Prishet aparatura, Onkologjiku kthen mbrapsht pacientët me kancer të lëkurës

Denisa Canameti, gazeta “Shëndet+”

Aparatura e orthovoltazhit në Shërbimin Onkologjik është prishur disa ditë më parë. Kjo aparaturë unike kuron me rreze kancerin e lëkurës. Kjo ka bërë që pacientët të mos e marrin këtë shërbim që është i domosdoshëm për ta.

“Kemi disa ditë që nuk e marrim kurën, pasi aparatura prishet vazhdimisht e sot nuk ndizet fare. Ministria e Shëndetësisë të mos na lërë të vdesim. Jemi të moshuar dhe të sëmurë rëndë. Vijmë nga rrethet e kemi të pamundur të presim e mos të marrim shërbim. Sëmundja jonë agravon çdo ditë nëse nuk marrim dozën e rrezatimit”, janë shprehur pacientët për mediat.

qsut1

Të kontaktuar nga gazeta “Shëndet+” burimet e drejtorisë së QSUT-së bëjnë të ditur se aktualisht janë njoftuar strukturat përgjegjëse dhe po punohet për rikthimin në punë të aparaturës.

Në një studim 4-vjeçar të kryer në Spitalin Onkologjik të Qendrës Spitalore ‘’Nënë Tereza’’ (2004-2008) u vlerësua gjendja e diagnozës së Kancerit të Lëkurës në popullatën Shqiptare.

Tumoret malinje të lëkurës u renditen të dytët për nga shpeshtësia, pas kancerit të mushkërive për meshkujt dhe atij të gjirit tek femrat (të cilët përkatësisht në të dy gjinitë renditen në vend të parë). Gjatë periudhës 2004-2008 çdo vit regjistrohen 600 raste të reja ku 60% e tyre tek meshkujt (360 raste) dhe 40% tek femrat (240 raste). 

Sipas studimit, meshkujt ishin 1.5 herë më të prirur sa femrat për t’u prekur. Zonat rurale ishin dy herë më të prekura sesa ato urbane. Moshat me shpeshtësi më të madhe ishin ato mbi 65 vjeç me incidencën më të lartë në moshën 80-vjeçare, me afërsisht 640/100 000 banorë për seksin mashkull dhe rreth 355/100 000 banorë për seksin femër.

Plakja dhe degjenerimi i lëkurës në këto mosha rrit rrezikun për shfaqjen e kancerit të lëkurës. Për të dy sekset, kanceri i lëkurës përbën 20% të të gjitha rasteve në Shqipëri (rreth 46 lloje sëmundjesh kanceroze).

Rrethet e prekura më tepër ishin Tirana, Fieri, Lushnja, Durrësi, Elbasani, Shkodra dhe Vlora. Siç vihet re, qytetet më të prekura janë ato që shtrihen në ultësirat fushore dhe bregdetare ku ekonomia e vendit bazohet në zhvillimin e bujqësisë, peshkimit dhe turizmit. Kjo mund të shpjegohet më sasinë e madhe të orëve diellore përgjatë gjithë vitit në këto vende. 

Postime të ngjashme

3 këshilla për të ulur konsumin e sheqerit dhe për të qetësuar sistemin nervor
Rriten importet e ilaçeve, KLSH: 80% janë kopje e origjinalit, pa cilësi dhe më shtrenjtë
Ndahet nga jeta akademiku Rexhep Qosja
Pas një viti sfidash, vaksinat mRNA japin shpresë të re në luftën kundër kancerit
Çfarë duhet të bëni në mëngjes për tretje më të mirë gjatë gjithë ditës
5 shenja që tregojnë se sistemi juaj nervor është i mbingarkuar
Raporti i HIV 2025: Shqipëria përballë një vale të re infeksionesh, rekord që nga 2016-a
Shkencëtarët zbulojnë dy pijet me kafeinë që mund të ulin rrezikun e goditjes në tru dhe sulmit në zemër, ja sa duhet të konsumoni për përfitime shëndetësore