Kryefaqja Estetike Rënia e flokëve, shkaqet dhe trajtimi

Rënia e flokëve, shkaqet dhe trajtimi

0
Shpërndaje

Dr. Monika Fida, mjeke dermatologe

Rënia e flokëve ose alopecia është një sëmundje që mund të shfaqet në forma të ndryshme: rënie të flokëve në formë vatrash (Alopecia areata), rënie në të gjithë zonat me flokë (Alopecia totalis), ose rënie graduale e përhapur ( telogen difussum). Rënia difuze e flokëve çon në të ashtuquajturën efluvium capeli. Rënia e flokëve mund të jetë e përkohshme dhe mund të trajtohet nga mjeku dermatolog, ose e përhershme dhe mund të trajtohet vetëm me ndihmën e kirurgut plastik e kryerjen e transplantit.

Floku rritet në normë 0.35mm në ditë dhe ka një densitet 80.000-150.000.

Në rritjen e flokut ndikon trashëgimia dhe influenca e faktorëve patologjik të jashtëm e të brendshëm, si për shembull, faktorë dëmtues të flokëve si bojëra e kimikate të ndryshme, stresi, ndotja ambientale, sëmundje të ndryshme në organizëm, marrja e medikamenteve te ndryshme etj.

Në persona normal rënia dhe rritja e flokëve ndodh në mënyrë të vazhdueshme. Rënia normale e flokëve konsiderohet humbja e 70-100 flokëve në ditë, pra mbi këtë numër të flokëve rënia konsiderohet patologjike. Çdo ditë ne humbasim deri në 100 flokë në ditë, të cilët zëvendësohen në muajt në vijim nga flokë të rinj dhe kështu floku nuk humbet volumin e tij. Çdo folikul ose rënie e flokut  ndjek një ritëm cikli me faza rritje dhe pushimi.

Janë tre faza në ciklin e rritjes së flokut:

anagen ose faza e rritjes

katagen ose faza transitore

telogen ose faza e pushimit

Faza e rritjes Anagen.  Në këtë fazë floku është shumë i ndjeshëm ndaj faktorëve të ndryshëm dëmtues të jashtëm (bojëra, dekolorues, kimikate e produkte të forta, stresi etj). Floku në ditë rritet 0.35 mm dhe kjo periudhë zgjat 3-6 vjet.

Faza Katagjen ose faza kalimtare. Kjo fazë zgjat 3 javë.

Faza Telogjen ose e pushimit. Kjo fazë zgjat 3-4 muaj. Floku në fazën telogene mund të shkëputet pa dhimbje. Në fund të fazës floku bie vetë ose mbetet në krehër gjatë krehjes. Flokët që mbeten në krehër i përkasin flokëve që janë në këtë fazë. Trashëgimia është faktor i rëndësishëm në ciklin e flokëve. Cikli i flokëve është i përcaktuar gjenetikisht për çdo rrënjë të flokëve, për çdo individ dhe për çdo zonë të trupit.

Shkaqet kryesore të rënies së flokëve janë:

Predispozita gjenetike

Ndryshimet stinore

Faktorët hormonalë: hiperndjeshmëri ndaj androgeneve, deficit i estrogjeneve, menopauza.

Faktorët psikologjik: stresi, shoku emocional ( vdekjet, aksidentet, operacionet, ndarjet) etj.

Disa sëmundje të rënda.

Lindjet ku nevojat e organizmit për vitamina e kripëra janë më të shtuara (vërehet sidomos në muajin e 3-4 pas lindjes).

Anemia, kequshqyerja, sëmundjet endokrine (p.sh. të tiroides).

Medikamentet (sidomos kimioterapia), kontraceptivët oral.

Sëmundjet e lëkurës të lokalizuara në kokë.

Traumat dhe agresionet ndaj flokut.

Dietat dhe çrregullimet ushqimore.

Forma të ndryshme të rënies së flokëve:

1Rënia/Alopecia e tipit të vonshëm

Dëmtimet gjatë ndonjë sëmundje të ndryshme infektive me temperaturë, toksicitet ose në lindje, pasqyrohen më vonë me një rënie të flokëve pas 2-4 muajve pasi faktorët dëmtues kanë vepruar në ciklin e flokëve.

2-Rënia/Alopecia e tipit të menjëhershëm

Shumë rrënjë të flokëve reagojnë ndaj stimujve dëmtues, qoftë sëmundje të ndryshme apo nga marrja e disa medikamenteve të caktuara, dhe kështu shumë flokë mund të bien brenda pak ditëve pas dëmtimit. Pra shfaqet alopecia e tipit imediat.

3-Alopecia e shkaktuar nga presioni dhe tërheqja

Presioni kronik dhe tërheqja çojnë në ndryshime të rikthyeshme, që frenojnë komplet formimin e flokut ose që formohen flokë të hollë si push.

Alopecia nga presioni kronik shpesh shkaktohet nga shkaqe profesionale si në gratë që mbajnë shporta në kokë, ose nga mbajtja e ornamentevë të ndryshme.

Alopecia nga tërheqja ose fërkimi kronik vërehet në format e ndryshme të kapjes së flokëve.

4-Rënia/Alopecia e përhershme

Rënia e përhershme vjen si rezultat se rrënjët/folikujt e flokëve mungojnë nga anomali të lindura ose ato janë dëmtuar rëndë gjatë jetës si rezultat i faktorëve dëmtues. Burrat tullacë ose gratë me alopeci si te meshkujt kanë rrënje të rikthyera në miniaturë(të vogla).

Alopeci e përhershme vërehet në dëmtimet e thella në lëkurën e kokës që çojnë në cikatricie të lëkurës, siç janë djegiet me lëndë të ndryshme dhe acide, sëmundjet e lëkurës ulçerative. Rënia nga shkulja e flokëve, sëmundjet e lokalizuara në kokë si abceset, rrezatimet ose djegiet mund të çojnë në shkatërrim total të folikulit të flokut ( rrënjës) e si pasojë në rënie të përhershme.

Dëmtimet e ngjashme shkaktohen dhe nga infeksionet virusale siç është gangrena në Herpes Zoster, infeksionet bakteriale si tuberkulosis, lepra, karbunkujt, sifilizi terciar, pustulosis euzinofilike, dermatozat erozive pustulare të scalpit, sëmundjet mykotike të thella, neoplazmat ulçerative si hemangioma, limfoma malinje, karcinoma bazoqelizore ose melanoma malinje. Shkaqe e patologji të tjera që shoqërohen me rënie të parikthyeshme të flokëve mund të jenë:  Lichen planus atrofik, Lupus diskoid eritematoz, Sklerodermia, Nekrobiosis lipoidike, Sarkoidiosis, Epidermiolisis distrofike hereditare, Pemphigoid cikatricial, Lupus vulgaris, Favus, Dermatosis erozive pustulare e scalpit, Folikuitis dekalvans, Carcinoma bazoqelizore, Porphyria dhe Genodermatozat si Iktiosis vulgaris, Inkontinence pigmenti. Rrezatimi jonizues mund të çojë në një dermatit aktiv dhe një alopeci të parikthyeshme.

5-Rënia /Alopecia androgenike

Quhet alopecia që shoqërohet me rënie të flokëve nën prezencën e një predispozite gjenetik dhe influences të hormoneve androgjeneve. Vërehet më shpesh tek meshkujt por haset dhe tek femrat. Tek femrat përveç faktorit gjenetik ndikon dhe rritja e hormoneve androgene ose rritja e përgjigjes ndaj këtyre hormoneve dhe vihet re midis moshës 20-40 vjeç. Rënia ose hollimi i flokëve vërehet kryesisht në zonën qendrore të kokës (zonën e kurorës). Flokët ekzistues janë të hollë, dhe shpesh kjo gjendje mund të shoqërohet me seborrhe dhe akne.

Analizat dhe ekzaminimet laboratorike që duhet të kryhen në pacientët me rënie të flokëve

Është pikërisht mjeku dermatolog ai që duhet të ndërtojë një plan pune për të përcaktuar fillimisht shkaqet e rënies të flokut  dhe më vonë ndjekjen në vazhdimësi të pacientit. Paraprakisht nevojitet një vizitë e kujdesshme dhe kryerja e ekzaminimeve/ analizave të ndryshme dhe më vonë konsultimet në rast nevoje më mjek e specialist të tjerë si stomatolog, gastro-hepatolog, endokrinolog. Mjeku dermatolog rekomandon kryerjen e analizave të ndryshme të gjakut, analizave hormonale, si ato të hormoneve mashkullore apo të hormoneve të tiroideve pasi shpesh shkak janë çrregullimi i funksionit të gjëndrave tiroide, kulture oro-faringeale për baktere patogjen shkaktare, konsulte me stomatologun, grafi të sinuseve e konsultë me mjekun otojatër etj, në varësi të llojit të rënies e të historikut të sëmundjes.

Këshilla për një mjekim sa më bashkëkohor

Së pari duhet të ndërtohet një bashkëpunim i mirë i mjekut me pacientin, pasi mjekimi i rënies/alopecise do të realizohet në një hark kohor të zgjatur (disa muaj e ndoshta dhe vite). Pacienti duhet të tregohet i kujdesshëm dhe të ndjekë me përpikëri këshillat e mjekut. Shpeshtësia e larjeve të flokëve nuk ndikon në rënien e flokëve për aq kohë sa produktet e përdorura nuk janë produkte kimike të forta e dëmtuese por shampo e produkte ushqyese të kontrolluara dhe të rekomanduara nga mjeku e të tregtuara në farmaci. Sot ekziston një gamë shumë e gjerë produktesh farmaceutike e natyrale për të trajtuar çdo gjendje e patologji të flokëve, por kjo duhet të bëhet pas këshillimit dhe vizitës së kujdesshme të mjekut dermatolog.  Dieta e pasur me vitamina, minerale dhe kripëra si dhe komplekset e multivitaminave të rekomanduara nga mjeku janë ndihmuese në trajtimin e rënies së flokëve. Asnjëherë nuk ka përmirësim e rezultate të mira nëse nuk është mjekuar shkaku i rënies së flokut.

Sot rekomandohen procedurat me injeksione plazme PRP ( platelet rich plasma) Mesotherapia ( injeksione, kokteje vitaminash) si dhe laser terapia.

Dëmtime të tjera të flokut nga faktorë të jashtëm

1-Dëmtime mekanike që mund të shfaqen nëpërmjet krehjes së shpeshtë dhe të fortë.

2Larjet frekuente ( normale është larja 2-5 ditë ) me substanca detergjente të forta çojnë në rritje të dëmtimit të flokut, humbje të shkëlqimit dhe në ndarje të pjesës së fundit të flokut. Pra theksohet se procedurat si ngjyrosja, dekolorimi, dhe bërja permanent mund të kenë një efekt të konsiderueshem në strukturën e flokëve në qoftë së nuk realizohen në mënyre korrekte dhe me produkte kimikate të forta.

3-Ngjyrosja dhe dekolorimi. Përdorimi i dekoloruesve të fortë siç përdoren peroxidet (hidrogjen peroksidi) vepron mbi melaninën e flokut që oksidohet e ndryshon ngjyrë. Veç veprimit në pigment vërehen dhe dëmtime në keratinën e flokut që janë të rëndësishme për stabilitetin e flokut që ndahet dhe oksidohet.

4-Deformimet e përkohshme: shkaktohen nga trajtimi i flokëve të lagur me masha të nxehta, kremra flokësh ose fiksues formë (llak). Në tërë këto forma dëmtimet e flokëve nuk janë aq të thella dhe të rëndësishme nëse përdoren në frekuenca kohore të lejueshme dhe produkte cilësore.

5-Permanenti: zëvendëson praktikën e përdorimit të mjeteve të ngrohta në realizimin e ondeve me mjete të ftohta.

Duhet patur shumë kujdes në këto trajtime kozmetike sepse dhe permanenti i ftohtë përmban rrezikun e dëmtimit të flokëve, dëmtim ky që është më i konsiderueshëm në personat me flokë biond të hollë. Si rezultat i dëmtimeve vërehen tharja, humbja e vitalitetit, humbje e shkëlqimit, flokët bëhen më të brishtë dhe ndarja e flokut në fundin e lirë, dhe më vonë flokët marrin formën e furçës. Menjëherë duhet kërkuar ndihma e dermatologut nëse vërehen dëmtime. Nëse nuk vërehen dëmtim të rrënjës së flokut dhe nuk vërehen shenja sëmundjeje në lëkurën e kokës, atëherë këto dëmtime janë të rikthyeshme deri në rritje të flokëve të rinj. Por ka raste që procedurat në sallonet e bukurisë mund të shkaktojnë edhe probleme alergjike, si në rastet e dermatiteve alergjike në lëkurën e kokës  dhe sigurisht këto kërkojnë të trajtohen nga mjeku dermatolog./ Shendeti.com.al

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here