Kryefaqja Aktualitet Po humbin apo po fitojnë shqiptarët nga check-up?!

Po humbin apo po fitojnë shqiptarët nga check-up?!

0
Shpërndaje

Denisa Canameti

Që nga viti 2016, të gjithë shtetasit e grupmoshës 35­-70 vjeç, me qëndrim të përhershëm në Republikën eShqipërisë, përfitojnë pa pagesë nga programi kombëtar i kontrollit mjekësor bazë ose sic njihet ndryshe check-up.

Identifikimi i shtetasve të grupmoshës 35­-70 vjeç me qëndrim të përhershëm në Republikën e Shqipërisë realizohet nga të dhënat e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të regjistrit elektronik, që administrohet nga mjekët e përgjithshëm të qendrave shëndetësore. Të kontaktuar nga gazeta “Shëndet plus”, qytetarët kanë qëndrime të ndryshme sa i takon mënyrës së funksionimit të kësaj pakete në Qendrat Shëndetësore ku marrin shërbim. Ndërkohë, mjekët shprehin pretendimet se zbatojnë procedurat, ndërsa drejtuesit e QSH raportojnë shifra të kënaqshme të numrit të qytetarëve që afrohen për të bërë check-up.

Sipas Fondit të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor,bazuar në të dhëna që vijnë nga përvoja botërore, rezulton se, me Programin e Kontrollit Bazë Pa Pagesë, 40-65 vjeç, do të arrihet të kursehen kosto për shpenzime shëndetësore rreth 125 milionë dollarë në 10 vjet, si dhe do të parandalohen 450 vdekje të parakohshme.

Megjithatë auditimi i kryer nga KLSH për këtë paketë ka nxjerrë një humbje prej 50 milionë lekësh vetëm në një vit, cka e ul mundësinë e arritjes së përfitimit të 125 milion dollarëve në 10 vjet sipas kontratës.

Disa qytetarë: QSH nuk na ka njoftuar për check-up

Afërdita T. është qytetare në një nga zonat periferike të kryeqytetit. Ajo tregon se ka ardhur vetë pranë Qendrës Shëndetësore për të kërkuar shërbimin e check-up-it, pasi mjekja e familjes nuk e ka njoftuar. “Shkova vetë, sepse e kisha dëgjuar në televizor. Nuk na lajmëroi njeri”.

Ndërkohë, ndryshe e tregon situatën Shpresa, një zonjë rreth të 50-ave, e cila po pret në derën e kardiologes në Poliklinikën e Specialiteteve numër 3 në Tiranë.

“Kam bërë check –up dhe më thanë që duhet të vij te kardiologia. Më tha mjekja e familjes që më kanë dalë yndyrnat e larta. Ndërsa vlerat e tjera i kam në rregull”.

E pyetur nëse ishte njoftuar për të kryer check-up, ajo shprehet se : “Po, mjekja e familjes më ka telefonuar dhe njoftuar që duhet të bëj check-up”.

Të pyetura për besueshmërinë e rezultateve të këtyre analizave, Afërdita thotë se : “Mjekja tha që më kanë dalë të gjitha në rregull. Nuk e besoj.”Mjekët e pyetur për ata qytetarë që nuk besojnë te rezultatet e check-up , shprehen se kryesisht zgjedhin t’i përsërisin analizat.

Bukuria është 58 vjeç nga Lushnja. “Nuk më kanë njoftuar që duhet të bëj checkup. Kam shkuar vetë te Qendra Shëndetësore dhe kam lënë datën”.

Mjekët e familjes pretendojnë nga ana e tyre se e bëjnë punën për njoftimin e pacientëve si dhe gjatëinterpretimit të rezultateve bëjnë këshillim sipas rastit.

QSH: Qytetarët njoftohen, kemi raste të reja

Elisabeta Musta, mjeke familje në Qendrën Shëndetësore Kamëz,e kontaktuar nga gazeta “Shëndet plus”, thotë se ka afërsisht 20 qytetarë në muaj që bëjnë check-up.

“Në shumicën e rasteve pacientët kanë informacion për check-up-in, se ka 3 vjet që kryhet. Kemi pacientë që e përsërisin çdo vit. Ashtu siç ka dhe pacientë që e kryejnë rishtas. Mjeku nxjerr nga regjistri elektronik i banorëve pacientët që përfshihen në këtë grupmoshë. Së dyti, është mjeku që rekomandon pacientit kryerjen e check-up-it sipas një kalendari të caktuar apo kur ai e shikon të nevojshme. Së treti, mjeku interpreton rezultatet e check-up-it, jep këshilla për sjelljet me risk që mund të dëmtojnë shëndetin e pacientit, jep mjekimin për patologjinë që ka ose i referon te specialisti” shprehet doktoresha.

Lidhur me numrin e rasteve që paraqiten te mjeku specialist pas marrjes së rezultateve të analizës së check-up-it, Manjola Liko, mjeke kardiologe pranë Poliklinikës së Specialiteteve numër 3 në Tiranë, shprehet se “kemi 1-2 raste të reja në ditë. Kryesisht janë probleme me yndyrnat në gjak dhe çrregullime të EKG-së”.

Bruna Shiroka, Drejtore e Qendrës Shëndetësore numër 3, Tiranë, shprehet se për një vit janë diagnostikuar 996 raste të reja (pra, pacientë të diagnostikuar për herë të parë).

“Zbulojmë çdo ditë problematika shëndetësore . Çdo muaj dalin elemente të reja të statistikave me diagnoza të reja, me diagnoza të cilat përfitojnë rimbursim dhe diagnoza të cilat kanë vetëm këshillim. Ne kapim sëmundjen në stadin e parë dhe  ta kapësh një pacient në stadin kur nuk ndjen asgjë, është më e mira e mundshme. Nga kontrolli mjekësor bazë, check-upi i vitit të kaluar, kemi patur 996 raste të reja(pacientë të diagnostikuar për herë të parë), që kanë përfituar mjekim. Gjatë një viti kalendarik, të kapësh gati 1000 raste të reja është shumë. Por, ka shumë subjekte refuzuese, disa mendojnë se po na merr gjak, disa mendojnë se po hapim një bankë gjaku dhe me këto paragjykime luftojmë çdo ditë”, thotë doktoresha.

Por, çfarë thonë shifrat dhe të dhënat e marra nga institucionet lidhur me besueshmërinë e qytetarëve dhe funksionimin e paketës check-up?

Bie me 4% numri i rasteve që kanë kryer check-up

Me vendim të Këshillit të Ministrave (Vendimi Nr. 185, datë 2.4.2014, “Për përcaktimin e mënyrës së realizmit të kontrollit mjekësor bazë për shtetasit e moshës 35-70 vjeç”; Ndryshuar me VKM nr.721, datë 12.10.2016);  është zgjeruar fasha e grupmoshës që kryejnë check-up falas  në sistemin shëndetësor publik. Përveç zgjerimit të grupmoshës, në paketën e analizave janë shtuar edhe dy  të tjera, si urea dhe kreatinina, të cilat zbulojnë problemet me veshkat.

 

Lidhur me numrin e qytetarëve që kanë kryer check-up për vitet 2016-2017-2018 , gazeta “Shëndet plus”, i është drejtuar me një shkresë zyrtare Fondit të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor.

Në përgjigje të shkresës NR.84 Prot., datë 07.06.2018, me lëndë “Kërkesë për informacion lidhur me numrin e shtetasve që kanë kryer kontrollin check-up për vitin 2016, për vitin 2017, si dhe për periudhën Janar-Maj 2018, ju informojmë:

Viti Nr. i qytetarëve
2016 329,555
2017 316,601
 Janar –Maj 2018 189,699

 

Referuar këtyre shifrave, nëse në vitin 2016, numri i qytetarëve që kanë kryer check-up është329,555,ndërsa në vitin 2017 ky numër është316,601,atëherëvihet re se numri i rasteve që kanë kryer check-up ka ardhur në ulje me 4% (12,954 pacientë më pak). E nëse kujtojmë dhe një herë se grupmosha që ka kryer check-up deri në tetor të 2016-s ka qenë 40-65 vjeç, ndërsa në vitin 2017 kjo grupmoshëështë zgjeruar në35-70 vjeç, numri do të ishte akoma më i ulët. Pra, kërkesa për këtë shërbim ka ardhur gjithnjëe në ulje, çka do të thotë ose sepaketa check-up ose nuk është menaxhuar si duhet, ose besueshmëria qytetare ka ardhur duke u ulur.

Por, si ka ndikuar kjo performancë në terma financiarë?

KLSH: Check-up, për 8 muaj 50.13 milionë lekë dëm ekonomik

Kontrata koncensionare e check-up-it parashikon pagesën e koncensionarit për realizimin e të paktën 475 mijë kontrolleve në vit. Fondi është i detyruar të paguajë koncensionarin për këtë numër kontrollesh, pavarësisht numrit të ulët të popullatës që paraqitet për të realizuar kontrollin bazë.

Në raportin përfundimtar të Auditimit “Për përputhshmërinë dhe rregullshmërinë financiare e aktivitetit”, të ushtruar në Fondin e e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit shëndetësor, sipas programit të auditimit nr. 264/1, datë 21.03.2017, për veprimtarinë nga data 01.01.2016 deri më datën 31.12.2016, thuhet se:

“Me gjithë zgjerimin e fashës së popullatës lidhur me përfitimin e këtij shërbimi, konstatohet se, edhe për vitin 2016 nuk është siguruar numri prej 39,583 kontrolle të parashikuara në muaj, pasi gjatë kësaj periudhe janë realizuar mesatarisht 27,500 kontrolle, kjo ka sjellë që pagesa prej 268,251,380 lekë me TVSH, për 145,440 raste të parealizuara, të jetë një mos eficencë buxhetore”.

Fondi është audituar për periudhën e plotë 12-mujore janar-dhjetor 2016. Shkeljet e evidentuara, të shoqëruara me dëm ekonomik, janë disa. Sipas KLSH-së, kanë sjellë dëm ekonomik veprimet si më poshtë: a. mosllogaritje e saktë e shërbimeve të pakryera gjatë tetë muajve të vitit 2015 në zbatim të kontratës së koncesionit CHECK UP. Kjo shkelje përllogaritet në vlerën 50.13 milion lekë

Në raportin vjetor të KLSH-së për vitin 2017 thuhet se Fondi i Sigurimit Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, në drejtim të administrimit të Kontratës Koncensionare të “Check Up” ka angazhuar fonde publike në përdorim pa efektivitet. Koncensionari ka përfituar padrejtësisht 58,176 mijë lekë për 145,440 check-up të pakryera në formën e shpenzimeve variable të llogaritura në shumën 400 lekë për njësi.

Për paketën e kontrollit mjekësor (Check-up) mbi çmimin për njësi, është paguar në favor të koncensionarit edhe TVSH-ja në masën 20% në shumën 232 milion lekë, pavarësisht se sipas legjislacionit tatimor shërbimet shëndetësore janë shërbime të përjashtuara nga TVSH-ja.

KLSH rekomandon që FSKDSH t’i drejtohet zyrtarisht Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, si organ kompetent për zbatimin dhe administrimin e detyrimeve tatimore për trajtimin e furnizimit të paketës shëndetësore të (check-up) dhe mënyrës së faturimit të saj.

*Të dhënat për auditimin mbi Fondin janë marrë nga ‘Buletini i katërt Statistikor i vitit 2016’ kryer nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Fondi i Sigurimit Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, në drejtim të administrimit të Kontratës Koncensionare të “Check Up” ka angazhuar fonde publike në përdorim pa efektivitet.

Koncensionari ka përfituar padrejtësisht 58,176 mijë lekë për 145,440 check-up të pakryera në formën e shpenzimeve variable të llogaritura në shumën 400 lekë për njësi.

Për paketën e kontrollit mjekësor (Check-up) mbi çmimin për njësi, është paguar në favor të koncensionarit edhe TVSH-ja në masën 20% në shumën 232 milion lekë, pavarësisht se sipas legjislacionit tatimor shërbimet shëndetësore janë shërbime të përjashtuara nga TVSH-ja.

FSKDSH t’i drejtohet zyrtarisht Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, si organ kompetent për zbatimin dhe administrimin e detyrimeve tatimore për trajtimin e furnizimit të paketës shëndetësore të (check-up) dhe mënyrës së faturimit të saj.

2018: Trend në rritje, por sërish me humbje

Duke iu rikthyer edhe një herë shifrave të raportuara nga Fondi i Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor për gazetën “Shëndet plus” nëvitin 2017, ku numri mesatar mujor është 26, 383 raste, në 2018-n kemi rritje, praktikisht 37, 939 raste në muaj.  Pavarësisht kësaj, sërish nuk është siguruar numri prej 39,583 kontrolle të parashikuara në muaj. Kjo gjë vazhdon tësjellë fitime të shumta për kontraktorin e check-up dhe detyrimisht humbje të fondeve publike, të cilat mund të ishin përdorur në sektorë të tjerë të shëndetësisë që kanë më shumë nevojë.

Masa shtrënguese për check-up?

Bruna Shiroka, e pyetur nëse Qendrat Shëndetësore kanë ndonjë detyrim për statistikë, pra sa është numri i check-up-eve që duhet të bëjnë çdo muaj, shprehet se “kemi një targetmujor të përcaktuar, që me thënë të drejtën nuk e kemi pasur të vështirë që të arrihet”.

Kujtojmë se në seancën parlamentare  të datës 22 shkurt 2018, deputetja socialiste Klodiana Spahiu i kërkoi ministres Ogerta Manastirliu që ky kontroll të bëhej i detyrueshëm për të gjithë të punësuarit jo vetëm në administratën publike, por dhe në ato të sektorit privat. Klodiana Spahiu: “Duhet që Check Up të jetë i detyrueshëm për të gjithë punonjësit e administratës publike dhe për të punësuarit në sektorin privat”. Një propozim i tillë është mirëpritur nga ministrja e Shëndetësisë. Ndërkohë qënë tetor të vitit të shkuar qarkulloi në medianjë mesazh nga deputetë të opozitës, ku shkruhej: “Me urdhër nga lart! Të plotësohet numri i personave për Check-Up”. Ky është mesazhi që pretendohet se u ka shkuar në celular mjekëve dhe infermiereve të qendrave shëndetësore nga drejtorët e tyre.  Por, nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nuk është zyrtarizuar asnjë urdhër që krijon masa shtrënguese për kryerjen e check-up-it

Ekspertët: Check-up, humbje e madhe parash

Joao Costaështë ekspert i shëndetit publik dhe ekonomist i shëndetësisë me doktoraturë në Shkollën e Higjenës dhe Mjekësisë Tropikale në Londër. Costa ka jetuar dhe punuar kohët e fundit në Shqipëri për 2 vite e gjysmë si menaxher i një projekti shëndetësor. Para se të largohej nga Shqipëria, ai ka një lënë një mesazh të rëndësishëm për sistemin shëndetësor, përfshirë paketën check-up. Joao Costa e ka konsideruar check-up-in një humbje të madhe parash, si dhe ka listuar  11 pika, të cilat japin mjaftueshëm arsye pse ky program duhet të marrë fund. Midis të tjerash, ai thotë se: “Mënyra se si kontraktori paguhet në koncesion është gjithashtu e papranueshme. Kontraktuesi nuk duhet të paguhet për shërbime që nuk ofron. Ky i fundit duhet të paguhet në bazë të numrit të pritshëm të pacientëve që mendohet të kenë nevojë për kontroll, megjithatë, pavarësisht këtij supozimi, ai paguhet shumë më shumë se për shërbimet që ofron. Ky është padyshim një biznes shumë i keq për fondet publike.

“Nëse përdorimi i kontrollit arrin vetëm 25% deri në 30% të popullatës së synuar, siç duket, atëherë kjo dëshmon se programi nuk është i nevojshëm dhe nuk sjell përfitime të mjaftueshme për të justifikuar vazhdimësinë e tij. Njerëzit nuk kanë nevojë për të. Dhe është e drejtë të thuhet se individët që janë më të rinj se 50 vjeç nuk kanë nevojë për kontroll mjekësor, vetëm nëse kanë simptoma ose faktorë rreziku (obeziteti për shembull). Shkurtimisht, ky nuk është një program që mund të justifikohet bazuar në nevojat e njerëzve dhe shfrytëzimit të tij nga njerëzit.

“Ky suplement mbështetet financiarisht nga projekti: “Transparenca në sistemin shëndetësor”, që mundësohet nga mbështetja e Popullit Amerikan nëpërmjet Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e këtij materiali është përgjegjësi vetëm e “Together for Life” dhe nuk reflekton detyrimisht pikëpamjet e USAID apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara”.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here