Organizata Përtej Barrierave sapo përfundoi me sukses konferencën ndërkombëtare me tematikën e Qytetarisë Aktive për pjesëmarrje dhe demokraci, me pjesëmarrës nga Anglia, Gjermania, Polonia, Serbia, Maqedonia dhe Serbia. Aktiviteti nisi në datën 15 shtator me pjesëmarrjen 60 përfaqësuesve nga shtetet
partnere të fushave të ndryshme, si: punonjës social, drejtues organizatash të shoqërisë civile, përfaqësues të forumeve rinore politike, studentë dhe vullnetarë. Konferenca u hap në sallën e Muzeut Historik Ndërkombëtar për të vazhduar të nesërmen në ambjentet e Ministrisë së Kulturës.
Dita e dytë e aktivitetit u hap me një konferencë për shtyp në sallën “Tefta Tashko Koço” të Ministrisë së Kulturës në Tiranë. Drejtoresha e organizatës, znj. Ana Mullanji, mbajti fjalën e hapjes duke u fokusuar në ndihmën që Bashkimi Evropian i jep vendeve si Shqipëria, përmes programeve komunitare dhe projekteve që sjellin së bashku aktivistë dhe profesionistë të fushave të ndryshme për të diskutuar çështje të interesit të përbashkët dhe për të ndihmuar në procesin e integrimit të vendit. Gjithashtu ajo u fokusua në prezantimin e vëzhgimit të bërë gjatë këtij projekti 17-mujor i cili sjell për herë të parë një këndvështrim të nocionit dhe perceptimit që kanë qytetarët e Ballkanit Perëndimor mbi qytetarinë evropiane.
Një fokus të veçantë në konferencë pati prezantimi i publikimit “Studim mbi perceptimin e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor mbi qytetarinë aktive dhe atë evropiane”. Ky studim sjell në fokus perceptimin e qytetarëve të Tiranës, Shkupit dhe Novisadit mbi nocionet e qytetarisë aktive dhe evropiane duke pasur në konsiderate integrimin e tre shteteve në Bashkimin Evropian. Njëkohësisht ky studim i cili përfshin opinionin e 1500 qytetarëve të moshave të ndryshme, synon të pasqyrojë sadopak njohuritë dhe informacionin që kanë qytetarët mbi politikat evropiane si dhe rolin që vetë ata luajnë në këtë proces të integrimit.
Pyetësori me tetë pyetje nxjerr në pah të përbashkëtat dhe ndryshimet në opinione dhe perceptime të qytetarëve të Ballkanit duke iu referuar Evropës, procesit integrues, pjesëmarrjes demokratike dhe perceptimeve mbi qyetarinë aktive.
Gjetjet kryesore të studimit fokusohen në mbështetjen e madhe që qytetarët e Ballkanit kanë për BE-në, duke e parë atë si një union që do të ndihmonte në forcimin e ekonomisë së vendeve të Ballkanit, në sigurinë më të lartë të qytetarëve, si dhe do t’i jepte vendeve zhvillim dhe progres të mëtejshëm.
Njëkohësisht, qytetarët e intervistuar mendojnë se forca kryesore e BE-së është ekonomia, ku 8 në 10 qytetarë përgjigjen se faktori ekonomik është më i rëndësishëm se ai social kur flitet për Bashkimin Evropian.
Ndërkohë 53% e të intervistuarve e përcaktojnë veten si të lidhur ngushtë me kombësinë, dhe vetëm 3 në 10 qytetarë ndihen qytetarë të Evropës. Rreth 60% e të intervistuarve mendojnë se aderimi në BE i shteteve përkatëse (Shqiperi, Maqedoni dhe Serbi) do të ndikonte pozitivisht të drejtat e qytetarit në vend, si dhe do të kishte një ndikim më tepër se pozitiv në demokraci, të drejtat njerëzore si dhe ekonominë e vendeve.
Pas përfundimit të konferencës për shtyp, aktiviteti vazhdoi duke me diskutime dhe grupe diskutimi për 3 ditë të tjera, ku pjesëmarrësit patën mundësinë të shkëmbejnë mendime dhe njohuri mbi tematikën e projektit, si dhe të njohin më nga afër hapat e ndërmarra në Shqipëri mbi procesin e integrimit evropian. Ekspertë të fushës së integrimit, si: Dr. Suela Kusi e cila ka punuar dhe analizuar studimin, si dhe Dr. Sokol Dedja ishin të pranishëm gjatë datës 16 Shtator për të diskutuar me pjesëmarrësit tematikat e përzgjedhura. Dr. Kusi prezantoi analizën e vëzhgimit të bërë dhe vuri theksin mbi rezultate e nxjerra nga ky vëzhgim. Ndërsa Dr. Dedja diskutoi me pjesëmarrësit mbi konceptin e qytetarisë evropiane, zhvillimet e fundit, si dhe perceptimet aktuale. Gjithashtu, ai u dha mundësinë pjesëmarrësve të njihen pak më shumë me procesin e Integrimit të Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit për në Bashkimin Evropian.
Projekti do të mbyllet në fund të muajit dhjetor 2014, dhe do të shënojë kështu dhe projektin e parë të implementuar në Shqipëri mbështetur nga programi Evropa për Qytetarët.
Më shumë informacion mbi projektin në fjalë mund të gjeni në ëëë.active-citizens.org.


