Rënia e flokëve, shkaqet dhe trajtimi

Dr. Albana Lufi

Dr. Albana Lufi, mjeke dermatologe

Rëniet e flokëve janë patologji që hasen shpesh në praktikën e përditshme të mjekëve dermatologë, duke shkaktuar shpeshherë shqetësim mjaft të madh tek pacientët. Vlen të theksohet që 1.7% e popullatës zhvillon një formë të rënieve të flokëve gjatë gjithë jetës së tyre. Rënia e flokëve përbën një stres të madh për pacientët që vuajnë nga ky problem, duke filluar nga moshat pediatrike, ku familjarët dhe vetë fëmijët e vuajnë këtë problem. Edhe për të rriturit, stresi që ata paraqesin në lidhje me rëniet e flokëve nuk është i vogël, pavarësisht formave të alopecive që ata paraqitin.

Cilët janë shkaktarët kryesorë të rënies së flokëve?
Shkaktarët e rënies së flokëve janë të shumtë. Fillimisht do përshkruajmë format kryesore të rënies së flokëve, pasi çdo formë ka shkaktarë të ndryshëm.

Format kryesore të rënies së flokëve janë:
Alopecia areata, e cila paraqet një rënie inflamatore të flokëve me vatra, me madhësi të ndryshme si pasojë e një procesi autoimun. Shkaqet janë të panjohura, por kontribuojnë shumë faktorë, si: faktorët gjenetikë, stresi, çrregullimet endokrine kryesisht të tiroides, vatrat infektive (tonsilit, sinuzit, dhëmb i infektuar) dhe anemia.
Telogen effluvium ose rënia e përgjithshme e flokëve në gjithë sipërfaqen e kokës – kjo rënie mund të jetë e tipit të menjëhershëm (effluvium anagen distrofik) e shkaktuar nga kimioterapia, citostatikët, situatat me stres emocional të rëndë; ose e tipit të vonshëm (alopecia telogenike), ku shkaktarët më të shpeshtë të kësaj forme janë: çrregullimet hormonale, alopecia post partum (rëniet e flokëve pas lindjes), çrregullimet e tiroides, sindromi i Ovarit Policistik (PCO), mungesa e hekurit, infeksionet e shoqëruara me temperaturë të lartë si ethja tifoide, influenca, sifilizi sekondar, erizipela, stresi emocional i rëndësishëm (vdekje, divorc, falimentim). Stadet e hershme të alopecisë androgjenike, fillimi dhe ndërprerja e kontraceptivëve orale, sëmundjet akute psikiatrike, sëmundjet kronike, eritrodermia, dermatomioziti, lupusi sistemik, diabeti melitus, sëmundje që çojnë në kaheksi, AIDS, tumore, sëmundjet hepatike, morbus Crohn, mungesa e zinkut, ndërhyrjet kirurgjikale, medikamentet, dietat e theksuara dhe uljet e mëdha në peshë për një kohë të shkurtër, hemorragjitë, seborrea, dëmtimet ekzogjene të flokut (dekolorimet, permanenti).
Alopecia androgjenike është rënie e flokëve e përcaktuar gjenetikisht nën ndikimin e androgjeneve, me një pamje karakteristike dhe prek meshkujt dhe femrat midis fundit të adoleshencës dhe fillimit të viteve 20.

Përveç formave të përmendura më sipër, rëniet e flokëve gjithashtu mund të shkaktohen nga infeksionet lokale: bakteriale, virale e mykotike. Shkaktarët inflamatorë si lichen planopilaris e lupusi, rritjet neoplazike beninje e malinje, faktorët traumatike si dëmtimet fizike, djegiet kimike, termale, trikotilomania, rrezatimet etj.

Cili është trajtimi i rënies së flokëve?
Trajtimi është i ndryshëm për çdo formë të rënies së flokëve. Fillimisht bëhet konsulta me mjekun dermatolog, i cili përcakton analizat specifike në varësi të formës së rënies së flokëve. Pas përgjigjes së tyre është mjeku që vendos skemën e mjekimit.
Në vizitën e parë pacientit duhet t’i shpjegohet me detaje natyra e sëmundjes, prognoza dhe raporti risk-përfitim i mjekimit. Rezultatet e mjekimit duhen parë pas 2-3 muajve. Në ata pacientë që i përgjigjen mjekimit, trajtimi shtrihet deri sa të kemi përgjigje të pranueshme kozmetike.
Në ata që i përgjigjen pjesërisht, mund të ofrohet mjekim alternativ ose mund të bëhet terapi e kombinuar duke shtuar një medikament tjetër të përshtatshëm.
Në rëniet e flokëve me vatra ose Alopecia areata, terapitë më shpesh përfshijnë injeksione të kortikosteroideve, krem me kortikosteroide, minoxidil, anthralin, imunoterapi topikale dhe fototerapi. Zgjedhja e një agjenti varet nga mosha e pacientit (fëmijët jo gjithmonë i tolerojnë efektet anësore), shtrirja e procesit (i lokalizuar ose i shtrirë) dhe preferenca personale e pacientit.

Në rëniet e përgjithshme të flokëve, ose në Telogen effluvium, identifikimi i faktorëve etiologjike dhe trajtimi i tyre në rastet e mundura, së bashku me multivitaminat specifike që ndikojnë ne rritjen e flokëve, do të mundësonte një trajtim sa më efikas të pacientëve me këtë problem.

Trajtimi i Alopecisë Androgjenike tek meshkujt përfshin:

  1. Minoxidil topical 2% dhe 5% dhe
  2. finasteridi oral 1mg/ditë.

Trajtimi i Alopecise Androgjenike tek femrat përfshin:

  1. Minoxidil topical 2% dhe 5%
  2. Terapia antiandrogenike me androgen receptor antagonist(cyproteron acetate,spironolactone, flutamid)./Shendeti.com.al 

Postime të ngjashme

“Sterilizimi”/ Shtyhet gjyqi për ish-ministrin Ilir Beqaj, ja kur do të mbahet seanca e radhës
Asambleja e OBSH, ministrja Sala prezanton prioritetet e Shqipërisë në shëndetësi
Polifenolet: Sekreti i të ushqyerit të shëndetshëm dhe mirëqenies
'Çohu o dreq mos bëj si e sëmurë'/ Infermierja te Psikiatria keqtrajton pacientët, reagon QSUT: Rast i papranueshëm, janë marrë masa për punonjësen
Qetësia mendore në punë: 6 mënyra për të ulur stresin dhe për t’u përqendruar
Mashtronin njerëzit me ilaçe false për sëmundje të rënda, goditet rrjeti kriminal që operonte në 15 shtete të Europës
Shkarkohet drejtori i Fondit të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor! Ja kush emërohet
Kastraveci: Këto janë përfitimet e tij më të rëndësishme