Kryefaqja Aktualitet Qytetarja luftoi me sëmundjen dhe sistemin

Qytetarja luftoi me sëmundjen dhe sistemin

0
Shpërndaje

Kur jeta triumfon! Histori e jetuar

Evelina, nënë e dy fëmijëve, u diagnostikua në vitin 2014 me kancer të gjirit. Beteja me sëmundjen e bëri të kuptoi një botë të errët shpërfilljeje dhe mjerimi, që nuk e kishte parë kur ishte e shëndetshme. Gjatë rrugëtimit të saj, kuptoi që ilaçet mungonin gjatë gjithë kohës, dhe nën vuajtje, asnjë nuk e gjente forcën që të reagonte.

Përtej frikës dhe trishtimit, mblodhi forcat. Duhej të luftonte për fëmijët dhe familjen. Pasi u operua në Austri, iu nënshtrua 8 cikleve me kimioterapi dhe mori 18 herë medikamentin herceptinë.

Medikamenti kushtonte 1800 Euro për seancë dhe duhej ta merrte çdo 21 ditë. Duhej të luftonte për veten, për jetën, për familjen. Në janar 2015 iu drejtua Shërbimit Onkologjik në QSUT, në Tiranë. Këtu u përball me një tjetër fakt të trishtë. Në spital nuk gjendej kura për të cilën kishte nevojë.

Kjo e detyroi që t’i drejtohej sërish Austrisë për të nisur terapinë. Pak muaj më vonë, e pamundur për të vazhduar terapinë, u rikthye në Shqipëri, ku duhej të bënte edhe 14 seanca të tjera me Herceptinë. Sërish nuk kishte ardhur furnizimi me këtë medikament. Në luftë me orët, familjarët arrijnë t’ia sigurojnë medikamentin në Maqedoni. Beteja tashmë nuk ishte vetëm me sëmundjen e  trupit, por edhe me problemet me sistemin shëndetësor në Shqipëri, i cili nuk siguronte medikamentet e duhura në kohë për pacientët. Në maj 2016 duhej të merrte herceptinë për herë të fundit, por sërish nuk kishte medikamente.

Pacientja nuk u largua nga spitali pa e shënuar në kartelë faktin që mungonin ilaçet. Përveç sëmundjes, vendosi të luftojë edhe me sistemin. Falë Zotit dhe sakrificës së familjarëve, Evelina arriti t’ia dalë. Me bindjen që gjërat duhet të ndryshojnë, ajo nuk u ndal. Nëpërmjet mbështetjes së Qendrës së Ligjit pranë Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë – OSFA dhe Shoqatës Together for Life, ajo iu drejtua gjykatës për të kërkuar ndihmë për çfarë ndodhi.

Përpara Gjykatës Administrative ajo kërkoi nga spitali shpërblimin e dëmit për mostrajtimin në kohë me ilaçe, duke i shkaktuar dëme të mëdha shëndetësore dhe psikologjike asaj dhe familjarëve të saj. Ajoi fitoi në Gjykatën e Shkallës së Parë. Në mars, Gjykata Administrative e Tiranës, Shkalla e Parë,  vendosi se pacientja duhet të kompensohet  nga Qendra Spitalore Universitare e Tiranës (QSUT) për mosdhënien e trajtimit të duhur për sëmundjen e saj.
Në vendimin e saj, gjykata arsyetoi se “QSUT ka detyrimin ligjor të bëjë përllogaritjen në kohë të të gjitha nevojave që ka për medikamente dhe t’i propozojë personit të tretë për të prokuruar blerjen e tyre me qëllim që të mos mbetet asnjë periudhë kohore pa ofruar shërbimin mjekësor me medikamente”.

Tani është në pritje tn gjykimit të Apel, për të shënuar rastin e parë të tillë të fituar përpara një gjykate shqiptare. Ajo është e vendosur që këtë betejë ta çojë deri në fund.

Në fund ajo bën një thirrje për të gjithë njerëzit:

Bëni kontrolle mjekësore.

Në çdo rast, kërkoni që të pasqyrohet çdo e dhënë në kartelën mjekësore.

Nëse nuk ka ilaçe, kërkoni që ky fakt të pasqyrohet në kartelë.

Për dëmet që vijnë nga mosmjekimi në kohë, drejtohuni gjykatës.

Evelina është vetëm njëra prej pacienteve të referuara nga “Together for Life” në betejat ligjore për një trajtim më të mirë në sistemin shëndetësor shqiptar. Në vitet e fundit, TFL ka ndërmarrë fushata të shumta ndërgjegjësuese, shumë investigime dhe një numër të madh trajnimesh, seminaresh dhe hapësire mediatike për pacientët. Referimi i pacientëve në betejat ligjore është një tjetër hap që “Together for Life” po bën për mbrojtjen e të drejtave të pacientëve dhe për rritjen e besimit në sistemin gjyqësor.

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here