Kryefaqja Aktualitet Projeki i ‘madh arab’ në Përmet rrezikon dëmtimin e zemrës së Ballkanit,...

Projeki i ‘madh arab’ në Përmet rrezikon dëmtimin e zemrës së Ballkanit, Parkut Kombëtar të Bredhit të Hotovës

0
Shpërndaje

Eralda Zito

Përmeti është zonë me potecial të lartë zhvillimi dhe një nga asetet e tij më të çmuara padyshim që është lumi Vjosa, i konsideruar si një nga lumenjtë e fundit të egër në Evropë. Pikërisht për këtë arsye ky lum vitet e fundit ka tërhequr vëmendjen jo vetëm të mediave, ekspertëve dhe figurave më të njohura në Shqipqëri, por edhe atyre në Evropë dhe më gjerë. Prej kohësh kërkesa, ankesa dhe peticione kanë vërshuar në të gjitha institucionet përgjegjëse dhe kancelaritë ndërkombëtare për mbrojtjen e këtij lumi, veçanërisht nga veprimtaria njerëzore dhe vendimmarrja e institucioneve vendase që tek ky lum më së shumti shohin potencial për zhvillimin e sektorit energjitik. Plane dhe projekte për ngritjen e heceve të vogla dhe një hidrocentrali të madh qëndrojnë mbi Vjosën dhe mbrojtësit e saj si Shpata e Demokleut. Planet më së shumti kalojnë nëpër procedura dhe vendimmarrje të fshehta pa u informuar apo konsultuar paraprakish me banorët e zonës dhe ekspertët e fushës. Përmetarët janë shumë të lidhur me Vjosën dhe me gjithçka që lidhet me të, ndaj dhe janë të ndjeshëm ndaj çdo plani për ndërhyrje. Ata nuk rrijnë duarkryq dhe falë reagimit të tyre dhe të të gjithë aktorëve vendas dhe të huaj të përfshirë në kauzën e mbrojtjes së lumit të fundit të egër në Evropë, Vjosa i ka rezistuar deri tani çdo plani të Qeverisë për ndërhyrje.

Prej dhjetë vitesh tashmë sipërmarrjet përmetare në fushën e turizmit janë grupuar në një konsorcium bashkëpunimi të quajtur “Pro Përmet”. Falë këtij organizimi 43 anëtarët ProPërmet janë zëri më i fuqishën në tryezat në të cilat diskutohet për fatet e Vjosës dhe vetë Përmetit. Gjatë vizitës sonë në Përmet, takojmë një prej anëtarëve më aktivë të ProPërmet, sipërmarrësin e njohur përmetar, Vasillaq Nikolli, njësia bar-hotel Alvero e të cilit të mikpret sapo mbërrin në qendër të qytetit.

Vasillaqi tregon se përmetarët, jo vetëm ata që jetojnë ende në Përmet, por edhe ata që janë larguar, i kanë bërë oponencë të fortë çdo plani apo projekti që rrezikon Vjosën, florën faunën dhe biodiversitetin e saj. “Ka patur personalitete me origjinë nga Përmeti që jetojnë në Tiranë, apo jashtë që kanë përdorur reputacionin dhe njohjet e tyre për të ngritur zërin dhe për t’i dhënë zë shqetësimit të banorëve.”

Vasili është kritik edhe ndaj disa ekspertëve që vijnë në Përmet dhe në vend që të tregojnë profesionalizëm në analizimin e efekteve që mund të kenë ndërhyrje të ndryshme në biodiversitet, mbajnë qendrim të njëanshëm të favor të investitorit / investitorëve, ose strukturave shtetërore. “Çdo projekt ose plan duhet t’i nënshtrohet diskutimit qytetar dhe sidomos në këtë moment kyç për të ardhmen e Bënjës, një nga degët e rëndësishme të Vjosës’, shprehet Vasili.

Ja se çfarë mësuam më shumë nga bashkëbisedimi me Vasilin në Përmet:

Kryeministri pak javë më parë njoftoi se ‘arabët që do të ndërtojnë Portin e Jahteve në Durrës, planifikojnë të investojnë edhe në Përmet. Në media qarkulluan fotot e një projekti që do të realizohet në Bënjë. Jeni në dijeni për çfarë bëhet fjalë?

V.N.: E gjithë zona ku përflitet se do të bëhet investimi është pjesë e Parkut Kombëtar dhe brenda Parkut nuk i lejohet asnjërit të prezantojë një projekt zhvillimi. Parku Kombëtar Bredhi i Hotovës është zgjeruar dhe sot ka një sipërfaqje prej 35 mijë hectare, duke u prëfshirë në të të gjitha resurset turistike të zonës. Bënja hyn në zonën e mbrojtur dhe kemi kërkuar që në të të realizohen investime të pjesshme provizore ku të përfshihen ofrimi i shërbimeve më emergjente që sot mungojnë e janë të nevojshme, të tilla si ambjente për t’u ndërruar, ëc, bare që shërbejnë pije te castit. Pastaj le të ulemi e të flasin për ‘Projektin e Madh’.

Po me Bashkinë a janë ulur dhe kanë diskutuar anëtarët e ProPërmet se çfarë është ky projekt?

V.N.: Jemi interesuar, kemi zhvilluar edhe takime, por këto takime kanë mbetur vetën në kuadër të bisedave. Anëtarët e “Pro Përmeti” janë ofruar të kujdesen për zhvillimin e zonës dhe t’i ofrojnë ata shërbimet e domosdoshme të tipit shërbime miqësore për mjedisin, por kemi marrë përgjigje negative me argumentin se bëhet fjalë për një Projekt të madh. Kërkuam dhe u bëmë pjesë e një diskutimi për ndërhyrjet që po realizohen në Lagjen e Vjetër, falë një projekti të mbështetur nga Bankas Botërore. Por asnjë nga propozimet dhe sugjerimet e mira të dhëna në këto diskutime nuk u mor parasysh nga institucionet përkatëse. Shoqëria civile në tryezat e bisedimeve ka shkuar me projekte konkrete të dizenjuara nga ekspertë italianë në të cilat është treguar kujdes për ruajtjen e një raporti të drejtë ndërmjet historisë, traditës, kulturës dhe të resë. Projekti që po zbatohet aktualisht është një projekt copy and paste që nuk ka asnjë lidhje me Përmetin, që është një dhuratë e Zotit. Po bëj një parantezë këtu: para shumë vitesh janë bërë studimet për gjurmën ku do të kalonte TAP pasi, bazuar tek leverdia ekonomike ishte parashikuar që tubacioni të kalonte mespërmes Parku Kombëtar. Erdhën shumë ekspertë të huaj të cilët vlerësuar dëmin e mundshëm që mund t’i shkaktohej biodiversitetit të zonës dhe në fund propozuar dhe miratuan variantin që parashikonte anashkalimin e zonës së Parkut, edhe pse ky variant kishte kosto shumë herë më të larta se i pari.

Si është mendimi i përgjithshëm i banorëve për këto projekte apo nuk janë në djeni të asaj që po ndodh?

V.N.: Ajo pjesë e shoqërisë që është e informuar dhe tregon ndjeshmëri të lartë ndaj ndryshimeve që dëmtojnë zonën është e vogël. Unë vetë kam dëgjuar së fundi se firma që do të bëjë punimet në Bënjë do fillojë së shpejti. Kam parë edhe disa foto të projektit që m’i kanë dërguar në celular. Kaq jam i informuar unë që jam operatori kryesor që kam 17 vite që e kam nisur turizmin kur në Përmet nuk kishte investuar asnjeri, ndërsa sot kemi arritur 45 mijë turistë të huaj në vit dhe po flasim për një qytet prej 9-10 mijë banorësh.

Cili është ndikimi i këtyre projekteve në natyrë? Nuk është diskutuar asnjëherë për këtë? Cila do të jetë e ardhmja e zonës?

V.N.: Ne nuk dimë asgjë. As sa është kostoja, as se cili është impakti në mjedis. Qytetarët gëzohen kur shohin që u shtruan dy rrugë. Ndërhyrja në Përmet duhet të bazohej mbi një studim të përgjithshëm që të përfshinte Bënjën, Lagjjen e Vjetër, Leusën dhe të gjitha monumentet në kuadër të Parkut Kombëtar. Ndërsa ndërhyrjet bëhen me parimin ‘kemi 5 lekë tani, po zbatojmë këtë projekt’. Pra, mendimi i komunitetit jo vetëm që nuk po merret, por vetem Facebook ka mbetur mënyra për të marrë informacion.

Bazuar në legjislacionin për të drejtën e informimit që parashikon edhe detyrimin e institucioneve vendimmarrës për të kryer konsultime publike, a keni bërë ndonjë përpjekje për ta vënë institucionin përpara detyrimit për të zbatuar këtë ligj?

V.N.: Para pak vitesh e detyruam Këshillin Bashkiak që të merrte në shqyrtim mendimet dhe propozimet tona për zhvillimin e qytetit dhe pati një bashkëpunim shumë të mire. Tani thjeshtë zhvillohen takime dhe nuk merren vendime. Dëmet që po i shkaktohen biodiversitetit në Përmet dhe zonës përreth nëpërmjet vendimmarrjes së gabuar janë të pariparueshme. Nëse Parkun Kombëtar do t’ia japin Arabëve, ashtu siç kemi dëgjuar, mendimi im është që Përmeti nuk do ketë me asnjë koncept zhvillimor. Të dëmtosh zemrën e Ballkanit, Parkun Kombëtar të Bredhit të Hotovës është krim. Ndoshta do jetë një projekt madhor, por që do ndikojë në biodiversitet. Ai projekt nuk është i përshtatshmëm për Përmetin sepse, në fund te fundit, është jeta e këtyre njerëzve që banojnë këtu dhe më së pari këto pasuri u takojnë vetë përmetarëve t’i gëzojnë dhe t’i zhvillojnë.

Si e vlerësoni mungesën e reagimit të komunitetit kur bëhet fjalë për  projekte klienteliste që rrezikojnë mjedisin?

V.N.: Komuniteti nuk është i ndërgjegjshëm për atë që po ndodh me pasuritë e tij. Shumica kënaqen duke soditur projektet ne 3D që Qeveria i printon sa një çarçaf dhe një qytetar i thjeshtë nuk ka më shumë infromacion dhe nuk interesohet të mësojë detaje. Transparenca mungon totalisht. Edhe kur reagojmë, edhe kur pjemi pjesë e tryezave të dikutimit, në fund vendoset ajo që vendimmarrësit kishin në mend që në fillim.

A nuk ka fuqi një organizëm si ProPërmeti, me anëtarë që përfaqësojnë të gjitha bizneset që mbajnë ekonominë e qytetit, të jetë një zë më i fortë dhe kontribues real në vendimmarrje?

43 anëtarët e ProPërmeti së bashku me përfaqësuesit më me emër përmetarë kudo nëpër Shqipëri dhe në botë e kanë ngritur dhe vazhdojnë ta ngrejnë zërin. Lufta për mbrojtjen e Vjosës që e çoi problemin deri në instancat e larta të Bashkimit Evropian është shembulli më i mirë se bashkimi bën fuqinë. Sa më shumë të integrohemi me njëri-tjetrin aq më të fuqishëm do jemi si zë.

Si e vlerësoni rolin e mediave në dhënien zë të problematikave që ju ngrini?

V.N.: Normalisht suporti mediatik është i domosdoshëm për t’i dhënë zë një kauze, megjithëse shpesh kam rezerva se si bëhet gazetaria në këtë vend dhe se si gazetarë apo media të caktuara përpiqen ta manipulojnë opinionin.

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here