Hirsutizmi është rritja e tepruar e qimeve tek femrat në zonat ku kjo rritje kontrollohet nga hormonet androgjene dhe vjen pikërisht si pasojë e rritjes së aktivitetit androgjenik. Në kushte normale vetëm meshkujt që kanë kaluar moshën e pubertetit duhet të kenë qime në këto zona.
Hirsutizmi paraqet rritje të tepruar të qimeve terminale në fushat androgjene sensitive në fytyrë dhe trupin e femrës. Sigurisht
që ky problem estetik, por jo vetëm, i shkakton shumë problem femrave. Për këtë arsye dermatologia Albana Lufi, mjeke dermatologe, shpjegon se elektroliza siguron depilimin 100% të qimeve. Elektroliza është e vetmja procedurë e aprovuar nga Federata Amerikane e Ilaçeve dhe Ushqimit FDA (Food and Drug Administration) për depilimin e përhershëm të qimeve.
Doktoreshë, çfarë është hirsutizmi?
Hirsutizmi është një gjendje klinike që karakterizohet nga prania e tepërt e qimeve tek femrat, në fytyrë dhe në ato zona të trupit ku normalisht nuk duhet të ketë qime si: në fytyrë, mbi buzën e sipërme, në mjekër, në gjoks, në vijën e barkut (sipër pubisit deri tek kërthiza )etj.
Çfarë e shkakton hirsutizmin?
Hirsutizmi vjen ose si rezultat i rritjes së sasisë qarkulluese të androgjeneve (hormoneve mashkullore), ose nga rritja e sensitivitetit të folikulave të qimes ndaj niveleve normale të androgjeneve. Androgjenët janë hormone seksuale që prodhohen si nga vezoret, edhe gjendrat adrenale tek femrat, dhe nga testikujt tek meshkujt.
Shkaktarët e hirsutizmit
- Hirsutizmi hiperandrogjenik, i shkaktuar nga prodhimi në sasi të tepërt të hormoneve androgjenë ose mashkullore (Sindroma e Vezoreve Policistike PCOS, tumoret ovariane apo adrenale)
- Hirsutizmi i induktuar nga faktorët jo-androgjenikë, i cili nuk është i lidhur me veprimin e tepërt të hormoneve androgjenë, por në përgjithësi shkaktohet nga medikamentet
- Hirsutizmi idiopatik (pa shkak). Hirsutizmi idiopatik është një format më të hasura të hirsutizmit. Diagnostifikimi i hirsutizmit idiopatik bazohet në kriteret e mëposhtme:
Prania e hirsutizmit, funksioni ovulator normal, nivelet normale të hormoneve androgjenik.
Me çfarë problemesh të tjera shoqërohet hirsutizmi?
Shumica e grave me hirsutizëm paraqiten me një formë të mesme apo të lehtë të mbiprodhimit të hormoneve androgjenikë, por ndonjëherë hirsutizmi është i shoqëruar edhe me çrregullime të tjera që shoqërojnë hiperandrogjenizmin si p.sh.: alopecia androgjenike, akne vulgaris, çrregullime të menstruacioneve, infertilitet, seborrhea.
A është hirsutizmi problem vetëm estetik?
Në pjesën më të madhe të rasteve hirsutizmi konsiderohet si një problem kozmetik, por që shkakton stres, ankth dhe një shmangie sociale të femrave që e vuajnë atë. Por përveç anës estetike të padëshirueshme, hirsutizmi mund të jetë një shenjë që tregon për një prishje të balancës hormonale apo që ndonjëherë tregon për ekzistencën apo praninë e një tumori në një nga gjendrat që prodhojnë hormone.
Femrat mesdhetare, ku bëjnë pjesë edhe greket, shqiptaret etj, karakterizohen nga një tendencë më e madhe për të zhvilluar hirsutizëm.
Cilat janë ekzaminimet që kryhen në rastin e pacientëve me hirsutizëm?
Ekzaminimet laboratorike të hirsutizmit përjashtojnë mundësinë e çrregullimeve të brendshme. Pas konsultës me mjekun dermatolog, endokrinolog ose gjinekolog përcaktohen ekzaminimet e nevojshme që duhet të bëjë pacientja përpara fillimit të trajtimit të hirsutizmit.
Trajtimi i hirsutizmit
Trajtimi i hirsutizmit varet nga shkaku përgjegjës që çon në shfaqjen e hirsutizmit. Hirsutizmi mund të përmirësohet si rezultat i metodave kozmetike dhe terapive hormonale. Zakonisht mund të shikohet një përmirësim në shkallën e hirsutizmit pas 6 muajsh terapi hormonale, por nëse përdoren njëkohësisht dhe metodat kozmetike, atëherë mund të vihet re një përmirësim më i shpejtë.
Metodat mekanike për trajtimin e hirsutizmit janë: zbardhja e qimeve, përdorimi i briskut, i dyllit, piskatores etj.
Largimi i qimeve me dyll, si dhe shkulja e qimeve mund të shkaktojnë folikulitis (infeksion të rënies së qimes. Përdorimi i briskut për heqjen e qimeve shkakton një dalje të shpejtë të qimeve të shkurtra e të ashpra.
Metoda të tjera efikase që rezultojnë në depilimin e përhershëm të qimeve janë: depilimi me elektrolizë dhe depilimi me lazer
Depilimi me lazer ose IPL realizon shkatërrimin termik të rrënjës së qimeve, pa shkaktuar ndonjë ndikim në indet përreth. Depilimi me dritë pulsuese ose me lazer nuk arrin të eliminojë të gjitha qimet në një seancë, pasi çdo folikul i qimes ka një cikël të vetin të zhvillimit të pavarur nga folikujt e qimeve të tjera, pra, shkatërron vetëm qimet që ndodhen në fazën e rritjes (anagene), sepse në këtë fazë qimet kanë një sasi të bollshme të melaninës. Kjo është arsyeja përse nevojiten disa seanca për të pasur efektin e dëshirueshëm.
Elektroliza siguron depilimin 100% të qimeve dhe është e vetmja procedurë e aprovuar nga FDA (Food and Drug Administration) për depilimin e përhershëm të qimeve.


