Pyet mjekun: Më skuqen sytë dhe kam dhimbje, çfarë të përdor?

Përshëndetje! Çfarë mund të përdor për skuqje të syrit dhe dhimbjen e brendshme të pjesës së sipërme të kapakut. Respekte, pres përgjigje nga ju si specialist.

Përgjigjet Vjona Kurti, mjeke okuliste pranë Poliklinikës nr. 3 në kryeqytet

Skuqja e konjuktivës (të bardhës së syrit)  mund të vijë për shumë shkaqe. Mund të jetë një infeksion i stinës (për shkaqe bakteriale ose virale), një keratit (infeksion i xhamit të syrit), por që në këtë rast nuk kemi të bëjmë vetëm me skuqje por edhe lotim e fotofobi (mbindjeshmëri ndaj dritës). Mund të jetë për shkaqe të konjuktivit nga syri i thatë, që është shumë i shprehur sidomos në këtë stinë për shkak të alergjive dhe diellit.

Trajtimi jepet në varësi të shkakut. Në rastin e konjuktiviteve jepet antibiotik i kombinuar me kortizon për reduktimin e skuqjes dhe kruarjes. Në rastin e keratiteve (në varësi dhe të llojit bakterial ose viral) jepet antibiotik me pika ose pomadë. Nëse kemi të bëjmë me konjuktivite të syrit të thatë, jepet përsëri pomadë, ose lot artificial me pika.

Por kurrsesi nuk mund të rekomandohet diçka pa u vendosur diagnoza e saktë. Kur kemi të bëjmë me probleme të syrit, gjithmonë duhet vizita, pasi syri është i vetmi organ që nuk mund të shikohet me sy të lirë. Strukturat e syrit shikohen vetëm në  biomikroskopi dhe vetëm pasi të kemi kryer këtë procedurë, përcaktohet problemi dhe në varësi të kësaj caktohet dhe mjekimi.

Po për dhimbjen e syve?

Në qoftë se kjo dhimbje është e dukshme sidomos në prekje, dhe shoqërohet me edemë, me shumë mundësi kemi të bëjmë më një kalazion ose siç njihet ndryshe në gjuhën e popullit byc.

Kalazioni është një inflamacion i gjëndrave të yndyrës që gjendet poshtë kapakut të syrit dhe shërbejnë për lubrifikim gjatë hapje-mbylljes. Në moment të caktuara ai mund të infektohet duke shkaktuar inflamacion.

Kjo kërkon mjekim me antibiotik, mundësisht të ketë edhe pak kortizon, pasi shërben për përthithjen e qelbit dhe qetësimin e shenjave të edemës, dhimbjes dhe skuqjes./ Shendeti.com.al

Postime të ngjashme

Si mund të humbasë peshë në mënyrë të shëndetshmë një person obez?
Çfarë ndodh me foshnjën nëse diabeti i shtatzënisë nuk mbahet nën kontroll
Obeziteti gjatë shtatzënisë, mjekja tregon si mund të ndikojë në shëndetin e fëmijës
Sheqeri i lartë në gjak gjatë shtatzënisë, mjekja tregon si mund të mbahet nën kontroll
Mjekja tregon keqkuptimin më të madh në lidhje me obezitetin
Pse qumështi i gjirit është kaq i rëndësishëm për shëndetin dhe zhvillimin e foshnjës
Sa shpesh duhet të bëjnë kontrolle personat me obezitet dhe kur duhet të nisin ato?
Mjekja shpjegon pse rënia në peshë nuk është gjithmonë në dorën e pacientit