Bisedoi: Elena Beta
I lindur në një fshat të Tepelenës, me ambicie për të shkruar vargje e për të studiuar gazetari, kështu do të fillonte gjithçka për Petrit Rukën në vitet e vështira të komunizmit. Pasioni për të shkruar vargje e shoqëron edhe sot ndërsa gazetaria u zëvendësua me kinematografinë. Aspak i penduar për zgjedhjen e detyruar nga sistemi, Petriti i qëndron idesë se të studionte gjuhë – letërsi e më pas skenar e dramaturgji ishte gjëja më e mirë që mund t’i ndodhte.
Të gjithë e njohin si skenarist të filmave më të njohur shqiptarë, poet të vargjeve më të lexuara ndër vite, gjë që dëshmon se ai i ka dhuruar krijimtarisë shqiptare shumë nga vetja e për këtë e ka marrë atë që çdo artist do ta dëshironte: dashurinë e publikut!
Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Shëndet+”, Petriti rrëfen më shumë për veten e tij, si ka nisur gjithçka për të, si u transferua në Tiranë si pjesë e kinostudios “Shqipëria sot” dhe si vijoi jeta e tij mes kinematografisë dhe poezisë. Ç’mendon Petriti për poezite e këngëve të sotme? Të këto mund t’i lexoni në intervistën më poshtë…
Petrit, për të gjithë ata që duan të dinë më shumë për ju, si ka filluar gjithçka?
Unë kam lindur në një fshat të Tepelenës, fëmijëria ime është pak a shumë si e të gjithë brezave, me varfëri. Por fëmijët nuk e ndiejnë varfërinë, janë të lumtur në çdo rrethanë. Edhe në oborrin e burgut t’i çosh, ngatërrohen me lodra në botën e tyre me dritë dhe optimizëm.
Shkollën fillore e kam mbaruar atje në fshat, gjimnazin në Tepelenë dhe kam filluar të shkruaj herët që në 8-vjeçare. Kur mbarova gjimnazin, konkurrova për gazetari por nuk fitova, pasi atëherë, ashtu si sot, konkurset ishin të çuditshme. Gazetaria ishte një degë e lakmueshme, konkurruam 40 veta nga e gjithë Shqipëria dhe fituan 20 veta, të cilët ishin fëmijë zyrtarësh të lartë.
Unë vazhdova gjuhë-letërsi dhe u bëra mësues në vendlindje. Punova disa vjet fshatrave dhe më vonë pedagog në gjimnazin e Tepelenës, jo më shumë se 3-4 vjet. Pas kësaj pune kam bërë një specializim pasuniversitar pranë Kinostudios për skenarist dhe dramaturgji, e si për çudi një skenar me të cilin unë mbrojta diplomën, regjisori Pirro Milkani e pëlqeu dhe filloi ta xhirojë.
Kjo në fakt ishte diçka e rrallë për kohën, pasi për një student ishte e vështirë të depërtonte në botën e filmit. Bëhet fjalë për filmin “Eja”, i xhiruar në vitin 1986. Unw kisha botuar poezi në shtyp më herët në revistën “Zëri i Rinisë”, që në kohën kur isha student. Sigurisht, nuk ishte kaq e lehtë sa është sot, sepse kaloje nëpërmjet shumë kontrolle, kishte një pwrzgjedhje shumë të fortë, nuk mund të botoheshin 5 libra në një ditë ashtu si ndodh sot dhe krijohet një kaos aq i madh saqë njerëzit janë të lodhur, humbasin interesin dhe pothuajse nuk lexojnë më.
Atëherw libri ishte i shenjtë jo vetëm për arsyen se ishte pjesë e edukimit tonë, por edhe për arsyen se mungonin dritare të tjera, siç është interneti, televizioni. Ti ishe një djalë/vajzë e pëlqyer nëse ishe i/e lexuar, kjo shërbente në punë, në karrierë, sepse ky ishte kriteri i parë i vlerësimit: inteligjenca.
Ky arsim pasuniversitar shërbeu që unë të filloja punë në Kinostudio me këmbënguljen e Viktor Gjikës, i cili erdhi vetë deri në Tepelenë për të më marrë dhe që do të ndryshonte gjithë jetën time. Nga mësues në Tepelenë, u emërova redaktor dhe skenarist në Kinostudion “Shqipëria e re”.
Si ishte jeta në Tiranë?
Jeta në Tiranë ishte e vështirë. Ti do tw vije, nuk kishe shtëpi, duhet të prisje radhën për të marrë shtëpi. Zakonisht jetohej me qira në një dhomë brenda një apartamenti apo brenda një shtwpie private, por sigurisht u përshtata. Ishim në vitet ’80 ku ekonomia shqiptare po rrwzohej që pas ndarjes nga Kina, e cila e ndihmonte shumë ekonominë shqiptare.
Po kolegët si ju pritën?
Kinostudioja atëherë ishte një ndërmarrje gjigante me 700 – 800 punonjës. Atje më pritën mirë, kishte një ndjenjë solidariteti, punët ishin të ndara, rrogën na e jepte shteti. Unë fillova të shkruaj skenarë njëri pas tjetrit derisa Kinostudioja u çmontua në vitin ’97.
Si e keni përjetuar momentin e “çmontimit” të Kinostudios?
Sigurisht që më ka ardhur keq. E kam përjetuar me dhimbje, pasi ishte një investim 40- vjeçar, një pasuri kolosale që u shpërdorua. Ishte një fuqi e madhe artistike, kishte artistë nga e gjithë Shqipëria. Unë vija nga bota e poezisë, kisha botuar 2 libra shumë të suksesshëm, një në vitin 1978 dhe tjetrin në vitin 1983. Botova një libër që bëri emër të madh për kohën, i cili u shpall Libri më i mirë i vitit.
Ishte ky libër që më bëri të njohur edhe për të më kërkuar si specializant pranë Kinostudios. Kanë kaluar vite dhe janë bërë rreth 45 skenarë të cilët janë të ekranizuar, më shumë se 45 dokumentarë.
Në vitet 1993- 1994 unë fillova të xhiroj si regjisor. Ishte shumë e vështirë që të të besonin film dhe që atëherë kam bërë më shumë se 23 regji, duke u bërë një nga kineastët e gjeneratës të tretë, le të themi. Të punoje në Kinostudio ishte gëzim, pasi ishte një institucion i përkëdhelur, i privilegjuar, me rroga të mira dhe ne trajtoheshim vërtet si krijues, ndryshe nga sot.
Kinemaja atëherw ishte shumë e frekuentuar dhe ai film që dilte, shikohej nga e gjithë popullsia. Atëherë ka pasur 470 kinema, sot ka vetëm 7 ose 8. Edhe në fshatra si Dukagjini apo Kurveleshi kishte kinema ambulante dhe filmi depërtonte në të gjithë kapilarët e shoqërisë.
Me poezinë çfarë u bë? Vazhduan botimet e tua?
Krahas kinemasë, unë kam botuar gjithmonë poezi. Jam i vlerësuar, kam marrë disa herë çmime kombëtare dhe kështu ka kaluar jeta ime midis poezisë dhe kinemasë. Kinemaja ishte buka e përditshme, ndërsa poezia ishte një pasion të cilit nuk iu ndava kurrë.
Pas viteve ’97 kur kinematografia kaloi në mënyrë të pavarur, unë kam vazhduar të xhiroj. Nga viti 2000 – 2005 kam qenë kryetar i Qendrës Kombëtare Kinematografike Shqiptare, që është një institucion i vogël i cili menaxhon ato pak para që jepen për filmin nëpërmjet projekteve.
Filmi ka rënë në mënyrë drastike. Përsa i përket numrit të filmave, ne prodhojmë 2 filma në vit dhe 3 – 4 dokumentarë. Prodhimi nga pikëpamja sasiore është pakësuar me 10 – 15 herë. por sigurisht që ka fituar nga pikwpamja e lirisë së trajtimit të temave.
Por për fat të keq nuk vihet re ai sukses, pasi kinemaja tani është si një prodhim artificial, në inkubator, shihet pak ose aspak kjo për faktin se ka dhe konkurrencë nga kinematografitë botërore.
Pse zgjodhët gjuhë – letërsinë dhe jo një degë tjetër?
Gazetaria në fakt ishte pasioni im dhe gazeta në atë kohë konsumohej shumë. Ata gazetarë që qarkullonin. ishin të njohur dhe në syrin e një adoleshenti kjo tingëllonte si diçka e madhe. U trishtova shumë që nuk e fitova gazetarinë, por kur je i ri, trishtimet zgjasin pak. Ndoshta ishte më mirë të vazhdoja degën gjuhë – letërsi. Çdo gjë atëherë ishte e kufizuar në gazetari, do tw pasqyroje veprimtaritë njerëzore në Tiranë, kaq.
Lidhur me fakultetin e filologjikut ku dhe ju keni mbaruar studimet, sa qëndron etiketimi i tij si “Filo-qyli”?
(Qesh) Atëherë eksistonte një humor midis fakulteteve, sepse humori aq lejohej. Kjo ndodhte sepse krahasuar me inxhinierinë apo fizikën, e konsideronin një gjë shumë të thjeshtë, sipas tyre ne mësonim “llafe”. Të them të drejtën nuk ka qenë aspak kështu, çdo gjë ishte e vështirë dhe serioze, kishte volum të jashtëzakonshëm dhe lëndë të vështira si gramatika historike apo morfologjia.
Studentët mësonin shumë dhe pwr ta qoftë edhe e një 5-sw ishte e vështirë, pasi duhet të kishe asimiluar 70% të lëndës. Edhe studenti më i dobët ishte një mësues shumë i denjë. Mbaronin qindra mësues në vit, të cilët punonin në fshatra të thella nga jugu në veri, duke u ushqyer me bukë misri apo duke ndenjur në dimër pa ngrohje.
Kjo sakrificë e mësuesve i dha frytet pas viteve ’90, kur emigrantët tanë i mahnisnin qytetarët e Greqisë me njohuritë e tyre të jashtëzakonshme lidhur me historinë e vendit të tyre. Një ish-nxënësi im tregon se e mbanin me kafe gjithw fshati në Greqi vetëm për të dëgjuar nga ai historinë e Termopileve, Leonidhës, të cilat fshatarët grekë nuk i dinin edhe pse kishin mbaruar shkollën.
Mbase shkolla jonë ishte e ngarkuar, por një gjimnazist dilte me njohuri të forta në të gjitha fushat e jetës.
Poezia apo proza?
Sigurisht poezia. Poezia është kurora e të gjitha arteve njerëzore. Shpesh kur shohim një teatër, një film, themi ishte plot poezi. Poezia është matrica e cila mat fuqinë artistike. Sigurisht është një gjë e vështirë, mbush jetën e njeriut, nuk fiton gjë me të, por e bën jetën më të bukur. Është një mënyrë për t’u çliruar, për të ndarë vetveten me të tjerët.
Poezia të bën të ndjehesh i përkëdhelur kur atë e pëlqejnë. Pra, ti jep dashuri dhe merr dashuri njwkohësisht. Sot është më e vështirë ta marrësh këtë përkëdhelje, atëherë ishte mw e lehtë ngaqë lexohej shumë. Atëherw botoheshin më pak libra, 5 – 6, ndërsa sot botohen shumë dhe ti nuk e ke kohën t’i lexosh të gjitha veprat që botohen dhe të seleksionosh më të mirën.
Ç’ mendim keni për poezitë e këngëve sot?
Unë them që tekstet sot janë në ditë të hallit, është për të qarë me 40 palë lot kur dëgjon tekstet e sotme pa mesazhe, ndërkohë që shpirti i një kënge qëndron gjithmonë tek teksti.
Është shumë e vështirë të dëgjosh një tekst të bukur që të mbahet mend. Gjendja e teksteve sot është e mjerueshme, ashtu siç është dhe vetë muzika.
Në emër të lirisë po bëhet një abuzim shumë i madh. Gjithkush shkruan këngë, një kaos i madh. Mendoj që shumë prej këngëve të sotme do tw varrosen me harresën, do tw mbeten shumë pak. Koha është një sitë e pamëshirshme, mban lart vetëm vlerat, jeta do të bwjë seleksionimin e vet.
Në mënyrë poetike, si do ta shprehnit mendimin tuaj për shëndetësinë në Shqipëri?
Njërzit hanë më mirë, por nuk ushqehen më mirë, sepse jo gjithmonë sasia është cilësi. Problem sot është shëndeti mendor i njerzve, jo shëndeti biologjik. Vetë dinamika e jetës ka stres shumë të madh, njerëzit janë shumë të stresuar përballë një jetë që është shumë galopante, e pasigurt për nesër.
Nëse bën 100 m rrugë, mund ta dallosh shëndetin e keq të njerzve duke parë njerëz të ngrysur nëpër trotuare. Shikon grupe të rinjsh që nuk qeshin, është bërë shumë e rrallë e qeshura.
Siç thotë dhe Hipokrati, e qeshura vlen sa një qerre me ilaçe. Ky është ilaçi më i mirë i gjithë mjekësisë botërore, e qeshura. Pasiguria i sjell të gjitha këto.
Dikur hahej pak, por nuk gjeje në farmaci ilaçe kundër depresionit. Sot konsumohen tonelata të tëra me ilaçe gjumi. Sigurisht sot njerëzit janë më të informuar lidhur me shëndetin, sepse informacioni është shumë më i madh, nuk është vetëm në duart e mjekut. Ndërsa nga pikwpamja e shtrirjes së rrjetit të mjekësisë, sot mjekësia është në gjendje të mjerueshme pësa i përket pranisë së saj në çdo fshat si dikur. Më përpara nuk kishte cilësinë e duhur, por ishte e shtrirë kudo, profilaksia ishte shumë e theksuar.
Vepra si “Pallati 176”, “Shi në plazh” të bëjnë ende për të qeshur si nw ditwn e parë që kanë dalë në skenë. Cila nga veprat e ditëve të sotme ju bën të qeshni në të njëjtën mënyrë?
Humori ka pësuar një goditje fatale, është bërë humor i konsumit të përditshwm. Është i sajuar, pa mesazhet e duhura, pa gjetje artistike, njerëzit që merren me humor, janë gjithmonë e më të paktë, sidomos shkrimtarët e specializuar, si Pëllumb Kulla.
Sot humori është një prodhim çasti që lind dhe vdes po atje, nuk ka fuqi artistike. Ka më shumë humor, por cilësia e tij është shumë e dobwt. Humori është një gjini shumë e vështirë, njerëzit që merren me humor janë të paktë, kryeveprat e humorit janë të rralla, ndryshe nga gjinitë e tjera si romanet.
Ka ende pena të fuqishme që merren me humor, por janë gjithmonë e më të pakët njerëzit që merren me humor të mirëfilltë. Akoma dhe sot përdoren shprehje të estradës së Fierit apo të veprave të atëhershme. Doni më për Belulin? Apo batuta të tjera të kaluara brez pas brezi. Sot është shumë e vështirë të gjesh shprehje qw të bëhen popullore.
Ç’ mund të thoni për fëmijët tuaj? Kanë ndjekur ata rrugën e babait të tyre?
Unë kam dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë. Vajza ka ndjekur rrugën time, është aktore, ka mbaruar për regji teatri dhe ka luajtur në disa drama, në teatrin popullor, në teatrin Metropol, në teatrin e kukullave Nigela Ruka.
Ndërsa djali ka mbaruar juridik. Rruga e artit tani është shumë e vështirë, fondet janë më të vogla, teatrot janë në gjendje të vështirë, punojnë me trupa të vogla dhe bëjnë një jetë të vakët.
Një mesazh për poetët e rinj…
Të lexojnë shumë. Futja në këtë fushë kaq të vështirë kërkon talent dhe shumë punë. Mos të botojnë shumë shpesh, procesi i përpunimit duhet të jetë i gjatë./ Shendeti.com.al





