Në kuadër të 7-8 marsit drejtoria e QSUT-së organizoi sot në ambientet e saj një aktivitet në nderim të shefeve të shërbimit, pedagogeve dhe mjekeve femra, të cilat për gjithë këto vite nuk kanë reshtur së dhëni kontributin e tyre në shërbim të njerëzimit. E pranishme në këtë aktivitet ishte edhe zv.ministrja e Shëndetësisë, Milva Ekonomi.
“Gratë po transformojnë botën, ti je një prej tyre” ishte ajo çka ishte shkruar në banderolën që qëndronte varur përpara mjekeve pjesëmarrëse në këtë aktivitet. Aktualisht rreth 45 pedagoge, 13 shefe shërbimi, 904 infermiere, 73 kryeinfermiere, 147 mjeke, 11 kryelaborante dhe 95 laborante femra janë të punësuara në QSUT. Në fjalën e saj falënderuese, drejtoresha e QSUT-së Ogerta Manastirli shprehu mirënjohje për punën dhe kontributin që mjeket japin çdo ditë në shërbim të pacientëve të tyre:
“Çdo ditë dhe natë ju jeni në detyrë për të kuruar të sëmurët dhe shpëtuar jetë. Jeni përditë përballë pacientëve plot humanizëm dhe sakrificë. Ne ju jemi mirënjohës për punën dhe sakrificën. Nuk është e lehtë të jesh grua e të punosh në këto detyra. Do të thotë të dish të vendosësh në ekuilibrin e duhur punën dhe familjen. Çdonjëra prej jush ka sjellë ndryshim në këtë qendër spitalore çdo ditë nga pak, ashtu siç jeni ju, fjalë pak e punë shumë. Në këtë qendër punojnë gama më e gjerë e profesionistëve të të gjithë specialiteteve mjekësore.
“13 shërbime mjekësore të rëndësishme drejtohen nga gratë dhe ne kemi një udhëheqëse të madhe, ashtu siç është dhe emri i i spitalit tonë “Nënë Terezën”. Ne këtu jemi së bashku për të punuar, për të sjellë ndryshime pozitive në raport me shërbimet mjekësore por edhe në raport me besimin e qytetarëve ndaj kujdesit shëndetësor”.
Zv. ministrja e Shëndetësisë Milva Ekonomi shprehu gjithashtu mirënjohje dhe falënderime të thella ndaj figurës së mjekes grua. Sipas saj femrat në Shqipëri janë ato që përpiqen më shumë, mësojnë më shumë dhe kanë pjesëmarrje në arsim më shumë sesa meshkujt. Zv.ministrja ndër të tjera theksoi edhe detyrën e rëndësishme që u takon mjekeve për të përcjellë mesazhe shëndetësore që lidhen me shëndetin dhe jetëgjatësinë sa më thellë dhe afër familjeve.
Në këtë aktivitet ishin të pranishme edhe dy nga emrat më të spikatur në mjekësinë shqiptare: Rusheni Golemi dhe Adelina Mazreku. Jehona e kontributit të tyre është e pranishme ende sot e kësaj dite. Duke sakrifikuar mes paragjykimeve dhe pamundësive të kohës, Adelina Mazreku dhe Rusheni Golemi kanë dhënë shumë jo vetëm për shqiptarët, por edhe për pasardhëset e tyre. Në fjalën e saj doktoresha Mazreku e emocionuar falënderoi drejtorinë e QSUT-së për ftesën.


