Kryefaqja Aktualitet Pasojat e një miti të gabuar, ISHP po humbet “terren” në mbulesën...

Pasojat e një miti të gabuar, ISHP po humbet “terren” në mbulesën e vaksinimit

0
Shpërndaje

Denisa Canameti

Nisi si një lajm i thjeshtë në median on line, mbase si një përkthim “i natyrshëm” i një lajmi ku lidhej vaksinimi i fëmijës me autizmin, për t’u kthyer më pas në një nga shqetësimet më të mëdha që kanë sot profesionistët e Institutit të Shëndetit Publik. Fillimisht, ky lajm që filloi të kopjohej “me shpejtësinë e erës”, duket se u injorua nga profesionistët e fushës, deri në momentin kur u vu re një hezitim i prindërve për vaksinimin e fëmijëve. Paniku për efektet e mundshme të vaksinave “fluturoi” aq shpejt në mendjen e njerëzve, duke zënë një terren shumë të madh, sa sot jemi në një “luftë” institucionale për “shkatërrimin” e këtij besimi që siç thotë vetë profesionistët është i pavërtet.

Rikthimi i fruthit në vendin tonë (në janar të 2018-s), ngriti vëmendjen e institucioneve shëndetësore, ku në fillim të vitit të shkuar u firmosën urdhër pas urdhri për përcaktimin e masave për kontrollin e infeksionit dhe parandalimin e shpërthimeve epidemike.

Kështu, nëpërmjet Urdhrit nr.58 datë 16.01.2018, janë përcaktuar masat për kontrollin e infeksionit dhe parandalimin e shpërthimeve epidemike të fruthit. U vendosën masa të kontrollit të infeksionit respirator në QSUT dhe spitalet rajonale.

Më pas, me urdhër nr 94, datë 26.01.2018 u vendos raportimi i përditshëm i mungesave në cerdhe, kopshte dhe shkolla të fëmijëve dhe nxënësve të insitucioneve të arsimit parashkollor apo institucioneve të tjera arsimore për parandalimin e shpërthimeve epidemike të fruthit.

Pas këtij urdhri, ISHP dhe drejtoritë e shëndetit publik përgatitën një plan masash për gjurmimin e kontakteve dhe gjendjen e vaksinimit të tyre në çerdhe, kopshte dhe shkolla:

– Kontroll i vërtetimeve të vaksinimit që jepen nga konsultoret e lagjeve.

– Evidentim i fëmijëve me rash dhe temperaturë në këto institucione.

– Mospranim në këto institucione të fëmijëve të pavaksinuar.

– Evidentim i mungesave ne institucionet e arsimit parashkollor dhe shkolla

– Vaksinim i fëmijëve të pavaksinuar

Me urdhër të posacëm të Ministres së Shëndetësisë është riaktivizuar më datë 8.02.2018 Komiteti i Çertifikimit të Eleminimit të Fruthit dhe Rubeolës, i cili përgatit planin e veprimit për dokumentimin dhe verifikimin e eleminimit të fruth rubeolës në vend si dhe përgatit programin e vaksinimiit dhe të survejancës së fruth rubeolës.

Gjithashtu, Ministria e Shëndetësisë garantoi se janë marrë të gjitha masat për parandalimin, kontrollin dhe eleminimin e shpërthimit epidemik të Fruthit, bazuar edhe në Rregulloren Ndërkombëtare të Shëndetit, e miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave më datë 24.09.2010.

Por, sa të efektshme ishin këto masa?

Buletini i ISHP: Në disa zona të vendit, ulet përqindja e vaksinimit

Në buletinin e botuar nga Instituti i Shëndetit Publik, për vitin 2018, ku përshkruhet edhe situata e fruthit në vendin tonë, thuhet se në periudhën 10 Janar 2018- 8 Maj 2018 Shqipëria u përfshi nga një shpërthim epidemik i fruthit.

Deri në datë 8 Maj 2018 në nivel kombëtar u konfirmuan në laborator 893 raste me fruth nga 1878 raste të dyshuara”. Hartuesit e këtij dokumenti (profesionitët e ISHP) raportojnë se diagnoza e rasteve të dyshuara është kryer pranë laboratorit të referencës për fruthin pranë ISHP. Peshën më të madhe të rasteve e mbajti Tirana me 557 raste apo 62% të rasteve me fruth në vend. Më pas rrethet me përqindje më të lartë ishin Kukësi me 127 raste të konfirmuara dhe më pas Lezha me 59 raste të konfirmuara, si dhe Durrësi me 37 raste të konfirmuara dhe Shkodra me 14 raste të konfirmuara.

Tre të katërtat e rasteve me fruth të konfirmuara, thuhet në raport rezultuan të pavaksinuar kundër kësaj sëmundjeve (nuk kanë marrë asnjë dozë vaksine anti-fruth) kurse 24.6% kishin marrë të paktën një dozë, duke dëshmuar rëndësinë e vaksinimit me dy doza. Rreth 59% e rasteve të konfirmuara me fruth ishin persona 15 vjec e lart …

Në Shqipëri vitet e fundit mbulesa vaksinale është në nivelin 95% duke u ulur krahasuar me vitet e mëparshme për shkak të një hezitimi të prindërve apo tendenca për shtyrjen e vaksinimit si pasojë e një miti të gabuar të lidhjes së vaksinës ndaj Fruthit.

Në disa zona të vendit përqindja e vaksinimit me dozën e parë të vaksinës ndaj fruthit është edhe më poshtë nivelit 95%. Kjo ulje, nga analiza e ISHP-së, ka ardhur si pasojë e ndikimit të grupeve anti-vaksinë, tendencës së prindërve për të shtyrë vaksinimin ndaj fruthit si dhe të ndikimit në disa komunitete fetare

Rastet e para të identifikuara me Fruth janë vënë re në datën 10 Janar 2018 në Tiranë. Këto raste mendohet se janë të lidhura me një rast te paraqitur në QSUT i cili nuk ishte njohur si Fruth, ka qënë i pavaksinuar (për shkak të besimit fetar) si dhe ka patur lidhje me Kosovën.

http://www.ishp.gov.al/wp-content/uploads/2018/10/buletini-3-2018.pdf

ISHP: Mjekët e familjes, të painteresuar për vaksinimin

Në një kohë kur kërkohet sinergji midis të gjithë palëve të përfshirë në procesin e vaksinimit, duket se mjekët e familjes janë neglizhent ndaj rolit që kanë. Kështu, në rekomandimet lidhur me mënyrën e menaxhimit të rasteve dhe vaksinimit, profesionistët e Institutit ndër të tjera shprehen se:

“Mjeku i familjes sidomos në qyetet nuk është i interesuar për vaksinimin dhe e neglizhon këtë rol prandaj duhet të rritet e roli i mjekut të familjes nëpërmjet edukimit dhe udhëzimeve, trajnime mbi Fruthin, menaxhimin e rastit me Fruth dhe vetëizolimin, menaxhimin e kontakteve dhe vaksinimin”. Kjo pikë, pasohet me “Trajnim mbi vaksinimin të mjekut të familjes”.

2019

Pavarësisht masave institucionale të marra për çështjet e vaksinimit, duket se “lufta” me prindërit nuk është fituar ende. Edhe në janarin e 2019-s ka nisur raportimi i rasteve të dyshuara me fruth. Shefja e sëmundjeve infektive pranë Institutit të Shëndetit Publik, Dr. Silva Bino ka theksuar dhe një herë se “fëmijët duhet të fillojnë vaksinimin në moshën 9 muajshe, por shohim që kjo gjë nuk po zbatohet. Nuk po zbatohet nga mjekët e konsultoreve, por nuk po zbatohet sidomos nga prindërit, të cilët dëgjojnë lloj-lloj sharlatanësh dhe nuk i vaksinojnë fëmijët kundrejt fruthit, ose përpiqen ta shtyjnë vaksinën e fruthit me frikën e autizmit. Unë e përsëris edhe njëherë se, bazuar në fakte shkencore dhe në të gjitha eksperiencat e vendeve, vaksina ndaj fruthit nuk shkakton autizëm”, tha më tej Silva Bino.

Në mbështetje të përpjekjeve konkrete për ruajtjen në nivele të kënaqshme të mbulesës vaksinale në vend, dhe duke njohur rolin apo përgjegjësinë që edhe media ka në këtë drejtim, në përfundim të këtij artikulli, theksojmë edhe një herë atë që profesionistët thonë:

Prindër: Vaksinoni fëmijët, vaksina ndaj fruthit nuk shkakton autizëm

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here