Pacientët me kancer, 38% kalojnë në faza depresive

Dr.shk. Anila Tasho Hashorva, psikiatre

38% e pacientëve që vuajnë nga sëmundje kancerogjene shfaqin shenja depresioni dhe kanë nevojë  për trajtim psikoterapeutik.  Kështu shprehet për gazetën “Shëndet+”, Anila Hashorva, mjeke psikiatre pranë Spitalit Continental.

“Për çdokënd që mëson se vuan nga kjo sëmundje, është gjendje shokuese! Ata nuk duan ta pranojnë, zemërohen, ndiejnë frikë dhe shqetësim. Madje shumë prej tyre arrijnë gjer aty sa dhe vetëfajësohen duke menduar se janë vetë ata shkaktarët e sëmundjes.”

Por si duhen trajtuar këta pacientë? A ndikon psikoterapia për rezultate më të mira në frenimin e sëmundjes? Po në rritjen e shkallës së mbijetesës? Sa e rëndësishme është përfshirja e mjekut psikiatër në stafin e Shërbimit të Onkologjisë? Këto dhe të tjera detaje mjaft interesante mund t’i lexoni në intervistën më poshtë.

Ç’do të thotë të mësosh se ke kancer?

Termi kancer përdoret për të emëruar rritjen anormale të qelizave dhe përhapjen në indet normale ose në organe më të largëta. Kanceri është një diagnozë me një ngarkesë shumë të madhe emocionale, sigurisht një tronditje e fortë. Është një sëmundje që të ndryshon jetën, por mjekësia ka bërë zhvillim intensiv në këtë fushë dhe ka zbutur, pa diskutim, pasojat. Kanceri është një sëmundje madhore, por jo çdo njeri që vuan nga kanceri do të vdesë. Kështu, miliona njerëz sot tregojnë për një histori kanceri të kaluar në jetën e tyre.

A është normale të mendosh rreth vdekjes?

Sigurisht që është normale të mendosh rreth vdekjes dhe shëndetit, është normale të eksplorosh ndjenjat që lidhen me vdekjen dhe të fokusohesh tek jeta. Njerëzit që përballen me këtë sëmundje ndeshen njëherazi edhe me vdekjen dhe luftojnë për mbijetesë. Këta njerëz janë natyrshëm të shqetësuar rreth së ardhmes së tyre.

Megjithatë, unë duhet të them me bindje profesionale se kanceri nuk nënkupton vdekjen. Shumë njerëz e kanë trajtuar atë me shumë sukses. Të tjerë jetojnë për shumë kohë me të. Por gjithmonë duhet bërë më e mira për ata që janë duke jetuar me këtë sëmundje apo janë duke e trajtuar atë.

Çfarë ndiejnë njerëzit kur jetojnë bashkë me kancerin?

Kur njerëzit mësojnë se vuajnë nga kanceri dhe ju duhet të jetojnë me të, kanë shumë ndjenja të cilat e ndjekin vazhdimisht në çdo minutë të jetës së tyre. Për çdokënd që mëson se vuan nga kjo sëmundje është gjendje shokuese. Është vështirë të mendosh se doktori po flet për ty. Shumica e pacientëve të pyetur për të përshkruar këtë moment thonë: “Unë e dëgjova doktorin kur tha rezultatin e testit, dhe mendja ime u bë e bardhë  dhe menjëherë mendova… Jo, jo, do të jetë gabim, ky nuk jam unë….”. Ata nuk duan ta pranojnë, zemërohen, ndiejnë frikë dhe shqetësim, kanë stres, zemërim dhe vetmi. Shumë njerëz me këtë diagnozë ndiejnë dëshpërim dhe bien në depresion. Por ka edhe nga ata njerëz që e pranojnë sëmundjen e tyre, madje shpresojnë tek mjekësia, tek vetja dhe tek Zoti. Janë një sërë ndjenjash, por të gjitha ndjenjat janë normale.

A flitet edhe për depresion tek këta pacientë dhe sa i shpeshtë është ai?

Depresioni tek këta pacientë është një përgjigje “normale” për një sëmundje kaq serioze. Këta njerëz humbasin energjitë, ndiejnë lodhje të vazhdueshme, mungesë gjumi dhe oreksi. Ata kanë ndjenja faji, sepse një pjesë e tyre mendojnë se janë vetë shkaktarë të kësaj sëmundjeje. Vetëm mendimi se do të vuash nga dhimbja është vuajtje. Momenti më i vështirë për pacientin dhe familjarët është përballja për herë të parë me diagnozën, fillimi i trajtimit (kirurgjia, rrezatimi, terapia me kimio) frikë se dhimbja fizike mund të dalë jashtë kontrollit. Ky stres është normal, por kur këto emocione qëndrojnë për një kohë të gjatë dhe ndërhyjnë në funksionimin e pacientit, duke e bërë atë të mos tolerojë “luftën” me sëmundjen kanceroze, atëhere është një arsye për t’u shqetësuar. Shkalla e depresionit tek këta pacientë është e lëvizshme nga 1-53% dhe kjo varet nga lloji i kancerit, përmasat, stadi i sëmundjes. Megjithatë, jo të gjithë pacientët që vuajnë nga kanceri, do të vuajnë edhe nga depresioni.

A duhet trajtuar depresioni tek këta pacientë apo trajtimi i sëmundjes bazë është më i rëndësishëm?

Depresioni mund dhe duhet trajtuar edhe nëse një person është në gjendje të komplikuar për shkak të sëmundjes kanceroze apo edhe sëmundjeve të tjera bashkëshoqëruese. Trajtimi i depresionit i ndihmon njerëzit të përballen më mirë me kancerin dhe me rrugën e gjatë të trajtimit. Në një studim tek gratë e moshuara me kancer të gjirit, depresioni u shoqërua me refuzimin për të marrë deri në fund mjekimin dhe dëshirën për t’i dhënë fund jetës. Depresioni është sëmundje e trajtueshme e trurit dhe trajtohet pavarësisht nga çdo lloj sëmundjeje tjetër që mund ta bashkëshoqërojë, përfshi edhe kancerin. Njerëzit që trajtohen për kancer dhe zhvillojnë depresion, ashtu si edhe njerëzit që trajtohen për depresion dhe zhvillojnë kancer, duhen trajtuar nga profesionistët e shëndetit mendor.

Për çfarë lloj trajtimi bëhet fjalë, psikoterapi apo medikamente?

Trajtimi i ndihmon pacientët të adaptohen me stresin dhe të përballin realitetin. Psikoterapia apo “talk therapy” do të lehtësonte gjendjen shpirtërore të pacientit dhe familiarëve të tyre. Ka të dhëna që tregojnë se trajtimi i humorit depresiv në grupet mbështetëse të psikoterapisë, si dhe medikamentet, ndihmon në rritjen e mbijetesës. Gjithsesi, trajtimi i depresionit në kontekstin e një pacienti onkologjik do njerëz të specializuar dhe me njohuri edhe nga onkologjia. Por kur lind nevoja e trajtimit me medikamente antidepresive, duhet patjetër një lidhje e ngushtë e psikiatrit me mjekun kurues.

A ka të dhëna për depresionin që shoqëron pacientin me sëmundje onkologjike në vendin tonë?

Po, ka disa të dhëna që vijnë nga vitet 2007 të bëra në spitalin onkologjik në QSUT. U konkludua se depresioni takohet në një përqindje të konsiderueshme tek këta pacientë. 38% e tyre kishin shkallë të konsiderueshme të depresionit dhe kërkonin trajtim. Trajtimi i depresionit tek këta pacientë është i domosdoshëm, sepse ndihmon në përmirësimin e cilësisë së jetës. Psikoterapia dhe antidepresivët janë efikasë.

Çfarë do të rekomandonit për këta pacientë?

Këta pacientë kërkojnë një kujdes dhe vëmendje të veçantë nga të gjithë. Duke e konsideruar kancerin risk të lartë për depresionin, por dhe për sëmundje të tjera bashkëshoqëruese të shëndetit mendor, do të kisha rekomanduar përfshirjen e mjekut psikiatër në stafin e Shërbimit Onkologjik. Sigurisht, funksionim shumë të ngushtë të këtyre pacientëve me stafin multidisiplinar, psikologë dhe punonjës socialë. Duhet bërë shumë për të zbutur dominancën që sëmundja bën, për të lehtësuar distresin e tyre. Pacientët që vuajnë prej kancerit “përleshen” për të shpëtuar jetën çdo moment, por edhe familiarët e tyre, mjekët onkologë dhe mjekë të tjerë “luftojnë” për të shpëtuar këto jetë. Së fundmi,  dua të theksoj se nuk ka rëndësi sa i avancuar është kanceri, personi nuk duhet të vuajë nga depresioni. Trajtimi është efektiv. Miliona njerëz ia kanë dalë kancerit dhe kjo është shumë e rëndësishme./ https://shendeti.com.al/

Postime të ngjashme

3 këshilla për të ulur konsumin e sheqerit dhe për të qetësuar sistemin nervor
Rriten importet e ilaçeve, KLSH: 80% janë kopje e origjinalit, pa cilësi dhe më shtrenjtë
Ndahet nga jeta akademiku Rexhep Qosja
Pas një viti sfidash, vaksinat mRNA japin shpresë të re në luftën kundër kancerit
Çfarë duhet të bëni në mëngjes për tretje më të mirë gjatë gjithë ditës
5 shenja që tregojnë se sistemi juaj nervor është i mbingarkuar
Raporti i HIV 2025: Shqipëria përballë një vale të re infeksionesh, rekord që nga 2016-a
Shkencëtarët zbulojnë dy pijet me kafeinë që mund të ulin rrezikun e goditjes në tru dhe sulmit në zemër, ja sa duhet të konsumoni për përfitime shëndetësore