Kryefaqja Covid-19 Pamje më e qartë e një Italie të shtrembëruar: Domethënia për Shqipërinë

Pamje më e qartë e një Italie të shtrembëruar: Domethënia për Shqipërinë

0
Shpërndaje

Nga Dr. Shk. Ilir Alimehmeti
Epidemiolog Klinik
Fakulteti i Mjekësisë, UMT, Tiranë

“Frika ju kufizon ju dhe vizionin tuaj!”
cit. Soledad O’Brien

Duke filluar nga shkurti e vazhduar përgjatë të gjithë muajit mars, e gjithë bota i zhvendosi sytë e tmerruar drejt ndodhive fatkeqe në Itali.

Përditë po përditësohemi mbi shifrat e rasteve të reja dhe sidomos të vdekjeve të ndodhura në Itali. Shumë prej jush ndoshta janë edhe lebetitur nga niveli “i lartë” i vdekshmërisë në fqinjin tonë.

Është e natyrshme që një pjesë e kësaj ndjesie pështjelluese vjen si rrjedhojë e pasqyrimit direkt të shifrave italiane në Shqipëri.

Po marr si shembull, jo pa qëllim, deklaratën e Mbrojtjes Civile të Italisë të datës 28 mars 2020, ora 17:00. Në këtë datë u raportua se tashmë ishin të infektuar në total 92.472 persona. Duke qenë se popullata totale zyrtare e Italisë është 60.431.283, përllogaritet se tashmë janë infektuar 0.15% e popullatës totale, një përqindje shumë shumë e ulët. Ndër këta të infektuar ka pasur 10.023 vdekje, pra përqindja direkte e vdekjeve rezulton 10.8%.

Kush nuk do të reagonte me panik ndaj një shifre të këtillë?

Është me të vërtetë e lartë, pra vdes një person për çdo 10 të infektuar. Panik, lemeri, tmerr, çoroditje masive … por vetëm nëse kjo shifër nuk analizohet dhe merret shabllon!

Në këtë analizë nuk do të futem fare në pjesën e moshës së vjetër apo të sëmundjeve shoqëruese. Do të jem shumë më i drejtpërdrejtë!

Po kujtoj që Italia kryen testin e SARS-CoV-2 vetëm te personat me dyshim të lartë epidemiologjik ose te personat e sëmurë, por nuk e kryen testin në popullatën e përgjithshme.

Çfarë do të thotë kjo? Le ta zbulojmë së bashku.

Sot, 31 mars 2020, u publikua studimi i Departamentit të Epidemiologjisë së Sëmundjeve Infektive, Imperial College London, Universiteti i 10-të më i mirë në botë. Në analizën shumë fine semi-mekanistike Bayesiane hierarkike, autorët kanë kalkuluar se përqindja e të infektuarve me SARS-CoV-2 në Itali mè 28 mars, ka qenë në të vërtetë 9.8% (95% intervali i besimit = 3.2%-26%). Kjo hedh një dritë krejt të re mbi të dhënat italiane.

Në fakt nëse infektimi në popullatë është 9.8% dhe Mbrojtja Civile e Italisë raporton 0.15%, do të thotë që po kapen vetëm 0.15/9,8 = 1.53% e rasteve totale me COVID-19. Pra, ndërkohë që Mbrojtja Civile e Italisë deklaron 92.472 të infektuar, me rregull treshi numri real besohet të jetë 92.472 x (9.8/0.15) = 6.041.504 persona të infektuar.

WOW! E kishit imagjinuar dot?

Por kjo do të sjellë që vdekjet janë shumë më pak në përqindje?

Keni shumë të drejtë.

Tani emëruesi ndërroi! Nuk është më 92.472 por është 6.041.504, si rrjedhojë vdekshmëria del 10.023/6.041.504 = 0.17%, ngjashmërisht me shifrat e Gjermanisë, ku po testohet një pjesë shumë më e gjerë e popullatës pa bërë diskriminime diagnostike.

Duhet të themi që kjo shifër do të rritet pak pasi rastet janë marrë deri më datë 28 mars 2020, ndërkohë që rastet që përfundojnë me vdekje nevojiten edhe 2-3 javë të tjera. Si rrjedhojë, mund të besohet që shifra reale të orbitojë në rreth 0.3-0.4% vdekshmëri, për momentin.

Kjo, miqtë e mi është matematikë e ftohtë, pa emocione.
Jo se nuk na dhembsen ato persona fatkeqë që bëjnë pjesë në këtë 0.3% pasi janë gjithsesi 10 mijë njerëz të dashur për familjet e tyre, por duhet të ridimensionohemi në diskutimin e problemit.
SARS-CoV-2 nuk është kaq letal sa ç’shihet përmes të dhënave të para.

Por, të gjithë ne kemi edhe një pyetje të dytë, apo jo?

Si kanë ndikuar masat e marra kundër përhapjes së virusit?

Publikimi prestigjioz i mësipërm adreson edhe këtë pyetje! Në projeksionin e vdekjeve deri në ditën e sotme, 31 mars 2020, përllogaritet që në Itali do të kishin vdekur 52.000 (95% intervali i besimit = 27.000-98.000)persona, dhe vetëm falë masave të marra janë shpëtuar 38.000 jetë njerëzish (95% intervali i besimit = 13.000-84.000).

Fenomenale!

Pra, për çdo 1 jetë të humbur janë shpëtuar 2.7 jetë të tjera. Kjo vetëm falë masave të marra.

Arritje epike për efortin e një kombi të tërë!

Çfarë do të thotë kjo për Shqipërinë?

KUJDES: të gjitha përllogaritjet janë bërë duke marrë si model ecurinë në Itali dhe duke supozuar se efekti i masave të marra është i njëjtë në secilin vend.

Në Shqipëri masat u morrën shumë më shpejt se në Itali në krahasim me ditën e zbulimit të rastit të parë. Deri më sot ne kemi 243 të infektuar dhe fatkeqësisht 15 vdekje. Nèse bèjmè pjesètim naiv tè Italisè, rezultati del 15/243 = 6,17%.

Në përllogaritjen paraprake po përdoret i njëjti model semi-mekanistik Bayesian hierarkik që kanë përdorur kërkuesit anglezë duke ndryshuar datat e fillimit të sëmundjes (rasti i parë me COVID-19 8 mars 2020, vdekja e parë 9 mars 2020) dhe të marrjes së masave në Shqipëri (lockdown i plotë 16 mars 2020).

Një paraqitje më e thjeshtë e kalkulimit po paraqitet më poshtë.

Së pari, në Shqipëri lockdown u vendos pasi tashmë ishin mbyllur shkollat, aktivitetet sportive dhe sociale si edhe ishin vendosur normat e distancimit publik.
Në total efekti i të tëra masave së bashku është ulje me 64% e infektueshmërisë.

Së dyti, në krahasim me Italinë, lockdown në Shqipëri u vendos 8 ditë më shpejt. Dyfishimi i të infektuarve ndodh mesatarisht çdo 4 ditë, pra vetëm nga ky fitim kohe i marrjes së masave totale numri i të infektuarve është ulur me 2 në fuqi (8/4) = 2 në fuqi të dytë = 4 fish. Pra, 9.8% / 4 = 2.45%.

Duke marrë parasysh edhe se shkollat dhe aktivitetet sociale dhe sportive u mbyllën menjëherë pas vdekjes së parë (9 mars 2019) me COVID-19, përllogaritet edhe një ulje me rreth 30% e infektueshmërisë gjatë javës së parë. Pra 2,45/(1,3 në katror)= 1.45% e popullatës së Shqipërisë.

Si rrjedhojë, totali i të infektuarve në Shqipëri në analizën paraprake përllogaritet në rreth 41.562 persona. Kjo shifër shkon në bashkërendim me përllogaritjet e mëparshme të Prof. Sulçebe. Në këtë kontekst, vdekshmëria në Shqipëri përllogaritet 15/41.562 = 0.36%. Kjo shifër shkon në linjë me të dhënat e Gjermanisë.

KUJDES: edhe në këtë rast, ecuria fatale vjen pas një periudhe 2-3 javore pas infektimit, si rrjedhojë kjo shifër mund të jetë lehtësisht pak më e lartë. Rezultatet janë paraprake dhe bazohen mbi hipotezat e ngritura nga grupi i studimit të Imperial College London. Gjithashtu, Shqipëria ka një numër shumë të ulët vdekjesh, si rrjedhojë analiza pëson një mundësi gabimi më të lartë.

Së fundmi, duke u bazuar mbi modelin e Spanjës dhe Italisë, përllogaritet se vdekshmëria pritur nëse masat nuk do të merreshin variojnë nga 3,1 deri në 3,7 herë më shumë. Duke parë numrin e vdekjeve sot është 15 në Shqipëri, ky numër do të kishte qenë 47 deri në 56.

Pra, falë masave janë shpëtuar deri më sot 32 deri në 41 jetë shqiptare.

Forca miq!

Mos lejoni t’ju shtrembërohet realiteti nga frika e shifrave të papërpunuara!

 

 

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here