Problemet e lindura të zemrës, si kurohen

Intervistoi: Denisa Canameti

Në bazë të të dhënave nga mjekët në QSUT dhe dy maternitetet e Tiranës, ku përqendrohet numri më i madh i fëmijëve që diagnostikohen me sëmundje të lindura në zemër, rezulton se të tilla janë rreth 300 lindje çdo vit. Pjesa më e madhe e tyre, rreth 70 % (210 në vit) kërkojnë ndërhyrje kirurgjikale.

djali i vogelBazuar në të dhënat nga vetë mjekët kardiopediatër, sfida kryesore mbetet diagnostikimi i hershëm, i cili është shumë i rëndësishëm për shëndetin e fëmijës. Për lexuesit e gazetës “Shëndet +”, prof.ass. Arben Baboci, shpjegon me detaje problemet e lindura të zemrës.

Baboci thekson se pjesa e madhe e këtyre sëmundjeve mund të korrigjohen. Për të thyer çdo mendësi që është përhapur kohët e fundit se operacionet më të rëndësishme kryhen në spitale private, Baboci shpjegon se këto operacione kryhen vetëm në QSUT, nga një ekip mjekësor tepër i kualifikuar.

Cilat janë sëmundjet më të shpeshta të zemrës që hasen tek fëmijët?

Sëmundjet më të shpeshta të zemrës janë komunikimet ndërmjet dhomave të zemrës, të ashtuquajturat vrima në zemër. Ndarësja e zemrës nuk është formuar plotësisht gjatë formimit të zemrës së fëmijës dhe ka ngelur e hapur pjesa e sipërme ose pjesa e poshtme. Ka valvula që lindin të sëmura. Ka enë gjaku që nuk vendosen atje ku duhet të vendosen, dalin në vende të gabuara ose hyjnë në vende të gabuara në zemër.

Cilat janë risqet e një fëmije që lind me sëmundje zemre?

Risqet janë të mëdha. Një nga problemet është vdekshmëria e hershme. Shumë prej tyre vdesin që në muajt e parë të jetës ose brenda vitit të parë. Një pjesë që kalojnë këtë periudhë, ndodh e keqja në vitet në vazhdim, sepse dëmtimet janë shumë të mëdha qoftë në zemër, qoftë në mushkëri apo dhe në organe të tjera. Dëmtime të cilat bëhen të pariparueshme me kalimin e kohës.

Cilat janë simptomat?

Një pjesë e tyre mund të kapen lehtë që në lindje, sepse fëmija mund të jetë i nxirë apo mund të dëgjohen zhurma të forta nga momenti që e viziton fëmijën. Këto janë gjatë muajit të parë të jetës. Shumë prej tyre zbulohen më pas. Disa prej tyre mund të konstatohen rastësisht, sepse nuk japin shenja. Mund të konstatohen rastësisht në vizitat mjekësore rutinë ose dëgjohet zhurma nga mjeku, ose shikohet në radiografi, një hije e zemrës e zmadhuar ose mushkëri, të cilat tregojnë se ka një ngarkesë të madhe mushkëria.

Çfarë ndodh nëse kapen me vonesë?

Kur kapen me vonesë, në përgjithësi mund të bëhet diçka. Ka gjëra që u ka kaluar koha dhe nuk mund t’i ndihmosh, por shumica e rasteve ndihmohen edhe kur kapen në një moshë më të vonë. Një pjesë prej tyre nuk arrihen të rikuperohen plotësisht pas korrigjimit kirurgjikal që i bëjmë sëmundjes dhe mbeten ca pasoja. Është e rëndësishme që të kapen në kohën e duhur, të operohen në kohën e duhur në mënyrë që të kemi rezultat.

Trajtimi kirurgjikal është e vetmja zgjidhje për trajtimin e këtyre sëmundjeve?

Në shumicën dërrmuese është kirurgjia që e zgjidh problemin, por sot edhe kateterizimi i zemrës është një zgjMjeku-dhe-bebiidhje për një pjesë të këtyre sëmundjeve. Për shembull, ka një pjesë të këtyre vrimave që nuk mbyllen me anë të kateterizimit, por është kanali arterial që mund të mbyllet përmes kateterizimit, ka pajisje të posaçme për ketë punë. Ndihmon shumë kateterizimi në rastet e ngushtimeve. Kemi valvula të ngushtuara apo degë të enëve të gjakut të ngushtuara, që hapen me kateterizim.

A mund të shërohen me anë të medikamenteve?

Jo. Medikamentet shërbejnë për të ndihmuar qoftë para operacionit, qoftë pas operacionit për të lehtësuar punën e zemrës, por asnjëherë nuk e zgjidhin problemin. Problemi i zemrës është një problem mekanik që duhet zgjidhur po në mënyrë mekanike.

Kemi kushte për t’i korrigjuar të gjitha këto keqformime të lindura?

Sigurisht që ka akoma për të bërë, por ne sot shumicën dërrmuese të këtyre fëmijëve që lindin me problem, i ndihmojmë fare mirë me rezultate shumë të mira. Natyrisht që kërkon mjaft kushte që ne po i përmirësojmë gradualisht, kërkon dije mjekësore, kërkon specialistë që të jenë të përgatitur, sepse janë çështje tepër delikate.

Kemi ne specialistë të mirë?

Kemi specialistë të mirë, por duhet gjithmonë që ekipet të jenë të plotë dhe të krijohet vazhdimësi.

A ka raste ku jeni të detyruar t’i drejtoni pacientët drejt spitaleve private?

Në vendin tonë ka vetëm një qendër që merret me korrigjimin e sëmundjeve të lindura të zemrës, që është QSUT-ja. Asnjë spital privat nuk merret me këtë problem. Dhe në Evropë për njerëzit që e njohin mjekësinë janë shumë pak klinika private që merren me sëmundjet e lindura të zemrës, sepse kërkon përkushtim dhe një përgatitje shumë të mirë. Edhe qendrat private nuk kanë interes që të merren me sëmundje të rralla në raport me sëmundjet e tjera.

(Intervista e plotë u botua në numrin e 1 shtatorit të gazetës “Shëndet+”)

Postime të ngjashme

Miopia - pandemia e shekullit 21! Okulisti: Alarmante tek fëmijët, ja shkaku
Si ndikon koha para ekranit në zhvillimin e trurit të fëmijëve
9 gjërat që çdo prind i ri duhet të dijë, sipas mamive
Autizmi virtual, fëmijë me vonesa në zhvillim e të folur për shkak të “celularit në dorë”
Studimi: Kujdes me antibiotikët te fëmijët e vegjël, shkaktojnë edhe obezitet!
A kanë fëmijët dhimbje koke nga migrena? Çfarë duhet të dinë prindërit
Terapia e Aerosolit, mund të shkaktojë takikardi tek bebet
4-vjeçarja humb ndjenjat, ekspertët ngrejnë alarmin për rreziqet që sjellin pijet "slushy"