Denisa Canameti, gazeta “Shëndet+”
“Djali i pedagogut të ekonomikut në gjendje shumë të rëndë, kolegët apel për ndihmë”
“Apel për djalin e profesorit të njohur Fatmir Mema”
“Profesori i Ekonomikut në mëshirë të fatit, apel për ndihmë për djalin e sëmurë”
Këto janë titujt që po qarkullojnë prej thuajse 20 orësh në të gjitha mediat online në vendin tonë. Një apel ndihme për djalin e një profesori të Fakultetit të Ekonomisë. E kontaktuar nga gazeta “Shëndet+”, shefja e shërbimit të pavionit të onkohematologjisë në Pediatrinë e Tiranës, Anila Godo, sqaron:
“Aleksi është i biri i profesorit të Fakultetit të Ekonomisë. U diagnostikua me leucemi para një jave këtu në pavionin tonë. I ati bëri çdo përpjekje për ta nisur jashtë dhe pas një ore ai niset për në Itali”. Tani që shkruajmë, Aleksi është rrugës për në Itali.
Tituj të tillë mobilizimi të shoqërisë për djalin e një profesori janë vërtet shembullore. Por ky mobilizim ngre një tjetër pyetje: Po 150 pacientët e tjerë me leucemi që s’janë djem pedagogësh kush do t’i ndihmojë?
Specialistët e fushës janë shprehur se “leucemia kronike është akoma një sëmundje e rrallë, pra nuk flitet për një epidemi, por në vitet në vazhdim çdonjëri nga ne do të njohë të paktën një person që do të ketë këtë sëmundje”. Realiteti tregon se në vendin tonë të jesh me kancer, nënkupton dhimbje dhe skamje. Të gjithë ata që kanë një të afërm me këtë sëmundje përfundojnë të rrënuar ekonomikisht, përveç lodhjes psikologjike dhe stresit për të afërmit e sëmurë. Shumë përfundojnë të dëshpëruar. Kjo për faktin se në vendin tonë është shumë e vështirë t’i trajtosh sëmundje të tilla. Gazeta “Shëndet+” e ka trajtuar shpesh problemin e të sëmurëve me kancer, të cilët dergjen të pashpresë.
Rasti i djalit të profesorit ngriti në këmbë shtetin dhe të gjitha mediat dhe “brenda një jave” ai dërgohet në Itali. Po fëmijët që nuk i kanë prindërit profesorë, kush do t’i ndihmojë?!/ shendeti.com.al


