Promovimi i barazisë gjinore në dhe përmes medias

trajnim_barazia gjinore

Media, pushteti i parë që luan rol në krijimin e mentaliteteve mbi barazinë gjinore. U shpreh kështu  Edlira Çepani, eksperte e çështjeve gjinore dhe Koordinatore Kombëtare e Rrjetit të Grave “Barazi në Vendimmarrje”. Çepani ishte e ftuar sot në trajnimin “Promovimi i barazisë gjinore në dhe përmes medias” të organizuar nga Shoqata “Together for life” në kuadër të projektit “Ai dhe ajo krijojnë jetën, bëje botën portokalli!”, mbështetur nga UNDP me fonde të qeverisë suedeze.

Në këndvështrimin e znj. Çepani, media është pushteti i parë  dhe luan një rol vendimtar në krijimin e mentaliteteve  mbi barazinë gjinore dhe rolin që iu caktohet  gruas  dhe burrit në shoqëri, sepse mediat tradicionale dhe ato sociale mbërrijnë dhe depërtojnë në të gjithë territorin e vendit dhe ndiqen nga të gjitha shtresat dhe grupet e shoqërisë.

trajnim_barazia gjinore4

Në këtë kuptim, mënyra sesi portretizohen vajzat dhe gratë në media, ndikon drejtpërsëdrejti në  krijimin  e perceptimeve dhe  steriotipeve gjinore mbi rolin  e gruas në shoqëri apo edhe të pritshmërive që shoqëria  promovon dhe nxit lidhur me statusin dhe  kontributin shoqëror të gruas. Gjatë këtij takimi theksi u vu tek trajtimi i pabarabartë që i bëhet vajzës dhe gruas duke filluar që në familje, ku djali dhe  vajza edukohen në mënyra të ndryshme dhe djalit i jepen më shumë të drejta dhe më pak përgjegjësi; në shoqëri, ku  grave iu merret mendim vetëm për çështje dhe tematika të konsideruara “tradicionale”, si mbarëvajtja familjare, mënyra e jetesës apo problematikat shëndetësore; në politikë, ku  ende mbizotërojnë burrat dhe jo vetëm në numra; në punë, ku parimi i ligjeve ndërkombëtare të punës: “shpërblim i barabartë për punë të barabartë, ngjan ende një utopi dhe shumica e grave paguhen, akoma sot,  më pak se burrat.

trajnim_barazia gjinore1

“Duhet patur shumë kujdes me gjuhën e zgjedhur në raportimin e çështjeve të ndryshme dhe mesazhet e fshehta që gjuha e përzgjedhur kumton,- u  shpreh Znj. Çepani.“Edhe në ato pak raste që shfaqen në media, gratë dalin të nënpërfaqësuara, pa autoritet, pa pushtet, në një kontekst familjar, të ndërvarura me të tjerë dhe në një punë me status të ulët, ndërsa burrat shfaqen të mbipërfaqësuar, profesionistë me punë të mirë, me autoritet dhe pushtet individual,”

Media shqiptare e ka në dorë për të krijuar një stereotip gjinor të shëndetshëm, po aq sa edhe t’i mëshojë modeleve tradicionale patriarkale ose të keqdrejtojë qoftë edhe në mënyrë të paqëllimshme mundësitë dhe aftësitë e gruave dhe vajzave.

trajnim_barazia gjinore3

“Si gazetare, kemi detyrim që të përçojmë vlera në shoqëri, sidomos për sa i përket barazisë gjinore, që është mënyra më e mirë për të shpëtuar shoqërinë”, u shpreh gazetarja Erjona Rusi.

Në fjalën e saj Rusi solli disa shifra interesante, ku në një qasje krahasimore me Suedinë si vend me zhvillim tepër të lartë u pa se:

“Nga 1 janari deri më 10 prill 2016, 147 gra kanë kërkuar urdhër mbrojtjeje vetëm në Tiranë. Çdo ditë të paktën më shumë se 1 grua ka kërkuar urdhër mbrojtje.

“Në Suedi 82% e grave punojnë, në Shqipëri 51% e grave punojnë.

Në Shqipëri(2.831 milionë), janë 16 gra të vrara. Ndërkohë, në Suedi (9.593 milion), janë vrarë 15 gra”.

Në përfundim të fjalës së saj, Rusi ndau me të gjithë pjesëmarrësit dy video të realizuara në mënyrë vullnetare prej saj. Dy video konceptuale për rëndësinë e trajtimit të barabartë të burrave dhe grave në shoqëri.

Aktiviteti u mbyll me diskutime midis pjesëmarrësve.

 

Postime të ngjashme

Çfarë është obeziteti metabolikisht i shëndetshëm dhe obeziteti metabolikisht jo i shëndetshëm
Rreth 16 milionë kg mish derri nga Brazili, BE e ndaloi, Shqipëria vazhdon të importojë me shumicë
Anulohet tenderi prej 50 milionë eurosh për hemodializën
“Nuk duhet të hani një vakt në ditë”, mjekja zbulon sekretin për një jetesë të shëndetshme për pacientët obezë
A do ta shërojë AI kancerin? Ja çfarë thotë shkenca
Pse disa njerëz përjetojnë dridhje nga kafeina, ndërsa të tjerë jo
Kostoja e shëndetit, 8% e shqiptarëve nuk përballojnë ekzaminimet, e dyta më e lartë në Europë
“Ministri e vdekjes”- Protestuesit ndalen para ministrisë së Shëndetësisë