Denisa Canameti
Shfrytëzimi i fëmijëve në moshë shumë të vogël për të sjellë të ardhura është një fenomen i njohur në vendin tonë. Edhe pse është konsideruar krim që duhet dënuar, në fakt shumë pak është bërë në përmirësimin e kësaj situate, e kjo jo vetëm për faj të instancave shtetërore.
Numri i fëmijëve që kërkojnë lëmoshë dita ditës po rritet. Ndërsa numri i atyre që nxirren nga situata e rrugës dhe integrohen në kopshte është i pakët. Krahas shumë problematikave të tjera drejtueset e kopshteve që kanë të rregjistruar fëmijë në situatë rruge konfirmojnë vështirësinë e komunikimit me prindërit pasi sipas tyre janë pikërisht prindërit më pak të interesuarit që fëmijë të shkojë në shkollë. Pasi për ta, fëmijët janë burim të ardhurash.
Fate Lala: Prindërit, bashkëpunëtorët më të këqinj në integrimin e fëmijëve në situatë rruge
Fate Lala është drejtuese e kopshtit shtetëror numër 39. Në këtë kopësht janë të rregjistruar fëmijë të cilët janë tërhequr nga rruga për tu integruar në kopshte. E kontaktuar Lala tregon se pjesa më e vështirë e punës në raport me këta fëmijë nuk janë vetë ata por pindërit e tyre:
“Kam të rregjistruar 16 fëmijë në situatë rruge. Është shumë e vështirë që të flasësh me prindërit. Nuk duan ti sjellin në kopësht se fatkeqësisht I shikojnë si burim të ardhurash.
“Kur më ikën ndonjë fëmijë dal vetë rrugëve dhe e kërkoj para se ta raportoj në Bashki. Punojmë me gjithë zemër që ata fëmijë të kthehen. Fëmijët vetë kanë shumë interes, ka midis tyre edhe të dalluar” shprehet drejtuesja e kopshtit.
ASHMDF: Fëmijët në situatë rruge të parregjistruar në gjendje civile
Në një përgjigje zyrtare për Shëndet plus, Agjensia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijës i është përgjigjur një sërë pyetjesh lidhur me numrin e fëmijëve të identifikuar në situatë rruge dhe të rregjistruar në kopshte dhe shkolla, vështirësitë që mbart identifikimi i këtyre rasteve si dhe masat ndëshkimore për prindërit që tërheqin fëmijët nga kopshti.
“Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve ka kordinuar proçesin e hartimit të listave të fëmijëve në situatë rruge në moshë për regjistrim në shkolla, duke marrë informacion nga çdo bashki, dhe këto lista janë referuar pranë Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Ka patur një angazhim të mirë nga DAR-et dhe drejtorët e shkollave për të mundësuar rast pas rasti regjistrimin e fëmijëve.
“MAS ka koordinuar me çdo DAR për mundësimin e regjistrimit dhe ndjekjes sidomos të atyre fëmijëve që kanë kaluar moshën për regjistrim në klasë të parë. Fëmijët në situatë rruge si kategori fëmijësh në nevojë apo fëmijë të komunitetit Rom dhe Egjyptjan, kanë mundur të përfitojnë nga librat falas.
Për vitin shkollor 2016 – 2017 janë regjistruar në shkollë 234 femije. Kjo shifër ka ardhur duke u rritur, pasi në vitin shkollor 2015 – 2016 u arrit të regjistroheshin vetëm 70 fëmijë në situatë rruge (nga 305 te identifikuar). Ende sfidë është regjistrimi i fëmijëve në kopshte ku për vitin shkollor 2016-2017 janë referuar 170 fëmijë në situatë rruge për regjistrim në kopshte dhe 88 janë regjistruar”.
Sa u takon vështirësive që mbart identifikimi i këtyre rasteve dhe rregjistrimi i tyre në kopshte dhe shkolla Agjensia shkruan në përgjigjen e saj se problematikat për regjistrimin e fëmijëve në sistemin arsimor kanë të bëjnë me faktin se disa nga fëmijët në situatë rruge nuk janë të regjistruar në gjendjen civile ose janë të regjistruar në bashki të tjera të vendit dhe nuk e kanë transferuar gjendjen civile në bashkinë ku jetojnë. Gjithashtu është problem braktisja e shkollave nga fëmijët të cilët në të shumtën e rasteve përfundojnë në situatë rruge.
Një sfidë e mëtejshme, mbetet integrimi i plotë i këtyre fëmijëve në sistemin arsimor që ata të mos e braktisin shkollën.
Lidhur me rastet e fëmijëve të identifikuar, prindërit e të cilëve refuzojnë dërgimin e tyre në shkolla dhe kopshte për arsye se i shohin ata si burim të ardhurash thuhet se zhvillimi i vizitave në familje nga Njësia e Mbrojtjes së Fëmijëve në bashkëpunim me punonjës të organizatave është i rëndësishëm pasi ndërhyhet për të bindur prindërit që arsimimi i fëmijëve është i rëndësishme ndihmon në largimin e fëmijës nga rruga , integrimin e fëmijëve në shoqëri për sigurimin e një të ardhme më të mirë.
Në varësi të moshës së fëmijës NJMF bashkëpunon me prindërit që të sigurojë regjistrimin e fëmijës në shkollë dhe monitoron nëse fëmija frekuenton rregullisht shkollën. Për fëmijët më të rritur (mbi moshën 14 vjeç) atëherë mund të shikohet mundësia e ndjekjes së arsimit profesional dhe trajnimeve të aftësimit për jetën.
Ndërsa a ka raste fëmijësh të identifikuar në situatë rruge, por të paregjistruar, si referohen këta raste dhe si realizohet rregjistrimi I tyre në kopshte përgjigja vazhdon se nga puna në terren e skuadrrave të terrenit janë identifikuar raste të tilla të fëmijëve në situatë rrugë ta pa regjistruar në kopësht. Skuadra e terrenit kontakton me fëmijët dhe prindërit që i shoqërojnë gjatë lypjes merren të dhënat në lidhje me moshën e fëmijës, nësë ka ndjekur ndonjë klasë,vendbanimi ose gjëndja civile ku është regjistruar familja dhe referohen pranë Njësisë për Mbrojtjen e Fëmijës. NJMF referon rastet me të dhënat e përcaktuara për çdo rast pranë bashkisë ose, ASHMDF , DAR për të krijuar lehtësi në procesin e regjistrimit të fëmijëve në kopësht. Është NJMF e cila , mbështet familjen për nxjerren e dokumetacionit të nevojshëm për regjistrim si dhe monitoron rastet në vazhdimësi duke kontaktuar me edukatoret për mbarëvajtjen e fëmijës në kopësht.
Arsimimi, një shans për të shpëtuar nga varfëria
Konventa për të drejtat e fëmijëve, jo rastësisht cilësohet si konventa që është ratifikuar më shpejt dhe me shtrirjen më të madhe në histori, pasi përcakton të drejtat dhe liritë e fëmijëve. Si të drejta themelore janë rritja e tyre në një mjedis të sigurtë, në të cilin ofrohet dashuria, mirëkuptimi dhe mbështetja e pakusht nga secili anëtar i familjes. Të drejtat e fëmijëve ndahen në katër (4) grupe kryesore: E drejta për mbijetësë që përbën të drejtat më bazike në jetë si ushqimi, strehimi, shëndeti etj, E drejta për zhvillim që ngërthen në vete edukimin, shkollimin, lojën, aktivitetet e lira etj, E drejta për mbrojtje që mbron fëmijët nga çfarëdo lloj rreziku, qoftë nga abuzimi nga të tjerët, apo çkado që kanos mirëqenjen e fëmijëve si dhe E drejta për pjesëmarrje që i siguron fëmijët të shprehin lirshëm mendimet e tyre, të bëhen pjesë e grupeve dhe asociacioneve të ndryshme të cilat zhvillojnë kapacitetet e tyre etj. E drejta për arsimim është jetike për zhvillimin ekonomik, social dhe kulturor të të gjitha shoqërive. Gjithashtu është i nevojshëm për zhvillimin e personalitetit dhe identitetit, si dhe për zhvillimin e aftësive fizike dhe intelektuale. Të gjithë fëmijët duhet të jenë në gjendje të shkojnë në shkollë dhe në këtë mënyrë të përfitojnë nga të njëjtat mundësi për të ndërtuar një të ardhme. Ndërkohë është përgjegjësi e shteteve për të garantuar të drejtën e çdo fëmije për arsim. Shteti duhet të përqëndrojë të gjitha përpjekjet për ti bërë kopshtet dhe shkollat të arritshme dhe të lira për të gjithë fëmijët. Arsimimi ofron për fëmijët e paprivilegjuar një shans për të shpëtuar nga varfëria.
“Ky botim u realizua me mbështetjen e LëvizAlbania. Mendimet dhe opinionet e shprehura në të i përkasin autorëve dhe nuk përkojnë domosdoshmërisht me qëndrimet e LëvizAlbania”./ Shendeti.com.al