Kryefaqja Aktualitet Pyetje që bëhen shpesh mbi sigurinë e vaksinave COVID-19

Pyetje që bëhen shpesh mbi sigurinë e vaksinave COVID-19

0
Shpërndaje

Vaksinimi kundër COVID-19 është i sigurt, efektiv dhe shpëton jetë!

Pyetjet në vazhdim shpjegojnë përfitimet, efektivitetin e vaksinave dhe sigurinë e vaksinave.

A është e sigurt vaksina Johnson & Johnson?

Të gjitha vaksinat kundër COVID-19 janë të sigurta dhe tejet të efektshme; ato ofrojnë nivele të larta të mbrojtjes kundër sëmundjes serioze, shtrimit në spital dhe vdekjes. Ekziston një rrezik për probleme të rralla, por serioze, që lidhen me trombët e gjakut dhe uljen e numrit të pllakëzave (trombociteve), ose sindromën Guillain Barré (kur sistemi imunitar i trupit dëmton qelizat nervore, duke shkaktuar dobësi muskulore dhe ndonjëherë paralizë), tek disa nga ata që marrin vaksinën J&J kundër COVID-19. Shansi që të ndodhin këto është shumë i ulët dhe as mund të krahasohet me përfitimet e vaksinës.

Si ta dimë që vaksina është pa rrezik?

Ka rëndësi të dihet se vaksinat testohen më shumë se çdo preparat tjetër farmaceutik. Më parë, vaksina e provës u jepet grupeve të vogla të njerëzve. Pastaj, vaksina u jepet njerëzve me karakteristika të caktuara (p.sh. mosha, raca dhe shëndeti fizik). Më pas, vaksina u jepet dhjetëra mijëra vetëve, për t’u testuar për efektshmëri dhe siguri.

Pas kësaj, Komiteti Këshillues i CDC për Praktikat e Imunizimit (ACIP) i shqyrton të dhënat, për të parë nëse vaksina punon dhe është e sigurt. Ata këshillojnë Administratën e Shteteve të Bashkuara për Ushqimin dhe Barnat (FDA). FDA-ja studion të dhënat dhe këshillat që jep ACIP dhe vendos nëse do ta miratojë vaksinën. Vaksina miratohet vetëm kur të jenë marrë të gjitha këto masa, dhe ekspertët të sigurohen se ajo punon dhe është e sigurt.

Si mund të jetë e sigurt vaksina, nëse u zhvillua kaq shpejt?

Afati për të zhvilluar një vaksinë kundër COVID-19 u përshpejtua, por asnjëherë nuk u bënë kompromise për sigurinë. Dhe ja si:

  1. Ne kishim tashmë informacion të dobishëm: Virusi COVID-19 është pjesë e një familjeje koronavirusesh që është studiuar për një kohë të gjatë. Ekspertët mësuan shumë gjëra nga epidemitë e shkaktuara nga koronaviruse të tjera, që u shërbyen për të zhvilluar vaksinën kundër COVID-19, në mënyrë që të shmangnin nisjen nga zeroja.
  2. Zhvillimi i vaksinës përfitoi nga fondet shtetërore: Shtetet e Bashkuara dhe shtete të tjera investuan fonde të mëdha për të mbështetur përpjekjet e kompanive të vaksinave. Bashkëpunimi mes vendeve të ndryshme i ka ndihmuar studiuesit të bëjnë përparime të shpejta.
  3. Një numër i madh njerëzish morën pjesë në provat klinike: Shumë vetë u treguan të gatshëm të ndihmojnë, duke u ofruar të marrin pjesë gjatë fazës kur u studiuan vaksinat. Kompanive nuk iu desh të shpenzonin kohë për të gjetur vullnetarë.
  4. Prodhimi i vaksinës u ndërmor njëkohësisht me studimet e sigurisë: Kompanitë e vaksinave arritën të prodhojnë dhe të magazinojnë doza të vaksinës njëkohësisht kur po kryheshin studime (të njohura edhe si prova klinike) për të treguar se vaksinat ishin të sigurta dhe të efektshme. Kjo do të thotë se vaksinat ishin gati për t’u shpërndarë sapo morën miratimin.

Si mund të jetë e sigurt vaksina, kur ne nuk i njohim efektet anësore afatgjatë?

Vaksinat Pfizer dhe Moderna kundër COVID-19 janë nga ato që ekspertët i quajnë vaksina të lajmëtarit RNA, ose shkurt, mRNA. Vaksina Janssen (Johnson & Johnson) quhet vaksinë me vektor viral. Të dy llojet e vaksinave janë studiuar në prova me kafshë dhe njerëz për vite me radhë. Nga ana tjetër, COVID-19 është shfaqur vetëm para rreth një viti dhe efektet anësore afatgjatë të infeksionit nga COVID-19 janë përgjithësisht të panjohura dhe mund edhe të jenë serioze. Prandaj vaksinimi është gjëja më e mirë që mund të bëni, për shëndetin dhe sigurinë tuaj afatgjatë.

Ekspertët do të vazhdojnë të gjurmojnë efektet anësore të vaksinës kundër COVID-19. Pjesëmarrësit në provat klinike do të gjurmohen për 2 vjet. Persona të tjerë që vaksinohen mund të përdorin një vegël të quajtur v-safe në smartfonët e tyre, për ta njoftuar menjëherë CDC-në nëse kanë ndonjë efekt anësor, pasi ta kenë bërë vaksinën kundër COVID-19. Përdoruesit e V-safe mund të bashkëndajnë informacion për deri një vit pas vaksinimit.

Shoqata Together for Life, për të rritur ndërgjegjësimin ndaj vaksinimit për COVID-19, në kuadër të fushatës “Le të flasim për vaksinat”, mbështetur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në Shqipëri – WHO Albania.

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here