Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri i shëndetësisë Ilir Beqaj, ishin dje në qendrën shëndetësore nr. 10 në Tiranë, për të parë nga afër zbatimin check-up në kabinetet e kësaj qendre të parashikuara për këtë qëllim.
Qendra shëndetësore nr. 10, është qendra më e madhe në Tiranë që mbulon një zonë prej rreth 80 mijë banorësh, të njësive bashkiake 3 dhe 4, në kryeqytet, nga të cilët 20 mijë janë të grupmoshës 40-65 vjeç. Personeli prej 114 mjekësh, shërben me përkushtim të plotë gjatë gjithë ditës, me dy turne.
Kryeministri u takua dhe bisedoi me mjekët e qendrës dhe qytetarë të rastësishëm që ndodheshin aty për bërë check-up, shumica prej të cilëve për herë të dytë. “Është hera e dytë që e bëj check up. Analizat më kanë dalë shumë mirë”, tha një qytetare.
Doktoresha Rudina Gjini, duke shpjeguar procesin, bëri të ditur se interesi i qytetarëve është në rritje dhe numri i atyre që realizojnë check- up sa vjen dhe shtohet. Mjekja u shpreh se një punë të rëndësishme bindëse në këtë drejtim kanë realizuar edhe mjekët. “Qendra jonë është qendra më e madhe në Tiranë, me një personel prej 114 vetash. Kemi një popullatë prej 80 mijë banorësh, ku përfshihen dy njësi bashkiake 3 dhe 4. Pjesëmarrja sa vjen e shtohet. Muajt e parë patëm probleme sepse njerëzit nuk e kuptonin që mund të shkohet tek mjeku edhe kur je i shëndetshëm. Është hera e parë që bëhet profilaksi në Shqipëri. Kjo është gjëja më e mirë dhe ne që jemi mjekë e kuptojmë rëndësinë e kësaj vlere. Po mundohemi ta thyejmë mentalitetin”.
Kryeministri Edi Rama u shpreh se nëpërmjet check up krijohet për herë të parë një bazë të dhënash shumë e rëndësishme për të vijuar punën për sistemin e shëndetësisë me mbulim universal.
“Ne jemi shteti i vetëm në rajon dhe në Evropë që nuk kemi një kartelë shëndetësore të popullatës dhe duke mos pasur të tilla, nuk dimë se cila është situata e përgjithshme dhe kush janë sëmundjet më problematike, çfarë duhet të bëjmë me politikat më tej, etj. Kjo është vendosja e një bazë të dhënash për herë të parë, pas 20 e kusur vitesh, se para 20 e kusur vitesh edhe lopët, edhe delet kishin kartelën e tyre. Kurse këtu gjithçka u zhduk. Do të ishte mirë ta bënim për të gjithë popullsinë, por jemi fokusuar tek grupmosha 40-65 vjeç sepse aty shfaqen zakonisht problemet e fillesave me sëmundjet. Besoj që të gjithë kanë të mirën që informohen, por është edhe një e mirë e përbashkët, sepse krijojmë një bazë të dhënash për herë të parë dhe mbi atë bazë të dhënash bëjmë dhe politikat që na duhen. Pa këtë bazë të dhënash nuk e bëjmë dot sistemin e shëndetësisë me mbulim universal, d.m.th. falas për të gjithë ata që s’kanë mundësi”, u shpreh kreu i qeverisë.
Kontrolli bazë shëndetësor përfshin vlerësimin e riskut shëndetësor për 7 çështje të rëndësishme të shëndetit të çdo qytetari. Ato janë: 1) Hipertensioni arterial; 2) Obeziteti; 3) Duhanpirja; 4) Kolesteroli; 5) Dieta e varfër; 6) Inaktiviteti fizik; 7) Përdorimi i alkoolit. Gjithçka që evidentohet gjatë kontrollit regjistrohet në dosjen elektronike shëndetësore, dhe më tej, në varësi të vlerësimit të riskut, bëhet komunikimi i tij, dhe fillon procesi i menaxhimit të riskut./ https://shendeti.com.al/


