Nga Blerina Bombaj, dietologe
Një ushqim ideal për fëmijët, plot hekur dhe proteina
Përbërësit
Për 30 qofte (6 racione)
- 35gr tahini
- lëngun e 1 1/3 limoni
- 4 hudhra të shtypura
- kripë, piper
- 7lm vaj ulliri
- 90gr thjerrëza të kuqe
- 50gr bullgur
- 200gr karota
- pak sheqer kaf
- 150ml lëng karote ose ujë
- 1 qepë të kuqe, të grirë hollë
- 1lm kimino
- 1lv spec të kuq të bluar
- 1lm salcë specash
- 1lm pure domateje
- gjethet e dy tufave koliander të freskët ose majdanoz
- kokrrat e 1 shege
- 25gr gjethe sallatë
Përgatitja
- Për të bërë salcën e tahinit, përzieni tahinin me 75ml ujë, lëngun e gjysmë limonit, 1 hudhër të shtypur, kripë, piper dhe 2 lugë të mëdha vaj ulliri. Salca duhet të ketë konsistencë të trashë.
- Hidhni thjerrëzat në 250ml ujë dhe i zieni, pasi marrin vale ulni zjarrin, mbulojini me kapak dhe i lini për rreth 20minuta, deri sa të zbuten plotësisht. Hiqini nga zjarri dhe hidhni bullgurin, i lini rreth 20min bashkë, sa të fryhen kokrrat e bullgurit.
- Gatuani karotat me sheqerin, kripën dhe piperin, në lëngun e karotave ose në ujë. Kur të jenë zbutur plotësisht, kulloni ujin, shtypini dhe bashkojini me thjerrëzat.
- Në tigan vendosni lugën tjetër të vajit të ullirit dhe kaverdisni qepen deri sa të zbutet plotësisht, rreth 7minuta. Hidhni kiminon, specin e kuq pluhur, dhe hudhrën e mbetur, dhe gatuani 2 minuta akoma. Shtoni pastën e specave dhe purenë e domates dhe gatuani edhe 30sec. Hidheni përbërjen në enën me thjerrëzat. Shtoni lëngun e 1 limoni, gjysmën e koliandrit, 2 lugë të mëdha vaj ulliri dhe provoni për kripë, piper.
- Formoni qoftet sa një kokërr arrë, me një shtypje të vogël në mes, për të vendosur shegët. Përzieni koliandrin e mbetur me 2 lugë vaj ulliri dhe limonin që ka tepruar dhe e hidhni sipër qofteve. Spërkateni me salcën e tahinit. Shërbejini me gjethe sallate.
Shpjegime*
- Nëse s’keni koliandër të freskët, përdorni majdanozin.
Kjo recetë është shumë e pasur në minerale, veçanërisht hekur dhe magnez, si dhe në fibra bimore dhe proteina. Përmban antioksidante dhe fitokimikate shumë të vlefshëm kundër kolesterolit të lartë dhe diabetit./ Shendeti.com.al


