Bisedoi: Elena Beta
Përgjigjet: Erlis Hasa, specialist teknologjie pranë Institutit “Adriapol”
Një nga projektet e radhës të “Shkollës si Qendër Komunitrare”, i cili është një projekt i mbështetur nga Ministria e Arsimit dhe IADSA (Italian-Albanian Debt for Development Swap Program), ka të bëjë me ndërhyrjet për riparimin dhe përmiresimin e ambjenteve të shkollave . Aktualisht nën projekt janë 5 shkolla të shtrira në disa qytete të Shqipërisë ku do të ndërhyet për t’ju ofruar sa më shumë komoditete të rinjve që studiojnë çdo ditë pranë këtyre shkollave:
Shkolla “Andon Zako Çajupi” në Tiranë
Shkolla “Sait Najdeni” në Peshkopi
Shkolla “28 Nëntori” në Shkodër
Shkolla “Raqi Qirinxhi” në Korçë
Shkolla “Halim Xhelo” në Vlorë
Çfarë mund të na thoni më shumë lidhur me vazhdimësinë e projektit “Shkolla Qendër Komunitare”?
Investimi i radhës ka të bëjë me ndërhyrjen në përmirësimin e ambienteve shkollore, sidomos palestrat, për të shmangur të gjitha problemet evidente që ekzistojnë aktualisht. Lagështira apo dhe kushtet e brendshme të këtyre ambienteve mund të themi se lenë për të dëshiruar, prandaj dhe ne në kuadër të këtij projekti kemi planifikuar të bëjmë një ndërhyrje fizike në këto ambiente dhe më tej do të bëhet dhe pajisja e tyre me mjetet e duhura.
Si do të bëhen ndërhyrjet konketisht? Çfarë parashikon projekti?
Palestra do të pajiset me topa të rinj, kosha basketbolli, rrjeta volejbolli, gjithçka që mundëson realizimin e aktiviteteve sa më komode për të gjithë të rinjtë frekuentues. Përveç pajisjeve, ndërhyrje do të bëhet edhe në rregullimin e ambientit duke përfshirë lyerjen e sallave dhe eliminimin e lagështirës.
Më tej mendohet të bëhet një ndërhyrje në sallat e informatikës të shkollave, të cilat do të pajisen me kompjutera të reja, si dhe do të futen si risi teknologjitë më të reja, pasi vetë projekti konsiston në nxitjen e nxënesve sidomos në përdorimin e elektronikës. Ky kënd do të quhet ICT (Information, comunication, teknology) korner, i cili do të jetë një mini kënd, një mini laborator ku çdo nxënës do të ketë mundësi të punojë vetë, të bëjë eksperimente të ndryshme në mënyrë të tillë që të përshtasë pjesën teorike me pjesën laboratorike. Laboratori Rinor i Elektronikës (LRE) do të jetë një ndër elementët kryesorë në integrimin e teknologjisë në ambientet shkollore, me qëllim informatizimin e procesit mësimor dhe edukativ. Laboratori do t’ju mundësojë nxënësve ngritjen e vlerave të paçmuara për zhvillimin e rritjen profesionale, të teknikëve e specialistëve të rinj, si edhe do t’ju sigurojë suksesin në shkollë e jashtë saj, drejt një karriere të sigurt në të ardhmen.
Një pjesë e rëndësishme e aktiviteteve të zhvilluara deri më sot është dhe edukimi i nxënësve me teknologjitë që përdoren aktualisht në Amerikë dhe Europë, përsa i përket platformave të edukimit online. Ne kemi berë tashme një prezantim të platformës “Edmodo” e cila ka si qellim futjen e teknologjisë në shkolla për të bërë leksionet sa më komode për nxënësit. Në momentin që një nxënës nuk ka mundësi të shkojë në shkollë mund të marrë leksionet online, mund të këshillohet me mësuesit, pra të bashkëveprojnë nxënës, prindër dhe mësues. Në ketë mënyrë edhe prindi do ta ketë më të thjeshtë duke qënë se mund t’i kontrollojë të gjitha detyrat apo veprimtaritë që kryen fëmija.
Më konkretisht çfarë është platforma “Edmodo”?
Platforma Edmodo është pjesë e programeve të edukimit, e cila ndihmon mësuesit e shkollave të kursejnë kohë, të mbajnë klasat e organizuara dhe të përmirësojne komunikimin me nxënësit. Mësuesit mund të krijojnë detyra dhe t’jua caktojnë ato nxënësve online, të publikojnë njoftime të ndryshme, apo të nisin diskutime të menjëhershme me klasën. Mësuesit mund të shohin lehtësisht se cili prej nxënësve ka ose nuk ka kompletuar detyrat e caktuara dhe do të mund të japin një vlerësim në kohë reale në lidhje me notat apo komentet që mund të bëhen për detyrat. Studentët gjithashtu do të mund të ndajnë materiale me njëri tjetrin dhe të bazhkëveprojnë me klasën nëpërmjet këtij aplikacioni, i cili mund të aksesohet direkt nga telefonat ‘smart’ ose nëpërmjet një kompjuteri.
A kanë filluar ndërhyrjet në shkollat e përzgjedhura?
Këto janë aktivitetet e rradhës dhe mendohet që çdo nxënësi t’i jepet mundësia të hedhë një hap të sigurt drejt teknologjisë më të fundit. Ndërkohë, në shkollën “Raqi Qirinxhi” në qytetin e Korçës punimet kanë filluar dhe së shpejti priten të vijnë pajisjet ndërkohë edhe në qytetet e tjera ndërhyrjet do të vijojnë shumë shpejt.

