Pas pagesave të kripura për shërbime të pakryera, koncesioni i check up-it i kthehet shtetit

Qeveria shqiptare po përgatitet që të marrë mbrapsht koncesionin kontrovers të kontrollit mjekësor bazë në shtator, pas më shumë se 12 vitesh operimi nga një kompani private.

Sipas vendimit të marrë më 30 korrik nga Këshilli i Ministrave, kontrolli mjekësor bazë, i njohur ndryshe si check -up, do të vazhdojë të ofrohet për shtetasit shqiptarë mbi 35 vjeç nga kompania e re publike e quajtur “Operatori i Shërbimeve të Integruara Shëndetësore”, së bashku me shërbimin e sterilizimit dhe atë të hemodializës.

Koncesioni i check up-it ishte kontrata e parë e partneritetit publik privat të qeverisë së kryesuar nga kryeministri Edi Rama, e cila u ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë rreth 66 milionë euro në total.

Ajo u firmos në vitin 2014 me bashkimin e kompanive “Marketing & Distribution” në pronësinë e biznesmenes Vilma Nushi dhe Trimed, të cilat themeluan së bashku kompaninë koncesionare 3P Life Logistic.

Megjithatë, më vonë u zbulua se formula koncesionare mundësonte pagesa të majme për shërbime të pakryera. Sipas kontratës, Ministria e Shëndetësisë i pagoi kompanisë 3P Life Logistic 730 milionë lekë çdo vit [rreth 7.8 milionë euro] për kontrollin mjekësor bazë për një numër të garantuar prej 475 mijë qytetarësh.

Por numri i qytetarëve të interesuar për të kryer check up-in ishte vazhdimisht më i vogël sesa projeksionet e Ministrisë së Shëndetësisë. Sipas një raporti të Kontrollit të Lartë të Shtetit, vetëm në periudhën 2015-2021, kompania koncesionare përfitoi mbi 9.2 milionë euro për analiza të pakryera.

Kontrata për kontrollin mjekësor bazë ishte një nga katër koncesionet në sektorin e shëndetësisë së qeverisë “Rama”, të cilat u hetuan nga Prokuroria e Posaçme pas akuzave të ngritura për korrupsion.

Ky hetim nuk prodhoi rezultate, por në një çështje paralele për koncesionin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale, SPAK ngriti akuzë për shpërdorim detyre ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Beqaj u arrestua më 4 korrik 2024 për abuzime me fondet e Bashkimit Europian gjatë kohës që drejtonte Agjencinë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, SASPAC, ndërkohë që masa e tij u lehtësua në “arrest shtëpie” më 31 korrik të këtij viti. Për koncesionin e sterilizimit, Beqaj ndodhet aktualisht në proces gjyqësor./birn

Postime të ngjashme

QSUT prej muajsh pa aparaturën e Litotripsisë, pacientët me gurë në veshka pa shërbim
Si mund të humbasë peshë në mënyrë të shëndetshmë një person obez?
Tragjedi në Spitalin e Traumës në Tiranë/ Pacienti hidhet nga kati i tretë dhe humb jetën, policia nis hetimet
Raporti i TFL: Probleme me kostifikimin e shërbimeve dhe raportimin e efektivitetit të shpenzimeve
INSTAT: Bien vizitat për fëmijët dhe nënat në konsultore në 2025! Ja arsyeja
Ish ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj mbërrin në GJKKO
U plagos me plumb gome në sy gjatë protestës, MSHMS: Erjon Vishkulli kalon me sukses operacionin në Romë
Check-up falas për qytetarët, por sa kushton për buxhetin e shtetit?