Denisa Canameti
Kanë qenë të shumta reagimet e bluzave të bardha pas lajmit të largimit të kirurgut vaskular Gentian Çaço nga shërbimi i dializës, vend të cilin asnjë mjek nuk dëshiron të zërë. U vu re një sensibilizim nga ana e bluzave të bardha të cilët shprehën keqardhje për largimin e kolegut të tyre duke paralajmëruar edhe faktin që shumë shpejt shumë mjekë të tjerë do të bëjnë të njëjtën gjë.
“Mënyra e sjelljes ndaj personelit mjekësor do të bëjë që pjesa më e madhe e mjekëve të largohen dhe shërbimin ndaj pacientëve do ta bëjë vetëm administrata e ministrisë apo e vetë QSUT-së apo ndoshta dhe mjekë që kanë harruar sesi shkruhet një recetë apo mbahet stetoskopi”, shkruan mjeku infeksionist Tritan Kalo për rastin në fjalë.
Dritan Vasili është një ndër mjekët që ka lënë QSUT-në për t’u vendosur në një spital privat. Mjeku përmend disa emra të tjerë të larguar duke shpjeguar edhe arsyet e largimit që, sipas tij, nuk janë aspak të panjohura dhe nuk kanë pse mbeten në pikëpyetje. Nëse kërkojmë arsyet e këtij vendimi, Vasili shpjegon se “ne nuk u larguam, por na përzunë”. Vasili i vazhdon komentin e tij duke u shprehur:
“Mjeku Gentian Çaço është larguar për shkaqe që ende nuk bëhen te ditura. (!?)
Për ato shkaqe që kanë ikur dhe do vazhdojnë të ikin:
- problemet infrastrukturore, në pajisje dhe materiale me pasojë pamundësinë për të kryer atë për të cilën mjeku është programuar gjatë studimit të tij mbi 12 vjeçar.
- presioni i përditshëm me vendin e punës që nga shefi e deri tek administrata për të mbyllur gojën lidhur me mungesat e mësipërme.
- presioni nga pacientët dhe familjarët për mosmarrjen e një shërbimi adekuat (më të drejtë)
- Kthim në një jetë dinjitoze. Nuk shtyhet si lypës gjithë jetën duke parë nga duart e pacientëve të lodhur.
- Pamundësia për të implementuar projekte, ëndrra profesionale (Ndoshta gjëra të një bote tjetër… )
Janë të njohura tanimë mungesat në pajisje e materiale mjekësore, mungesa që vënë mjekët përpara vështirësive dhe kthejnë nivelin e tyre të dijes disa vite pas. Duke dëshmuar që shkenca dhe QSUT-ja, shkenca dhe kushtet reale që u ofrohen mjekëve në spitalin shtetëror, janë vite dritë larg.
“E vetmja gjë që u ka mbetur bluzave të bardha, është që të mbajnë sytë drejt Gjermanisë”, shprehet në komentin e saj një infermiere e QSUT-së.


