Replikë: Keni gabuar dhe më zhgënjyet, z.Ministër!

(Marrë nga Gazeta Dita)

Një letër e hapur e pedagogut në pension Jorgji Hanxhari për ministrin e Shëndetësisë, para dy ditësh në DITA, (kliko KËTU) trajtonte dy shqetësime kryesore të të interesuarit dhe gjithë shtresës së pensionistëve.

Së pari, lista e ilaçeve nuk funksiononte njësoj për këta të fundit dhe për veteranët e luftës. Për një sëmundje të caktuar, veteranët marrin me rimbursim ilaçin më të mirë dhe më të shtrenjtë nga lista e rimbursimeve, ndërsa pensionistët ose “veteranët e punës”, siç thotë z.Hanxhari, duhet të marrin nga fundi, thënë ndryshe një markë anonime dhe të dyshimtë.

Problemi i dytë ishte pamundësia e kryerjes së shumë analizave në spitalet shtetërore ku pensionistët i meritojnë falas, duke u detyruar kësisoj t’i paguajnë shtrenjtë në klinikat private. Ministri ktheu përgjigje për këtë letër dje në DITA (kliko KËTU)

Në këtë përgjigje, figuronin edhe paratë që z.Hanxhari ka shpenzuar për ilaçe, si dhe nuk mungonte konstatimi nga ana e vetë ministrisë, se ndodh rëndom që mjekët dhe pronarëve e firmave të ilaçeve bëjnë marrëveshje korruptive për shitjen e barnave të caktuara, përmes orientimit të pacientëve drejt tyre.

Në tërësi, përgjigja nuk ka qenë ajo që priste Prof. Asc. Dr Jorgji Hanxhari, i cili përgjigjet me këtë reagim. / Dita /

 

iliri 2************

Nga Jorgji Hanxhari

Zoti Ministër!

Jam i detyruar që të replikoj me Ju, lidhur me përgjigjen që më kthyet!

Më vjen keq, por po e pohoj qysh në fillim, që më keni zhgënjyer me ato që shkruani. E them këtë, mbasi ju i keqinterpretoni vërejtjet e mia modeste, që rrjedhin nga praktika dhe nga jeta jonë e përditshme.

Dy problemet që ju sugjeroja, nuk ishin vetëm për mua personalisht, por për të gjithë pensionistët (lista e ilaçeve) dhe për të gjithë popullatën e siguruar (problemi i analizave).

Edhe pse jeni Ministër, ju nuk keni asnjë të drejtë që të publikoni të dhënat e mia personale të shëndetit, gjë që Ju duhet ta dini, që është një akt joqytetar dhe i dënueshëm!

Nga ana tjetër, unë nuk u ankova që nuk më janë dhënë barnat falas, siç u takon të gjithë qytetarëve të kategorisë sime, por Ju sugjeroja që të ndërhynit, me autoritetin e ministrit të Shëndetësisë, që të mos kufizohet e drejta e marrjes falas, vetëm në ilaçin me cilësinë më të dobët, që Ju e quani “alternativë e parë” (“e parë” nga fundi!), por të respektohet receta e shkruar nga mjeku specialist.

Nuk e kuptoj se ç’kërkonit të tregonit me shumën e parave të ilaçeve që kam përfituar unë nga rimbursimi dhe me atë që unë paskam zgjedhur variantin që të paguaja, kundrejt variantit tuaj falas! Ju, besoj se e kuptoni, që njeriu kur është fjala për të shpëtuar jetën, sakrifikon nga nevojat më jetike, siç është ushqimi, dhe fëmijet e të afërmit detyrohen të sakrifikojnë nga buxheti i familjeve të tyre, për të ndihmuar!

Mirëpo, kjo nuk është një periudhë e shkurtër, por çdo muaj dhe, pikërisht për këtë arsye, unë u detyrova që t’ju drejtohesha, në emër të të gjithë hallexhinjve pensionistë dhe jo vetëm në emrin tim personal!

Jorgji Hanxhari

Jorgji Hanxhari

Ju më citoni ligjin e miratuar vite më parë, për trajtimin e veçantë të veteranëve të Luftës Antifashiste, sikur unë t’Ju ankohesha për këtë trajtim e t’Ju kërkoja që t’u hiqnit atyre këtë të drejtë! Ky është absurditet! Nëse e keni lexuar, unë ju them që ata e meritojnë, por Ju sugjeroja dhe Ju argumentoja që edhe veteranët e punës të trajtohen njësoj si ata, mbasi edhe ne e meritojmë një trajtim të barabartë! Dhe, kjo është “alternativa e parë” e ilaçeve, dhe jo ajo që thoni Ju në përgjigjen Tuaj!

Unë, i nderuar Ministër, nuk jam kundër asnjë reforme që është në favorin e njerëzve të këtij vendi, ndaj nuk e kuptoj përse, në përgjigjen Tuaj, duhej bërë një paradë e sukseseve që keni arritur me reformat e deritanishme dhe nuk denjoni të pranoni asnjë vërejtje apo sugjerim që ju bëhet nga ne njerëzit e thjeshtë, pikërisht që reformat t’u shërbejnë sa më mirë njerëzve për të cilët destinohen, meqë presim shumë nga Ju që jeni djemtë tanë!

Në rast se Ju jeni mësuar vetëm me njerëz që Ju bëjnë qejfin dhe Ju rrahin shpatullat, edhe kur janë të bindur që gaboni, kjo është puna juaj, por ta dini që kjo rrugë nuk është “drejtimi i duhur”!

Është mirë të mbani këshilltarë që nuk Ju lënë të gaboni e që jua thonë gabimet në sy sesa të mbani këshilltarë si ata që Ju kanë servirur “argument” për të hedhur poshtë dy sugjerime modeste që Ju bëra unë me sinqeritet në letrën time!

Në rast se Ju, për të shmangur korrupsionin, do ta gjeni zgjidhjen në hartimin e listave të ilaçeve, si ajo që keni në qarkullim dhe që e keni gjetur, me sa di unë, nga paraardhësit tuaj, të jeni i bindur që keni gjetur zgjidhjen e gabuar! Zgjidhja e vetme e drejtë dhe humane do të ishte respektimi i dijeve të mjekut specialist dhe kërkesa e llogarisë ndaj të gjithëve, nga zinxhiri i drejtimit, duke filluar nga Ju! Edhe një herë, Ju sugjeroj që ta hiqni nga përdorimi atë listë, e cila është diskriminuese dhe nuk Ju nderon aspak, që e mbani ende në fuqi!

Sa për sugjerimin e dytë që Ju bëja, për kryerjen e analizave të nevojshme nga Klinikat shtetërore, për personat e siguruar, Ju e kapërceni pa e prekur fare! Nëse nuk ju duket kërkesë e drejtë apo Ju duket e tepërt, mund të shprehnit mendimin Tuaj!

Përfundimisht, Zoti Ministër, Ju nuk pranoni asnjë mendim, vërejtje apo sugjerim dhe, me sa duket qartë, shpresa që ushqeja se do të thoshnit ndonjë fjalë të mirë, u venitën nga përgjigja juaj, e cila ishte shumë larg pritshmërive! Uroj që të keni ju të drejtë! Ne, pensionistët, mirë apo keq, do t’i shtyjmë edhe ato ditë që na ka caktuar Zoti!

Me respekt për detyrën Tuaj,

Tiranë, më 01.03.2016

Postime të ngjashme

Ngacmoi seksualisht pacienten 21-vjeçare, arrestohet kirurgu
Këto 3 vitamina që ekspertët rekomandojnë të mos i merrni me stomak bosh
Rimbursimi në mars, sëmundjet kardiovaskulare dhe diabeti përhapje në masë
Helmohen 56 studentëve të Akademisë së Sigurisë, reagon AKU
Sa kafe mund të pimë në ditë pa rrezikuar shëndetin? Ja çfarë thonë studimet
Alarm në Zvicër dhe Francë, identifikohen rastet e para me Hantavirus
Alarm në det: Shpërthen hantavirusi në anije turistike, 3 të vdekur
Brokoli apo lulelakra: Cila ka më shumë fibra dhe cila është më e shëndetshme?