Pacientët dhe institucionet shëndetësore, përballë në një tryezë për përmirësimin e sistemit

DSC09716“Shëndeti është fusha e betejës për nderin apo turpin e një shoqërie”! Këto ishin fjalët e Asim Toros, kreu i shoqatës së Fëmijëve dhe të Rinjve me diabet në tryezën e organizuar sot nga shoqata “Together for life”.

Në këtë tryezë të rrumbullakët u vunë përballë personalitete nga fusha e shëndetësisë, mjekë, përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë, Urdhrit të Mjekut, Urdhrit të Farmacistëve, shoqatat e pacientëve dhe shoqërisë civile, si dhe media.

Drejtoresha e shoqatës “Together for Life”, Eglantina Bardhi, u shpreh se problemet në sistemin shëndetësor nuk kanë filluar sot. “Por duhet të punojmë së bashku për të gjetur zgjidhje dhe për ta përmirësuar situatën”, tha Bardhi.

Tryeza Vepro tani Ambasada1

Koordinatorja e projektit, Arlinda Gjypi, duke prezantuar gjetjet

Kryeredaktorja e gazetës “Shëndet+”, njëkohësisht koordinatorja e projektit, Arlinda Gjypi, u shpreh se qëllim i këtij projekti ishte monitorimi dhe denoncimi i korrupsionit  dhe problemeve në sistemin shëndetësor, duke përfshirë aktorët kryesorë si pacientët, shoqatat e pacientëve dhe median. Ndër gjetjet kryesore të këtij projekti ajo renditi:

Shkeljen e të drejtave të pacientëve, mungesën e medikamenteve, e cila nxit kontrabandën, mungesën e ekzaminimeve në institucionet shtetërore, mungesën e shërbimeve (si implanti koklear, transplantet etj), mungesën e specialistëve në rrethe por edhe në Tiranë, çka ul cilësinë e shërbimit dhe rrit kohën e trajtimit të pacientëve etj.

Ndër arritjet e këtij projekti, u vlerësua fakti se tashmë njerëzit janë më të ndërgjegjësuar për të denoncuar problemet me të cilat ata përballen në sistemin shëndetësor, si dhe ka një rritje të bashkëpunimit të shoqatave të pacientëve me median, si dhe me institucionet e pavarura.

Tryeza Vepro tani Ambasada3

Drejtoresha e spitalit të Vlorës, Bruna Mersini, duke folur mbi mungesën e specialistëve

Drejtoresha e spitalit rajonal Vlorë, Bruna Mersini, foli lidhur me mungesën e specialistëve në spitalet rajonale dhe vështirësitë që vijnë si pasojë. “E mirëpresim një shoqëri civile e cila nxjerr në pah problemet. Në këtë mënyrë mund të shohim se çfarë duhet të përmirësojmë dhe si ta realizojmë një gjë të tillë”, u shpreh Mersini. Duke folur për spitalin që drejton, ajo tha se mungesat kryesore janë në fushën e kardiokirurgjisë, neurokirurgjisë dhe sëmundjeve profesionale. Mersini tha se këto mungesa vijnë edhe si pasojë e mungesës së specializimeve për shumë vite me radhë dhe aktualisht në Shqipëri ka një mungesë të madhe të specialistëve. “Një gjë e tillë sjell mbingarkesë në punën e specialiteteve të tjera”, u shpreh drejtoresha e spitalit të Vlorës, e cila kërkoi mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e shoqërisë civile dhe medias në rastet kur drejtuesit rajonalë merrnin vendime të cilat synonin përmirësimin e cilësisë së shërbimit shëndetësor.

Olimbi Hoxhaj, kryetare e Shoqatës së Pacientëve me HIV/AIDS, prezantoi problemet më të rëndësishme me të cilat përballen shoqatat e pacientëve në sistemin shëndetësor shtetëror. Si disa prej sfidave për pacientët me sëmundje kronike ajo përmendi: qasjen në kujdesin shëndetësor, mungesën e medikamenteve dhe materialeve mjekësore, mbështetjen sociale dhe shoqërore, edukimin dhe mundësitë e punësimit për shkak të vetëdijes së ulët, stigmës dhe diskriminimit, si dhe informimin dhe edukimin e pacientëve me legjislacionin dhe rregullatoret.

Hoxhaj ngriti edhe problemin e mbrojtjes së të dhënave personale të pacientëve si një çështje shumë e ndjeshme, me të cilat përballen jo herë të sëmurët kronikë.

Tryeza Vepro tani Ambasada2

Drejtori i Integrimit, Romeo Zegali, duke folur mbi problematikat dhe arritjet në sistemin shëndetësor

Pjesë e tryezës ishte edhe Romeo Zegali, drejtor i  Drejtorisë së Integrimit Evropian në Ministrinë e Shëndetësisë. Zegali foli lidhur me transplantet, teksa u shpreh se tashmë edhe për Shqipërinë ka një dritë jeshile. Sipas tij, vendi ynë ka nënshkruar marrëveshje me spitalet më të mira në Europë, ku do të specializohen mjekë, si pikë kyçe e realizimit të transplanteve. Zegali iu përgjigj një sërë pyetjesh të drejtuara nga shoqatat e pacentëve, ku midis të tjerash tha se “i njohim problemet e shëndetësisë, por duhet të jemi gjithashtu pranues ndaj arritjeve. Mendoj se duhet të punojmë të gjithë së bashku dhe në këtë mënyrë arritjet do të jenë më të mëdha”.

Asim Toro, drejtues i Shoqatës së Fëmijëve dhe të Rinjve Diabetikë tha se “Shëndeti është fusha e betejës  përcaktuese për nderin apo turpin e shoqërisë së një vendi. Një jetë e shpëtuar vlen shumë”. Ai tha se shoqatat e pacientëve po bashkohen për të fuqizuar zërin e pacientëve dhe për të nxitur komunitetin që të marrë pjesë e bashkëdrejtojë politika e programe që ndikojnë në jetën e tyre. Toro theksoi rëndësinë e marrjes parasysh të zërit të pacientëve për një sistem shëndetësor më cilësor.

Tryeza Vepro tani Ambasada

Në tryezë, Presidenti i Urdhrit të Mjekut, Fatmir Brahimi dhe Presidentja e Urdhrit të Farmacistit, Diana Toma

Fatmir Brahimaj, presidenti i Urdhrit të Mjekut, vlerësoi dhe shprehu dëshirën për bashkëpunimin me shoqatat e pacientëve. Teksa u përqendrua te gabimet e mjekëve, Brahimaj u shpreh se kriza e besimit në sistemin shëndetësor, ndihet si nga pacientët, ashtu edhe nga mjekët, të cilët e vuajnë presionin e mungesës së besimit. Ai kërkoi nga shoqatat e pacientëve mirëkuptimin dhe rritjen e besimit tek bluzat e bardha për shkak se “të gjithë mjekët kanë investuar në këtë fushë dhe secili prej tyre punon fort për të bërë më të mirën”.

Në një linjë mendimi ishte edhe Diana Toma, përfaqësuese e Urdhrit të Faramcistit. Ajo tha se vendosja e urave të komunikimit mes këtyre institucioneve dhe pacientëve ishte shumë e rëndësishme, në mënyrë që të gjithë së bashku të japin një shtysë për ta bërë shëndetësinë të ecë përpara.

Tryeza Vepro tani Ambasada4

Doktor Arben Ivanaj duke folur mbi sistemin në këndvështrimin e mjekëve

“Sigurisht, nuk mund të presim që shëndetësia shqiptare të shkojë në Europë, kur Shqipëria është në Azi”. Kështu u shpreh doktor Arben Ivanaj, teksa tha se mjekësia ka shumë probleme, gjithsesi është e rëndësishme që edhe njerëzit të informohen lidhur me mënyrat se si i qasen sistemit shëndetësor. “E kuptoj lodhjen e një pacienti që vjen nga Shkodra, por ai pacient duhet ta kuptojë që kur vjen te mjeku ka një procedurë që duhet ta ndjekë dhe nëse ai nuk e ndjek, nuk është faji i mjekut që s’mund t’ia plotësojë kërkesat”, tha Ivanaj.

Të pranishëm në tryezë ishin edhe përfaqësues të tjerë të medias e shoqërisë civile. Media, një partnere tepër e rëndësishme në të gjithë takimet e organizuara nga “Together for Life”, tregoi edhe një herë rritjen e profesionalizmit të saj për përmirësimin dhe forcimin e zërit të pacientëve.

Ky aktivitet u realizua në kuadër të mbylljes së projektit “Vepro tani! Denonco korrupsionin në sistemin shëndetësor, mbështetur nga Programi i Granteve të Vogla të Komisionit për Demokraci të Ambasads së SHBA-së në Tiranë.

Postime të ngjashme

Turqia, destinacion global për shërbime mjekësore: Anadolu Medical Center, lider në këtë rrugëtim
Gjashtë këshilla të provuara shkencërisht për një tru të shëndetshëm
Trajtimi psikosocial dhe shëndetësor i dhunuesve: hallka e munguar për thyerjen e ciklit të dhunës
Përdorimi i bimëve mjekësore në trajtimin e çrregullimeve të sistemit tretës
 Nga bananet te çokllata e zezë, 6 ushqime që ulin nivelet e stresit
Cilat ushqime ndihmojnë shëndetin e syve?
Çfarë i bën kafja trupit dhe sa zgjat efekti i saj
Angjinarja: Perimi i pranverës që forcon kockat dhe zemrën