Kryefaqja Shendeti a-z K Programi i depistimit të kancerit të qafës së mitrës, ja kush përfiton

Programi i depistimit të kancerit të qafës së mitrës, ja kush përfiton

0
Shpërndaje

Instituti i Shëndetit Publik

Programi i Depistimit të Kancerit të Qafës së Mitrës në Shqipëri ofron depistimin e kancerit të qafës së mitrës nëpërmjet testit të HPV-së, tek të gjitha gratë e grupmoshës 40-49 vjec, një herë në 5 vite, me qëllim parandalimin e kancerit të qafës së mitrës.

Ky program synon të identifikojë individët në rrezik për të zhvilluar kancer të qafës së mitrës, si dhe të diagnostikojë në fazë të hershme lezionet parakanceroze dhe të parandalojë zhvillimin e kancerit dhe pasojat shpesh fatale të lidhura me të.

Ky program depistimi ka për qëllim mbulimin e popullatës target me depistim dhe rritjen e nivelit të depistimit për kancerin e qafës së mitrës.

Thuajse në të gjitha rastet, kanceri i qafës së mitrës shkaktohet nga Virusi i Papilomës Humane (HPV).

HPV-ja është infeksioni më i zakonshëm i transmetuar seksualisht. Njihen me shumë se 200  tipe e nëntipe HPV-je, por jo të gjitha këto shkaktojnë kancer të qafës së mitrës. Shkaku kryesor i parakancerit të qafës së mitrës dhe i kancerit skuamoz të qafës së mitrës është infeksioni i vazhdueshëm pa simptoma ose kronik me një ose me disa prej tipeve HPV 16, 18, 31, 35, 39, 45, 51, 52, 56, 58, 59, 66, 68, me rrezik të lartë ose onkogjene, të klasifikuara si grupi 1, “kancerogjenë te njerëzit” nga IARC (International Agency for Research on Cancer, 2013). Nga këto tipe onkogjene,

HPV-ja 16 dhe 18 janë shkaktare të 70% të rasteve të kancerit të qafës së mitrës të raportuara në mbarë botën.

Përveç tipeve me rrezik të lartë, ekzistojnë dhe disa tipe me rrezik të ulët: HPV 6, 11, 40, 42, 43, 44, 53, 54, 61, 72, 73, 81, të cilat janë shkaku i lythave gjenitalë ose kondilomave por që nuk shkaktojnë kancer të qafës së mitrës.

Pothuajse të gjithë gratë dhe burrat infektohen me HPV pak kohë pas fillimit të aktivitetit seksual.

Virusi transmetohet nëpërmjet kontaktit lëkurë me lëkurë të zonave intime gjenitale. Te gratë, ashtu si edhe te meshkujt, infeksionet me HPV janë pa simptoma dhe jetëshkurtëra; trupi i eliminon ato spontanisht në më pak se dy vjet. Vetëm në një përqindje të vogël të femrave, infeksioni me një tip HPV-je me rrezik të lartë  bëhet kronik. Gjithashtu, prej këtyre infeksioneve kronike, vetëm  një përqindje e vogël mund të përparojë në fazën parakanceroze, e më pak do të avancojë në kancer invaziv 10 deri 20 vjet më vonë.

Zbulimi i hershëm përmes depistimit të të gjitha grave të grup-moshës target, i ndjekur nga trajtimi i lezioneve parakanceroze të zbuluara, mund të parandalojë pjesën më të madhe të kancerit të qafës së mitrës. Për këtë shërben depistimi. Çfarë kuptojmë me depistim për kancerin e qafës së mitrës?

Meqë HPV është shkaktari kryesor i kancerit të qafës së mitrës, depistimi për këtë kancer ka të bëjë me identifikimin e pranisë së infeksionit me HPV, dhe konsiston në marrjen e një sasie qelizash nga sipërfaqja e qafës së mitrës ose vaginës për t’u analizuar.

Kampioni çohet në laborator dhe analizohet për praninë ose jo të tipeve HPV, shkaktare të kancerit të qafës së mitrës të quajtura ndryshe me rrezik të lartë (hr-HPV). Nëse identifikohet prania e infeksionit me HPV nuk do të thotë se keni kancer por thjesht jeni e infektuar me HPV, dhe nëse nuk ndiqeni apo nuk trajtoheni më tej, ky infeksion mund të përparojë në kancer.

Prandaj, në një situatë të tillë, për të kontrolluar më mirë qafën e mitrës duhet të kryeni një ekzaminim të dytë që quhet kolposkopi. Nëse specialisti që kryen kolposkopinëdo të identifikojë qeliza anormale, do t’ju sugjerojë t’i hiqni ato, dhe kjo bëhet si rregull gjatë procedurës së kolposkopisë.

Kjo është mënyra se si depistimi parandalon kancerin e qafës së mitrës.

Cila është popullata target në programin e depistimit për kancerin e qafës së mitrës?

Kanceri i qafës së mitrës zakonisht zhvillohet ngadalë (që parakanceri i hershëm të zhvillohet në kancer invaziv duhen 10-20 vjet) prandaj është i rrallë para moshës 30 vjeç.

Grupmosha target e programit  kombëtar të depistimit të organizuar do të jetë 40-49 vjeç. Gratë e kësaj grupmoshe do të ftohen të kryejnë testin çdo 5 vjet. Për këtë grup-moshë arrihet përfitimi më i madh për shëndetin publik.

Megjithatë, përveç programit të depistimit, shërbimet ekzistuese të testimit përmes Pap testit, të cilat ekzistojnë aktualisht në sistemin shëndetësor, do të vijojnë të ofrohen për gratë e grup-moshave më të reja apo më të vjetra, në bazë të kërkesës së tyre apo këshillës së mjekut të familjes.

Ç’duhet të bëni për t’u depistuar për kancerin e qafës së mitrës?

Qendrat shëndetësore sigurojnë shërbimet e informimit, marrjes së mostrave biologjike për testet depistuese dhe këshillimin e grave të përfshira në program.

Para ditës së takimit:

Fillimisht duhet të lini një takim me personelin shëndetësor të qendrës shëndetësore ku jeni e regjistruar. Takimi duhet të bëhet në një ditë kur nuk jeni me perioda (cikël menstrual).

Për ato gra që dëshirojnë ta marrin mostrën vaginale pranë QSH rekomandohet të vishni një fund të gjerë (jo pantallona apo fund të ngushtë) për ta patur më të lehtë kryerjen e testit.

Nëse jeni shtatzënë, nëse e keni hequr mitrën (histerektomi), ose nëse ka ndonjë arsye tjetër që ju bën të mendoni se është e vështirë për ju të kryeni testimin depistues, drejtojuni personelit shëndetësor për pyetjet, shqetësimet tuaja dhe për të marrë udhëzimet e duhura.

Dita e Takimit me personelin shëndetësor

Personeli shëndetësor do t’ju informojë në lidhje me testimin. Mos u shqetësoni, procesi i marrjes së materialit për testim është shumë i thjeshtë. Ju mund ta merrni vetë atë në ambientet e qendrës shëndetësore ose në shtëpinë tuaj.

Marrja e materialit për testim zgjat jo më shume se 5 minuta. Ndërsa krejt takimi me personelin shëndetësor zgjat rreth 15 minuta.

Kryerja e testimit

Testimi për HPV nuk kërkon një ekzaminim pelvik ose pamor të qafës së mitrës. Ai mund të kryhet edhe nga vetë gruaja.

Me poshtë gjeni udhëzimet për kryerjen e testimit:

  • Si duhet të përdorni kitin për testimin HPV me vetëmarrje
  • Si duhet të përdorni kitin për testimin HPV me vetëmarrje.

Lexo deri në fund të gjitha udhëzimet para se të përdorësh kitin e testimit për HPV. Mos u shqetëso, testi është shumë i lehtë për t’u kryer. Mos e kryej testin gjatë periodave (ciklit menstrual).

Hape kapakun e tubit plastik me kujdes që të mos derdhet lëngu jashtë. Vendose tubin mbi një sipërfaqe të sheshtë ndërsa kapakun vendose me pjesën e brendshme nga sipër.

Nxirr një nga tamponët prej pambuku nga paketa ku ndodhen (tamponin e dytë mund ta përdorësh vetëm në rast se bëhet ndonjë gabim, përndryshe ai duhet të hidhet).

Gjej një pozicion të përshtatshëm në mënyrë që të futësh tamponin në vaginë. Kjo mund të bëhet ulur në një karrige apo WC, ose me një këmbë mbi karrige apo WC.

Kape tamponin në 3/4 e gjatësisë së tij. Me dorën tjetër hap lëkurën që mbulon hyrjen e vaginës. Fute tamponin në vaginë dhe shtyje lart deri në zonën ku ndodhen gishtat që mbajnë tamponin.

Mbaje tamponin në vend dhe pa e lëvizur për 20 sekonda dhe pastaj rrotulloje po aty 5-6 herë. Më pas hiqe tamponin ngadalë.

Vendose tamponin në tub me kujdes që të takojë fundin e tubit dhe të mos pikojë lëngun jashtë.

Thyej fundin e tamponit dhe kështu ai do të hyjë tërësisht në tub kur t’i vihet kapaku. Këtë bëje duke e shtypur tamponin në anë të tubit, ndërsa tubi mbahet i palëvizur me dorën tjetër.

Mbylle tubin fort dhe sigurohu që ai është i mbyllur plotësisht. Shkruaj emrin, mbiemrin dhe datën e marrjes mbi tub.

Rezultatet e testimit do t’i merrni pranë qendrës suaj shëndetësore.

Rezultati negativ: do të thotë se nuk jeni e infektuar me HPV dhe keni rrezik shumë të ulët për të zhvilluar kancer të qafës së mitrës deri në kryerjen e testimit depistues pasardhës. Në varësi të moshës, do të njoftoheni përsëri për të kryer depistimin pas 5 viteve.

Rezultati pozitiv: do të thotë se jeni e infektuar me HPV, prandaj për të kontrolluar më mirë qafën e mitrës duhet të bëni një ekzaminim tjetër që quhet kolposkopi.

Për cilin grup të popullatës nuk rekomandohet testi i depistimit për kancerin e qafës së mitrës?

Nga popullata target përjashtohen nga depistimi gratë që kanë kryer një histerektomi (heqje të mitrës) me heqje edhe të qafës së mitrës dhe që nuk kanë pasur histori të lezioneve parakanceroze të shkallës 2 apo 3, ose kancer të qafës së mitrës.

Cilat janë simptomat e kancerit të qafës së mitrës?

Simptomat e kancerit të qafës së mitrës përfshijnë:

  • Gjakderdhje vaginale të pazakontë
  • Dhimbje gjatë marrëdhënieve seksuale
  • Dhimbje mesi ose në fund të barkut
  • Gjakderdhje jo e rregullt midis cikleve menstruale

Nëse keni ndonjë nga këto simptoma, duhet të kontaktoni mjekun specialist sa më shpejt./ JoTabu.al

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here