisht përhapjes së shpejtë të Omicron.
Norvegjia ka shpallur lehtësimin e masave kufizuese, ndërsa Suedia njoftoi të enjten se edhe ajo do të heqë pothuajse të gjitha kufizimet deri më 9 shkurt.
“Pandemia nuk ka mbaruar, por jemi duke hyrë në një fazë krejtësisht të re”, u tha gazetarëve kryeministrja e Suedisë, Magdalena Andersson.
Zyrtarët atje u zotuan se do të jenë “vigjilentë” kundër virusit, pasi disa udhëzime do të vazhdojnë të mbeten në fuqi, të tilla si qëndrimi në shtëpi nëse shfaqen simptoma të Covid-19. Gjithashtu, të pavaksinuarve u kërkohet të shmangin turmat, si dhe vazhdon të ketë disa kufizime për hyrjet në kufi.
Ditën e enjte, Dr. Kluge nga OBSH u kërkoi vendeve të Europës që të vazhdojnë me fushatat e tyre të vaksinimit dhe me mbikëqyrjen e varianteve të reja, pavarësisht mendimit të tij për një “armëpushim”.
Por, ai tha se ishte besimplotë që kontinenti do të ishte në një “pozitë më të mirë… edhe nëse shfaqet një variant i ri më infektues” se Omicron.
“Besoj se kemi mundësinë t’u përgjigjemi varianteve të reja që do të shfaqen në mënyrë të pashmangshme, pa qenë nevoja të rivendosim masat e rënda kufizuese për të cilat kishim nevojë më parë,” shtoi Dr. Kluge.
Ai bëri thirrje për rëndësinë e përgjegjësisë individuale, mbrojtjen e mëtejshme të grupeve në rrezik, si dhe për “një rritje drastike dhe pa kompromis në shpërndarjen e vaksinave përtej kufijve” për të ndihmuar në mbrojtjen e të gjithë botës nga ky virus.
Lehtësimi i kufizimeve në të gjithë Europën vjen pas disa vendimeve të ngjashme në Angli dhe në shtetet e tjera të Mbretërisë së Bashkuar që u morën në muajin janar./ BBC


