Bisedoi për gazetën “Shëndet+”: Elena Beta
Të gjithë e njohin si një “rockman” energjik. Por janë të paktë ata që e dinë se përtej skenës dhe ekranit, Renis Gjoka frekuenton vendet e qeta dhe bazë për ekspresivitetin e tij ka kujdesin maksimal për veten dhe gjendjen e tij emocionale.
Në një intervistë për “Shëndet+”, Renisi rrëfen pikat e tij të forta, opinione personale lidhur me sistemin shëndetësor në shqipëri , marrëdhënien që ai ka me mjekët e shumë detaje interesante nga jeta e tij e përditshme jashtë ekranit…
Renis, cili është mëngjesi yt rutinë?
Vezë e zier, një gotë qumësht, djathë bebe edhe një fetë bukë të hollë.
Jashtë shtëpisë, cili është vendi i preferuar për të konsumuar kafen e mëngjesit?
Kam disa pika, në fakt, por e përbashkëta e tyre është se janë vende të qeta dhe pa shumë lëvizje. Preferoj zonën pranë liqenit, meqenëse e kam afër. Më e rëndësishmja është se në këtë zonë është më e lehtë të gjesh qetësinë e duhur.
Cilat janë pasionet tuaja? Është gatimi një prej tyre?
Të them të drejtën me gatimin nuk kam lidhje fare. Nuk kam marrëdhënie të mira. Përshëndetemi në distancë, një “Ç’kemi?” dhe aq (qesh).
Çfarë mendimi keni për femrat e fiksuara pas dietave?
Dieta, përveç anës pozitive që ka përsa i përket shëndetit, mendoj se nxjerr në pah edhe një tjetër vlerë tek njerëzit: vullnetin. Një njeri që mban dietë, në njëfarë mënyre tregon se ka edhe vullnet. Për mua njerëzit me vullnet janë për t’u vlerësuar.
Cila është marrëdhënia me spitalet? A bëni analiza rutinë? Spitale private apo shtetërore?
Jo, nuk bëj analiza rutinë. Vetëm kur kam hall (qesh). E di që kjo gjë nuk është e mirë. Këtë vit kam vendosur të bëhem më i përgjegjshëm për shëndetin tim, ndaj do të filloj të jem i rregullt me analizat. Përsa i përket spitaleve, kam qenë edhe në shtetërorët, por edhe në ato private. Duhet të them që edhe përkujdesja në shtet ka qenë maksimale ndaj meje, gjithashtu edhe mjekimi. Gjithsesi, këtu flasim për probleme minimale. Nuk e di nëse do të kisha ndonje situate me te nderlikuar. Shpresoj mos ta vendos në sprovë spitalin në këto kushte (qesh).
Ç’mendim keni për shëndetësinë në Shqipëri?
Kam përshtypjen se jemi ende larg atyre standardeve për të cilat flasin përgjegjësit e këtij sektori. Jo më shëndetësia falas (qesh). Mos bëjmë shaka tani. Le të jemi më seriozë (qesh).
Sa vlen për ju shprehja “jeto momentin”?
Motoja e jetës.
Cila është pika juaj e fortë? Po pika e dobët?
Mendoj se kam pikë të fortë faktin që kam aftësinë t’i dalloj situatat e rëndësishme dhe ato më pak të rëndësishme. Duke pasur këtë “armë” nuk humbas në tym kot duke stërholluar situata apo probleme të kota. I ruaj energjitë për gjëra më me vlerë.
Ndërsa pikat e dobëta mendoj se njeriu duhet t’i mbajë vetëm për vete e të punojë individualisht për t’i eliminuar. Nuk i tregohen armikut (qesh).
A është ekspresiviteti yt reflektim i kujdesit të mirë për veten?
Unë mundohem shumë të rikthej gjendjen e lumturisë në mua, edhe në momentet që jam poshtë me moralin. Qoftë edhe artificialisht si fillim. Të qenët ekspresiv dhe energjik, ndihmon për të rifituar këtë gjendje. Them se kjo “lëvizje” tregon kujdes për veten.
Si ia del të jesh energjik për disa orë kur muzika që këndon duket se “të nxjerr edhe shpirtin”?
Vërtet është e lodhshme, por duhet të them që kur puna që bën, është njëkohësisht edhe pasioni yt, atëherë stresi dhe lodhja bien në vlera minimale.
Çfarë këshille ju jep lexuesve të “Shëndet+”?
Ushqehuni mirë, vëmendje tek gjerat e shëndetshme, kontrolloni trupin tuaj, por jo vetëm. Edhe mendjen, pasi shëndeti mendor ndonjëherë luan një rol shumë fatal, i cili pasqyrohet pastaj edhe në shëndetin trupor. Qofshi të qetë shpirtërisht dhe dëgjofshi sa më shumë Rock&Roll (qesh).





