Papërgjegjshmëria që po rrezikon dhjetëra maturantë

Denisa Canameti

Një numër jo i vogël maturantësh janë përballur këtë vit me një situatë aspak të këndshme. Një parregullsi apo papërgjegjshmëri rrezikon që të mbeten pa u regjistruar në universitet.

Ashtu siç ishte parashikuar, në datat e përcaktuara nga Ministria e Arsimit, maturantët filluan aplikimin për formularin A2, on maturanteline. Ky proces sigurisht që monitorohet nga personat e autorizuar nga drejtoria. Nxënësit orientohen për çdo hap që duhet të hedhin, përfshirë këtu edhe mënyrën e renditjes së degëve. Çdo nxënës ka të dhëna të personalizuara me anë të së cilave mund të hyjë në sistem për të aplikuar, si dhe në datat e daljes së rezultateve ata mund të hyjnë për t’u njohur me degën e fituar, nëse kanë fituar.

Ndodh, në një nga shkollat në periferi të Tiranës, që disa maturantë të hasin probleme me sistemin. Kështu, në sistem nuk ekzistojnë të dhënat e tyre.

“Ditën që doli lajmi se kanë dalë shkollat, u futa në faqen e Ministrisë së Arsimit. Kur futa ID e maturantit dhe email, më thotë që nuk ekziston asnjë maturant me këto të dhëna.  Kjo ka ndodhur me shumë maturantë. Kjo ka ndodhur me nxënës me mesatare të mirë. Nuk kisha hedhur degë që nuk mund t’i kapja, sepse e kisha llogaritur çdo gjë. Edhe mësuesit që na njohin janë të habitur”, tregon njëra prej maturanteve për Shëndet+.

Të pyetur se cila është përgjigjja që kanë marrë për këtë situatë të krijuar, maturantët shprehen se përgjigjja e drejtorisë nuk ka qenë aspak justifikuese apo argumentuese. Përkundrazi drejtoria e shkollës i ka ngushëlluar nxënësit me faktin që ekziston edhe një shanc tjetër, që është formulari A3. Kur nxënësit kanë kërkuar shpjegim drejtoria është shprehur se “ose keni aplikuar gabim, ose webi ka qenë shumë i ngarkuar atë ditë dhe nuk jua ka pranuar të dhënat”.

Duket se askush nuk mban përgjegjësi për një çështje që është tejet delikate. Nuk dihet nëse drejtoria do ta shqyrtojë çështjen me seriozitetin e duhur apo nëse gjithçka do të mbetet në heshtje. Përveçse detyrë e nxënësit, është edhe detyrë e monitoruesve që të sigurohen për mbarëvajtjen e punës në plotësimin e formularëve.

Postime të ngjashme

Shqipëria vijon të shuhet, lindjet ranë me 10.5% në T3, shtesë pozitive vetëm Tirana e Durrësi
Shtatë fëmijë të Kopshtit nr. 10 në Vlorë përfundojnë në spital, dyshohet për helmim nga ushqimi
Produktet e pasigurta në treg, alarmi vjen nga Belgjika; kontrollet në Shqipëri ranë me 33% në 2025
Buxheti 2027/ Spahiu: 117.8 miliardë lekë për shëndetësinë dhe mirëqenien sociale
Përtej vitaminës D: Si ndikon drita e diellit në metabolizëm dhe sheqerin në gjak
Pudinga me copëza xhami në treg, AKU: Mos e konsumoni
Medikamentet GLP-1 RA: Çfarë duhet të presin personat me obezitet nga trajtimi me këto barna?
QSUT prej muajsh pa aparaturën e Litotripsisë, pacientët me gurë në veshka pa shërbim