QSUT, përurohet blloku operator në Shërbimin e Djegie-Plastikës

U përurua sot në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” blloku operator dhe infrastruktura ndihmëse e tij në Shërbimin e Djegie-Plastikës, e mundësuar nga mbështetja financiare në formën e një granti të Komisionit Europian.

“Janë rreth 1 milion euro të financuara nga një grant i BE-së, që kanë mbështetur këtë projekt. Është një projekt i rëndësishëm që rrit në radhë të parë sigurinë për vetë qytetarët shqiptarë”, tha ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, në ceremoninë e përurimit. Projekti, sipas tij, u inicua pas tragjedisë së Gërdecit. “Ngjarje të tilla për fat të keq vazhdojnë të ndodhin në shoqëri, por sot ne jemi më të sigurtë se mund të përgjigjemi në mënyrë e duhur sipas standardeve të përpararuara evropiane për këto sëmundje”, theksoi Beqaj, duke shtuar se “ka më shumë siguri edhe për mjekët që punojnë këtu, por që në mungesë të kësaj infrastrukture e kanë pasur më të vështirë që punën djersën dhe talentin e tyre ta përkthejnë në kujdes më të mirë shëndetësor”.

Beqaj theksoi se edhe impianti i trajtimit të ujërave dhe gazrave që më pas do të përcillen në mjedis sjell më shumë siguri.

Ndërsa drejtoresha e QSUT-së tha se “qëllimi i realizimit të këtij projekti është rritja e kapaciteteve kuruese të pacientëve që kanë djegie të rënda si dhe aplikimi i standardeve europiane në kurimin e tyre”.

Clive Rumbold, i Ngarkuari me Punë i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, tha se “në BE, ne vendosëm me autoritetet shqiptare se cilat janë prioritetet dhe të gjitha shtetet anëtare së bashku vendosin se ku do ta fokusojnë ndihmën që ata do të japin”.

Projekti përfshin rikonstruksionin e plotë të bllokut operator me infrastrukturat ndihmëse të tij, instalimin e disa aparaturave, pajisjeve dhe mobiljeve mjekësore, furnizimin e një pakete barnash të domosdoshme për shërbimin dhe trajnimin e stafit ekzistues.

Postime të ngjashme

Ethet e Nilit në Korçë, ISHP në terren pas konfirmimit të rastit të parë në Shqipëri. Hetime dhe depistim për parandalimin e infektimeve
Konfirmohet rasti i parë i Virusit të Nilit Perëndimor në Shqipëri
Shkoi te Spitali i Traumës se e kishte më afër, nëna lind të shëndetshëm foshnjën në Tiranë
VIDEO/ Çfarë është prediabeti?
Pas PPP-së, shteti tenderon dializën me kosto 43 % më të lartë se mesatarja e koncesionit  
Eklipsi diellor: Kujdes me sytë, ja si ta shikoni në mënyrë të sigurt
VIDEO/ Mjekja zbulon dy shtyllat kryesore për të rënë nga pesha
Raporti i KLSH nge alarmin: 43 barna të rimbursueshme janë hedhur në treg pa autorizim