(I përditësuar) Një paciente e vdekur dhe dy pacientë të plagosur. Është ky rezultati i zjarrit që përfshiu sot repartin e dializës në Spitalin Amerikan I në kryeqytet. Në njoftimin e vet zyrtar, policia deklaroi se shkak për zjarrin ishte një konflikt mes dy pacientëve, ndërkohë që me gjithë dhënien e ndihmës nga policia dhe zjarrfikëset, pacientja 55-vjeçare Sanie Sulaj, ka humbur jetën nga asfiksia.
Gazetaret e gazetës “Shëndet+” Elona Tereziu dhe Denisa Canameti në vendngjarje raportojnë se reparti i dializës së Spitalit Amerikan është djegur plotësisht. Ngjarja mësohet të ketë ndodhur ndërkohë që pacientët po kryenin procesin e hemodializës.
Shërbimi Zjarrfikës, drejtori i saj Shkëlqim Goxhaj raportoi fillimisht nga vendi i ngjarjes se konflikti ishte mes dy pacientëve. Dyshohet se të dy pacientët kanë pasur një konflikt të zgjatur njëri me tjetrin dhe edhe sot, në ditën që kishin dializë, kanë vazhduar debatin. Mësohet se 40-vjeçari L.C. i ka hedhur benzinë personit tjetër dhe pastaj nga tmerri i ka hedhur benzinë edhe vetes, duke i vënë flakën.
Pacienti Ludovik Prendi deklaron: “U terrorizuam. Ishim nga dhoma tjetër për të marrë shërbimin dhe dëgjuam vetëm ulërima. Mjekët erdhën me vrap, na hoqën aget, çmontuan pajisjet me shpejtësi dhe dolëm përjashta”.
Pacientë të tjerë thonë se u tmerruan. I kapi edhe më shumë paniku për shkak se dritaret ishin me kangjella dhe kishin frikë se nuk do të arrinin të dilnin dot. Gjithsesi, fatmirësisht, gjithë personat e papërfshirë në konflikt kanë arritur të dalin pa pësuar dëme shëndetësore.
Kreu i shoqatës së pacientëve të dializës, Agim Gjyla, i kontaktuar nga gazeta “Shëndet+”, tha se pacienti i dyshuar si autor i ngjarjes, ka pasur vështirësi ekonomike dhe ka qenë në gjendje të rënduar psikologjike. “Gjithsesi, këto nuk janë shkaqet të mjaftueshme për t’i vënë flakën një reparti. Nuk di të them se çfarë ka ndodhur brenda në repart që ka çuar në një veprim të tillë ekstrem”, shprehet Gjyla.
Vjollca Braho, drejtoreshë e FSDKSH-së, u shpreh për mediat: Pacientët e tjerë janë mirë. Në kohën e ngjarjes kanë qenë 26 persona që po merrnin hemodializën. Në dhomën e vogël ku ka ndodhur ngjarja kanë qenë gjashtë pacientë, të cilët kanë qenë të veçuar pasi ishin edhe me hepatit C. Pacientët janë të traumatizuar. Po u jepet shërbim mjekësor maksimal.
Një nga pacientët, pasi ka mbaruar procesin, është kthyer me benzinë dhe ia ka hedhur pacientit tjetër. Për shkak të dhomës së vogël, janë dëmtuar dhe të tjerë.
Reagimi i Spitalit Amerikan lidhur me ngjarjen
Më datë 25.07.2016, rreth orës 11:00, tek spitali Amerikan, në SQU, në brendësi të pavionit të Hemo-Dializës, ka rënë zjarr. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar menjëherë shërbimet policore dhe zjarrfikset të cilët bënë të mundur fikjen e zjarrit. Shërbimet e komisariatit të Policisë nr 3 nxorrën jashtë godinës pacientët që ndodheshin brenda. Nga veprimet paraprake te grupit hetimor i cili ndodhet në vendin e ngjarjes dyshohet se zjarri mund të jetë shkaktuar me dashje nga pacienti i identifikuar si Lefter C., 57 vjeç. Dyshohet se ka lind një konflikt midis dy shtetasve Lefter .C dhe shtetasit D.Saraçi, 47 vjeç.
Shtetasi Lefter .C pasi ka mbaruar dializen ka shkuar në dhomën e shtetasit D.S , ka nxjerrë nga qesja një bidon dhe dyshohet të ketë spërkatur me benzinë shtetasin D.S dhe me pas i ka vënë zjarrin.
Me nderhyrjen e infermierëve është bërë e mundur shuarja e zjarrit mbi autorin e dyshuar dhe të dëmtuarin. Shtetasi D.Saraçi ka qenë i shtruar dhe merrte mjekim dhe në të njejtën dhomë me të ka qenë duke marrë mjekim dhe pacientja Sanie Sulaj , 55 vjeçe nga Mamurrasi e cila ka gjetur vdekjen si pasoje e asfiksisë. Aktualisht shtetasi D.Saraçi ndodhet i shtruar në sallën e reaminacionit pranë spitalit Amerikan 1, kurse autori i dyshuar ndodhet në spitalin American 2. Policia po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.



