Nuk kemi vetëm mjek të muajit, por edhe infermier. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka vendosur që si infermier të muajit të zgjedhë Konstandin Baha, infermier në një qendër shëndetësore në Bixëlle të Elbasanit.
“Konstandin Baha është për banorët e Bixëlle si ndihma e shpejtë, i kudogjendur në shtëpitë e çdo banori që ka nevojë për kujdes shëndetësor.
Pika e autoambulancës, e vendosur buzë rruge, ka të gjitha barnat që një qendër shëndetësore duhet të ketë për rastet e urgjencës, por Konstandini thotë se në pjesën më të madhe të rasteve e jep shërbimin pranë banorëve për shkak të distancave të largëta mes shtëpive në këtë zonë të thellë të Elbasanit”, shkruan ministrja në faqen e saj zyrtare në Facebook.
Vetëm dje u zgjodh mjeku i muajit Dr. Fatos Olldashi, mjek kirurg pranë Spitalit Universitar të Traumës.
Pak ditë më parë, me një ndërhyrje të vështirë por të suksesshme, neurokirurgu Fatos Olldashi shpëtoi një 18-vjeçar që rrezikonte të mbetej i paralizuar pas aksidentit në plazhin e Velipojës./Shendeti.com.al

