Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, në bashkëpunim me mjekët elitë të shërbimeve në QSUT, prezantuan sot paketat e para të shërbimeve shëndetësore të hartuara nga Fondi – dializën dhe transplantin e veshkave. Në konferencë merrin pjesë ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, drejtori i Fondit, Astrit Beci, si dhe mjekë të shquar.
“Me hartimin e këtyre paketave, konkretizojmë qasjen e re të Institucionit tonë dhe të Qeverisë, për të financuar shërbimet shëndetësore në bazë të vlerës reale, në funksion të mirëmenaxhimit të fondeve dhe përdorimit të tyre me efikasitet për nevojat e pacientëve. Sipas kostove të përcaktuara drejt, ne do të mbulojmë rreth 900 pacientë, si në spitalet tona publike ku aktualisht mundësohet shërbimi i dializës (QSUT, Shkodër, Gjirokastër dhe Elbasan), ashtu edhe në shërbimin privat. Gjithashtu po shohim mundësinë e hapjes së qendrave të tjera, me qëllim ofrimin e shërbimit të hemodializës sa më afër pacientëve. Pas konsultimeve të gjera dhe një pune voluminoze, kemi përllogaritur kostot e drejtpërdrejta dhe ato indirekte, duke marrë parasysh analizat e nevojshme, koston e interventit, etj, dhe duke u bazuar edhe në Protokollet e Praktikës Klinike”, tha gjatë fjalës së tij, drejtori i Përgjithshëm i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, dr. Astrit Beci.
Këto paketa u hartuan mbi bazë të kritereve mjekësore, ekonomike dhe sociale. Që do të thotë se, në hartimin e këtyre paketave, u vlerësua shkalla e ofrimit të shërbimit në ndihmë të përmirësimit të cilësisë së jetës, të shmangies së përkeqësimit të mëtejshëm të shëndetit dhe të rritjes së jetëgjatësisë.
Dy paketat e shërbimit, dializa dhe transplanti i veshkave, dhe më pas paketat e tjera që janë në proces, do të kalojnë për miratim nga Këshilli i Ministrave dhe më pas do të ofrohet shërbimi bazuar në kontrata të mirëpërcaktuara, sipas standardeve klinike të miratuara për këto shërbime.
Gjatë fjalës së tij, ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj u shpreh se “për herë të parë ndodh që puna për hartimin e paketave të tilla të shërbimeve shëndetësore të realizohet në një kohë kaq të shkurtër dhe nëpërmjet përfshirjes së një ekipi profesionistësh, duke hedhur edhe një hap të mëtejshëm në drejtim të jetësimit të angazhimit tonë për të siguruar se askush nuk mos përballet me pengesa financiare, moshore, gjinore, gjeografike apo kulturore në marrjen e shërbimit të kujdesit shëndetësor. Ashtu siç jemi angazhuar, këto paketa të shërbimeve shëndetësore ofrojnë më tepër siguri, dhe shënojnë qartësisht progres, dhe inovacion për pacientët shqiptarë që vuajnë nga sëmundjet kronike të veshkave”.
Kryetari i grupit të punës së dializës, dr. Myftar Barbullushi, tha se “në kontratat mes Fondit dhe spitaleve do të konsiderohen standardet klinike dhe performanca e shërbimit do të matet duke u krahasuar me standardet e miratuara për këtë shërbim. Dhënia e shërbimit të hemodializës do të mbështetet në udhërrëfyesit më të mirë të praktikës klinike që sot përdoren në Bashkimin Evropian. Sa i takon qendrave ku do të kryhet dializa, ato do të raportojnë në mënyrë periodike dhe do të ketë kontrolle të vazhdueshme për mënyrën e dhënies së këtij shërbimi. Do të garantohet që pacientët ta marrin shërbimin 3 herë në javë, sipas praktikave më të mira botërore. Në kontrata do të përcaktohen elemente si mirëmbajtja e aparaturave, që lidhet drejtpërdrejt me cilësinë e shërbimit. Psh, spitalet që do të kontraktohen, do të duhet që pas 40 mijë orë pune të ndërrojnë aparaturat”.


