Mark Brunga
Qendra shëndetësore e Bratajt (Vlorë) është jashtë çdo standardi për të qenë një institucion shëndetësor në një zonë me mbi 10 000 banorë. Çdo person që hyn për herë të parë në të, po të mos lexonte mbishkrimin në një pllakatë anash derës kryesore ku shkruhet “Qendra Shëndetësore Brataj”, do t’i dukej se po hynte në një banesë të braktisur, të ngjashme me repartet e vjetra ushtarake pas viteve ’97. Shihen ngado vijat e rrëkeve të shirave që kanë rrjedhur lirshëm dhe zonat e tëra ku ujërat janë shpërndarë dhe thithur nga sipërfaqja gëlqerore e mureve, saqë kanë krijuar një muze të vërtetë hartash nga më të çuditshme dhe janë mbushur tashmë edhe me myshk.
Në këtë ndërtesë shërbejnë 5 infermierë, që pavarësisht përkushtimit të tyre, mund të merret lehtë me mend se sa mirë mund të shërbehet popullsisë në rastet e shqetësimeve që ato kanë. Për këtë, banorët thonë se kështu siç është qendra, në vend që t’i shërojë, mund t’i bëjë edhe më keq.
Për gjendjen skandaloze, jashtë çdo kushti higjieno-sanitar ku ndodhet sot qendra shëndetësore e Komunës së Bratajt në Vlorë është prononcuar për mediat edhe përgjegjësi i kësaj qendre, Dane Dervishaj. Ky i fundit denoncon gjendjen dhe indiferencën shtetërore, indiferencë e cila ka bërë që të anashkalohen 3 projekte për restaurim të qendrës së rrënuar.
Dervishaj shprehet mjaft i shqetësuar për gjendjen e qendrës shëndetësore ku banorëve nuk mund t’u afrohet një shërbim shëndetësor dinjitoz. Për këtë ai ka kërcënuar me bojkotimin e shërbimeve shëndetësore në të pasi, sipas tij, ka pasur 3 projekte riparimi, por deri tani nuk është bërë asgjë. “Projektet, – thotë ai, – kanë mbetur në letër në arkivat e Drejtorisë së Shëndetit Publik Rajonal të Qarkut të Vlorës.
“Ne Qendrën Shëndetësore kemi për ta bojkotuar. Aty punojnë 5 infermiere dhe nuk dimë se të rrimë, sepse kur bie shi, ajo përmbytet. Nuk është qendër shëndetësore, por është shpellë! Tamam shpellë! Dhe ne kërkojmë që nëpërmjet shtetit, në rrugë shtetërore që ajo urgjentisht të rikonstruktohet, në të kundërt do të bojkotojmë shërbimin. Kemi kërkuar investime. Na kanë premtuar. Projekti është bërë. Janë 3 projekte dhe deri më sot nuk është marrë asnjë masë për Shërbimin Shëndetësor në Brataj. Nëse nuk do të vihet dorë nga shteti minimalisht për të rregulluar një çati artificiale ose të bëhen punime hidroizoluese të soletës, ndryshe atje nuk mund të punohet. Do të bojkotojmë shërbimin”.
Nga sa përshkruam, gjendja në këtë zonë është mjaft e rëndë. Megjithëse çdo ditë flitet për përmirësim të kujdesit shtetëror, ende nuk dihet nëse kjo qendër është në planet afatshkurtra të shtetit për ta rikonstruktuar. Për të siguruar të paktën kushtet minimale, për një shërbim së paku minimal për qytetarët. Gjendja që paraqitëm i përket një komune që në juridiksionin e saj ka rreth 11 fshatra me mbi 10000 banorë.


