Pula që jetoi 18 muaj pa kokë

Përshtati në shqip për “Shëndet+”: Arlinda Gjypi

70 vjet më parë, një fermer në Kolorado, i këputi kokën njërës prej pulave të tij. Por kjo e fundit “refuzoi” të vdiste. Majku (Mike), siç u emërtua zogu, mbijetoi për 18 muaj dhe u bë i famshëm. Por si ndodhi?

Më 10 shtator 1945 Lloid Olsen dhe gruaja e tij Klara po u prisnin kokën pulave në fermën e tyre në Fruita, Kolorado. Olsen u këpuste kokat, ndërsa e shoqja i pastronte. Por një prej 50 zogjve nuk u soll si gjithë të tjerët.

Pula pa koke“Të gjitha ngordhën pas njëfarë kohe, por një prej tyre vazhdonte të vinte rrotull”, shprehet stërnipi i çiftit Olsen, Troi Uaters, gjithashtu fermer në Fruita.

“Pula vazhdoi të vraponte dhe nuk ndalonte. Kështu që ata e futën pulën në një kuti mollësh dhe e lanë aty gjithë natën. Por në mëngjes, ajo ishte ende gjallë”.

Troi tregon se si rrjedhojë e kësaj, stërgjyshi i vet bashkë me stërgjyshen lëvizën nëpër gjithë vendin duke u treguar njerëzve pulën pa kokë (që filloi të njihej si Majku i mrekullueshëm). Ata e ushqenin Majkun përmes fytit me ushqime të lëngshme dhe ujë. Gjithashtu ia pastronin fytin me një shiringë. Natën që Majku ngordhi (pas 18 muajsh), ata ishin në një dhomë moteli në udhëtimin e tyre nëpër shtet, ndërsa dëgjuan pulën që kollitej. Teksa kërkonin shiringën për t’i pastruar fytin, Majku u mbyt.

Për shumë vite me radhë Lloid Olsen pretendoi se pulën pa kokë e kishte shitur. Vetëm pak para se të vdiste ai tregoi se në fakt Majku kishte ngordhur. E kishte shumë të vështirë të pranonte që kishte çuar dëm “pulën që prodhonte vezë të arta”.

Por si ka mundësi që Majku i mbijetoi prerjes së kokës? Mjekët e shpjegojnë me faktin se truri i pulës është shumë i vogël. Duke qenë se pula nuk ka pasur derdhje gjaku kur i është prerë koka, ka shumë mundësi që prerja të jetë kryer në pjesën e trurit, duke ruajtur kështu komandat që i duheshin për të lëvizur. Një nga mjekët thotë: “Do të habiteshit po të dinit se sa i vogël është truri i pulave”. Mjekët mendojnë se Majkut i është prerë vetëm një pjesë e trurit, ndërkohë që gjithçka që kontrollon trupin e pulës ka mbetur e paprekur.

“Shumë mendojnë se stërgjyshi im u bë shumë i pasur për shkak të pulës pa kokë”, thotë Troi. “Sigurisht, ai fitoi ca: arriti të blinte dy traktorë dhe një korrëse, për të zëvendësuar mushkën dhe kalin. Gjithashtu edhe pak luks për kohën: një kamion “Chevrolet”.

I pyetur nëse ia kishte kaluar mirë, Lloid Osen kishte deklaruar se vërtet, gjatë kohës që Majku ishte gjallë, kishte shëtitur në shumë vende që s’do t’i kishte vizituar kurrë.

“Gjithsesi, – thotë Troi, – ai jetoi dhe vdiq si fermer”.

Postime të ngjashme

Shtatë fëmijë të Kopshtit nr. 10 në Vlorë përfundojnë në spital, dyshohet për helmim nga ushqimi
Produktet e pasigurta në treg, alarmi vjen nga Belgjika; kontrollet në Shqipëri ranë me 33% në 2025
Buxheti 2027/ Spahiu: 117.8 miliardë lekë për shëndetësinë dhe mirëqenien sociale
Përtej vitaminës D: Si ndikon drita e diellit në metabolizëm dhe sheqerin në gjak
Pudinga me copëza xhami në treg, AKU: Mos e konsumoni
Medikamentet GLP-1 RA: Çfarë duhet të presin personat me obezitet nga trajtimi me këto barna?
QSUT prej muajsh pa aparaturën e Litotripsisë, pacientët me gurë në veshka pa shërbim
Tragjedi në Spitalin e Traumës në Tiranë/ Pacienti hidhet nga kati i tretë dhe humb jetën, policia nis hetimet