Prezantohet studimi mbi korrupsionin në shëndetësi

Foto_tryeza e rrumbullaket_2

Qendra Kombëtare Për Shërbime Komunitare (QKShK) organizoi të premten një tavolinë të rrumbullakët me përfaqësues të institucioneve qendrore, të kujdesit shëndetësor, të Urdhrit të Mjekëve, Urdhrit të Infermierëve, Urdhrit të Farmacistëve, të shoqërisë civile dhe të medias, për të prezantuar gjetjet e studimit “Shërbimet shëndetësore-një studim pilot mbi perceptimin publik”, i cili është bazuar mbi një anketim  me 500 pacientë dhe/ose të afërmit e tyre, të kryer në 8 qendra shëndetësore dhe 5 spitale publike në Tiranë, gjatë periudhës nëntor 2015-shkurt 2016. Anketimi fokusohet mbi korrupsionin në marrëdhënien mjek-pacient.

Ishin prezent në takim drejtoresha e QKShK-së, Znj. Liliana Dango; kryetarja e Komisionit Parlamentar të Shëndetësisë, Znj. Albana Vokshi; presidenti i Urdhrit të Mjekëve, Z. Fatmir Brahimaj; presidenti i Urdhrit të Infermierëve, Z. Sabri Skënderaj, presidentja e Urdhrit të Farmacistëve, Diana Toma; 2 hartuesit e studimit, Av. Rita Strakosha dhe Phd. Gazmend Koduzi etj.

Në takim kryetarja e Komisionit Parlamentar të Shëndetësisë, Znj. Albana Vokshi, mirëpriti studimin dhe ftoi QKShK-në të prezantojë rekomandimet në një dëgjesë publike me komisionin parlamentar. Ajo përmendi problematikën në sistemin shëndetësor si buxhetin e pakët të alokuar për shëndetësinë, korrupsionin me tenderat, mos-funksionimin e pajisjeve në Shërbimin Onkollogjik, largimin e mjekëve nga Shqipëria etj.

Nga anketimi rezulton se 25% e pacientëve në spitalet publike dhe 8% e pacientëve në qendrat shëndetësore kanë ofruar ryshfet për stafin mjekësor pa jua kërkuar ky. Kurse 3% e pacientëve janë përballur me kërkesën e stafit mjekësor për ryshfet. Studimi ka dalë me rekomandime konkrete për politikën, kundër korrupsionit në sektorin e shëndetësisë, bazuar dhe në krahasimin me vendet e tjera.

Studimi rekomandon ndryshime në Kodin e Proҫedurës Penale për pranimin e xhirimeve të fshehta të qytetarëve si prova, ndryshimin e nenit të simulimit si teknikë hetimore, rritjen e transparencës së Urdhrit të Mjekëve dhe të spitaleve, rritjen e pagës së stafit mjekësor, funksionimin e pavarur të spitaleve etj. Presidentët e Urdhrave kundërshtuan rekomandimin e studimit për të përfshirë urdhrat nën kompetencat e auditimit të plotë të Kontrollit të Lartë të Shtetit, duke qenë se ata janë institucione autonome.

Sipas Kryetarit të Urdhrit të Mjekëve, Z. Fatmir Brahimaj, korrupsioni është pjellë e sistemit, dhe funksioni kryesor i Urdhrit nuk është policimi i mjekëve.

Sipas ish-kryetarit të Urdhrit të Mjekëve, Z. Dine Abazaj, përgjegjësia kryesore në luftën kundër korrupsionit në shërbimet shëndetësore është e qeverisjes qendrore dhe spitaleve/qendrave shëndetësore dhe jo e Urdhrit të Mjekëve. Një fenomen i fundit, ku drejtuesit e institucioneve shëndetësore nuk janë të profesionit, është shqetësues sepse këta drejtues nuk mund të kuptojnë profesionalizmin ose mungesën e tij tek stafi mjekësor.

Urdhrat mirëpritën rekomandimin për rritjen e pagës së stafit mjekësor.

Studimi është realizuar në kuadër të projektit “Mbrojtja e të drejtave të pacientëve duke inkurajuar kulturën antikorrupsion”, të financuar nga Programi i Granteve të Vogla i Komisionit të Demokracisë të Ambasadës Amerikane në Shqipëri. Rekomandimet e tij do t’i përcillen organeve kompetente.

Postime të ngjashme

53% e vdekjeve nga zemra, u shtuan ato nga dëmtimet dhe endokrinet në 2025
Rishikimi i Buxhetit 2026: Financime shtesë për shëndetësinë
Temperaturat e larta, Brataj: Vapa rrit infarktet, trombozat dhe vdekjet e papritura
Shqipëria e treta në Europë për çmimet e larta të bulmetit, 35.6% më shumë se mesatarja në 2025
Inaugurohet materniteti ‘Mbretëresha Geraldinë’, Sala: 1.2 mld lekë investim
Paradoksi i shëndetësisë shqiptare: Të parët në Ballkan për shpenzimet spitalore, të fundit për financimin publik
60 kursantë të Akademisë së Sigurisë në spital me simptoma helmimi, Policia: AKU ka marrë mostra të ushqimeve të konsumuara
Helmohen sërish kursantët e Akademisë së Sigurisë, 30 persona përfundojnë në spital