Prezantohet aplikacioni “Avokati i Popullit” për rritjen e ankesave të qytetarëve

Institucioni i Avokatit të Popullit paraqiti sot për publikun aplikacionin për telefonat inteligjentë me të njëjtin emër. Aplikacioni “Avokati i Popullit” ka për qëllim të ofrojë një platformë shtesë për marrjen e ankesave nga qytetarët lidhur me shkeljen e të drejtave të njeriut dhe raportimin e korrupsionit.

Aplikacioni do të jetë vecanërisht i dobishëm për qytetarët që jetojnë jashtë Tiranës dhe ata që nuk zotërojnë një kompjuter. Këta qytetarë e qytetare do të kenë mundësi të dërgojnë ankesa lehtësisht nëpërmjet telefonit të tyre celular dhe të ndjekin ecurinë e ankesës së tyre. Aplikacioni u bë I mundur falë mbështetjes së Agjensisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillim Ndërkombëtar USAID nëpërmjet projektit “Transparenca në Sistemin shëndetësor” nisur në vitin 2017.

“Institucioni i Avokatit të Popullit mbetet i angazhuar për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve nga veprimet dhe mosveprimet e administratës publike,” tha zj Erinda Ballanca, Avokate e Popullit në ceremoninë e organizuar me këtë rast në zyrat qendrore në Tiranë në prani të përfaqësuesve të institucioneve të pavaruara mbikëqyrëse, organizatave të shoqërisë civile dhe medias.

“Ky aplikacion është një shenjë tjetër e vullnetit tonë për të forcuar institucionin duke përmirësuar vazhdimisht procesin e brendshëm të trajtimit të ankesave në mënyrë që qytetarët të marrin përgjigje profesionale dhe në kohë. ”

Aplikacioni “Avokati i Popullit” është një mjet i thjeshtë dhe i shpejtë për qytetarët për të dërguar ankesa rreth shkeljeve të të drejtave të tyre, cilësisë së shërbimeve qeveritare që ata marrin dhe abuzimet e politikave dhe burime publike ku ata janë dëshmitarë.

Në emër të USAID Shqipëri, Z. Dennis Wesner, Oficer i përgjithshëm i Zhvillimit nënvizoi rolin që institucionet mbikëqyrëse kanë në luftën ndaj korrupsionit.

“Institucionet e pavaruara dhe funksionale janë kushti i parë për suksesin e luftës ndaj korrupsionit pasi ato kanë të njëjtat qëllime për përmirësimin e transparencës, forcimin e parimeve të qeverisjes së mirë dhe mbrojtjen e burimeve publike nga shpërdorimi. Ne besojmë që ky aplikacion do të jetë një mjet i rëndësishëm për të nxjerrë në pah punën e rëndësishme të Avokatit të Popullit, një institucion që e kemi mbështetur përgjatë gjithë vitit nëpërmjet projektit Transparenca në Sistemin Shëndetësor.”

Institucioni i Avokatit të Popullit do të organizojë një fushatë informimi rreth aplikacionit në të gjithë vendin në muajt në vazhdim për të rritur ndërgegjësimin e qytetarëve për përdorimin e tij në dërgimin e ankesave.

Postime të ngjashme

Shqipëria vijon të shuhet, lindjet ranë me 10.5% në T3, shtesë pozitive vetëm Tirana e Durrësi
Shtatë fëmijë të Kopshtit nr. 10 në Vlorë përfundojnë në spital, dyshohet për helmim nga ushqimi
Produktet e pasigurta në treg, alarmi vjen nga Belgjika; kontrollet në Shqipëri ranë me 33% në 2025
Buxheti 2027/ Spahiu: 117.8 miliardë lekë për shëndetësinë dhe mirëqenien sociale
Përtej vitaminës D: Si ndikon drita e diellit në metabolizëm dhe sheqerin në gjak
Pudinga me copëza xhami në treg, AKU: Mos e konsumoni
Medikamentet GLP-1 RA: Çfarë duhet të presin personat me obezitet nga trajtimi me këto barna?
QSUT prej muajsh pa aparaturën e Litotripsisë, pacientët me gurë në veshka pa shërbim