Realizohet për herë të parë Shintigrafia e Miokardit në QSUT

Shintigrafia e Miokardit me SPECT, një ekzaminim tejet i rëndësishëm në diagnostikimin e stratifikimin e riskut të sëmundjes koronare dhe në vlerësimin e viabilitetit miokardial, mund të realizohet tani e tutje edhe në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë.

Ky ekzaminim rekomandohet si ekzaminim fillestar në pacientët me dhimbje gjoksi që kanë EKG të painterpretueshme, si dhe kur qëllimi është vlerësimi i viabilitetit miokardial.

Kjo sipërmarrje i hap rrugën e zhvillimit Kardiologjisë jo-invazive, nëpërmjet kryerjes së testeve imazherike funksionale të munguara deri tani.

Në studimet e kryera në mbarë botën është parë që Shintigrafia e Miokardit rrit ndjeshëm saktësinë diagnostike e prognostike të variablave klinike e të EKG-së ushtrimore. Shintigrafia e Miokardit me SPECT është një test funksional me sensitivitet të lartë në diagnostikimin e sëmundjes koronare, e cila ka munguar në qendrën tonë spitalore. Ndër testet imazherike funksionale, rolin kryesor e luajnë Stress-Ekokardiografia dhe Shintigrafia e miokardit me SPECT (Single Positron Emission Computed Tomography), të cilat vlerësojnë përkatësisht anomalitë e kinetikës dhe perfuzionin e miokardit si tregues të sëmundjes koronare.

Sëmundja e arterieve koronare është një ndër shkaqet kryesore të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë në botë. Ajo ka marrë përmasa endemike me një impakt të rëndësishëm në kostot e kujdesit shëndetësor.

Identifikimi i hershëm i pacientëve me sëmundje të arterieve koronare ndihmon në reduktimin e shpenzimeve të kujdesit shëndetësor, si dhe në uljen e sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë. Testet jo invazive janë të rëndësishme, nga njëra anë për të përjashtuar sëmundjen koronare me siguri të lartë dhe nga ana tjetër për të zbuluar pasojat e saj hemodinamike që në stadet e hershme, duke bërë të mundur menaxhimin optimal të pacientëve kardiakë.

Postime të ngjashme

Shtatë fëmijë të Kopshtit nr. 10 në Vlorë përfundojnë në spital, dyshohet për helmim nga ushqimi
Produktet e pasigurta në treg, alarmi vjen nga Belgjika; kontrollet në Shqipëri ranë me 33% në 2025
Buxheti 2027/ Spahiu: 117.8 miliardë lekë për shëndetësinë dhe mirëqenien sociale
Përtej vitaminës D: Si ndikon drita e diellit në metabolizëm dhe sheqerin në gjak
Pudinga me copëza xhami në treg, AKU: Mos e konsumoni
Medikamentet GLP-1 RA: Çfarë duhet të presin personat me obezitet nga trajtimi me këto barna?
QSUT prej muajsh pa aparaturën e Litotripsisë, pacientët me gurë në veshka pa shërbim
Tragjedi në Spitalin e Traumës në Tiranë/ Pacienti hidhet nga kati i tretë dhe humb jetën, policia nis hetimet