Iris Allajbeu, radiologe
Çfarë është Rezonanca Magnetike e Gjirit?
Rezonanca Magnetike (RM) e gjirit është ekzaminimi më i avancuar diagnostikues për sëmundjet e gjirit që realizohet me anë të një programi të posaçëm të rezonancës magnetike nga specialistët përkatës. Është një ekzaminim joinvaziv, pa dhimbje, pa rrezatim dhe pa efekte anësore, i sigurt për të gjithë grupmoshat e pacientëve.
RM e gjirit jep informacion të detajuar për të gjitha patologjitë e gjirit në rastet kur metodat e tjera diagnostikuese, si mamografia apo ekoja janë të pamjaftueshme, duke çuar në diagnostikimin e saktë të sëmundjes. Gjithashtu RM e gjirit arrin të diagnostikojë patologjitë e gjirit që në fazat fillestare kur ato nuk janë të dukshme ende në mamografi apo eko.
Në cilat raste rekomandohet të bëhet RM e gjirit?
Së pari, duhet sqaruar se RM nuk është një metodë depistuese për të gjithë popullatën, por një metodë imazherike e avancuar që përdoret për grupe të caktuar dhe në situata të caktuara si:
*Depistimi i grave me RISK TË LARTË për kancerin e gjirit.
Shoqata Amerikane e Kancerit në guidelinet e saj të fundit për kancerin e gjirit rekomandon fuqishëm Rezonancën Magnetike, si metodë depistuese krahas mamografisë për gratë me risk 20-25% më të lartë se pjesa tjetër e popullatës.
– Në këtë grup përfshihen gratë me histori familjare të kancerit të gjirit të të afermve si; nëna, motra, tezja, vajza, në moshë të re.
– Defektet apo Mutacionet gjenetike BRCA1 dhe BRCA2
– Histori e kancerit të njërit gji, e cila rrit rrezikun për kancer në gjirin tjetër
– Histori e rrezatimit të kraharorit në doza të larta në moshat 10-30 vjeç
– Diagnostikimi i lezioneve prekanceroze të gjirit në biopsi si Hiperplazia atipike duktale, karcinoma insitu lobulare apo duktale.
* Vlerësimi preoperativ i pacientëve të diagnostikuar me kancer të gjirit
RM luan një rol të rëndësishëm në planifikimin e ndërhyrjes kirurgjikale dhe terapise në pacientët të diagnostikuar me kancer gjiri, pasi jep informacion të detajuar për përhapjen e kancerit dhe të strukturave përreth dhe vlerësimin e gjirit tjetër për të përjashtuar një vatër të mundshme kanceri.
*Ndjekje postkirurgjikale e pacientëve që kanë kryer Kirurgji konservative të modifikuar të gjirit
Në këta pacientë, të cilët kanë hequr vetë një pjesë të gjirit RM luan një rol shumë të rëndësishëm për diferencimin e ndryshimeve postkirurgjikale dhe të radioterapisë nga rekurenca/ kancer i ri që shpeshherë është shumë e vështirë vetëm me metodat konvencionale, si eko dhe mamografia.
*Diferencimi i lezioneve të dyshimta të diagnostikuara në eko apo mamografi
Rezolucioni i lartë i RM dhe prerjet e holla në 3 plane bën të mundur diagnostikimin e saktë të patologjive të ndryshme në rastet, kur ekoja apo mamografia mbeten të pamjaftueshme.
*Vlerësimin e rezultatit të kimioterapisë
Në disa raste, kanceri i gjirit trajtohet me kimioterapi neoadjuvante para se t’i nënshtohet ndërhyrjes kirurgjikale. Në këto raste, RM përdoret shpesh për të monitoruar trajtimin me kimioterapi, si dhe për të rivlerësuar sasinë e tumorit ende të pranishëm, para se operacioni të jetë kryer.
Nërastet e avancuara kur kanceri është shumë i përhapur RM mund të përdoret për vlerësimin e rezultatit të kimioterapisë, duke diferencuar me saktësi indet nekrotike nga tumori rezidual.
*Gjetja e lezionit primar në pacientët me metastaza kur kanceri është i përhapur në organe të ndryshme
Por nuk dihet vatra fillestare dhe dyshohet për kancer të gjirit.
*Vlerësimin e pacientëve që i janë nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale plastike të gjirit
Në këta pacientë RM përdoret si për vlerësimin e implanteve në rastet kur dyshohet për rupturë të tyre, ashtu edhe në ekzaminimin e lezioneve të dyshimta, pasi Ekoja dhe mamografia në këta pacientë realizohet më me vështirësi.
Cilat janë kundërindikimet e RM së gjirit?
– Prezenca e implanteve metalike, pacemakerave etj. në trup.
– Pacientët me histori alergjie nga lënda e kontrastit që përdoret për ekzaminimet me RM (raste shumë të rralla).
– Pacientët klaustrofobike. Në raste të tilla mund të përdoren forma të ndryshme sedacioni.
Avantazhet e Rezonancës Magnetike të Gjirit?
– Nuk përmban radiacion
– Rezolucioni i lartë dhe prerjet e holla në 3 plane japin informacion të detajuar dhe bëjnë të mundur diagnostikimin e lezioneve shumë të vogla kanceroze nëfazat fillestare, që nuk arrijnë të shihen me metodat e konvencionale.
– RM është superiore në vlerësimin e gjinjve me parenkimë të dendur, me implane silikoni/ rikonstruksione plastike, si dhe në kontrollin e gjinjve pas ndërhyrjeve kirurgjikale apo të trajtuar me kimioterapi/radioterapi.
Disavantazhet
– Më e shtrenjtë se ekzaminimet e tjera radiologjike prandaj dhe nuk rekomandohet për depistimin në masë.
– RM është një metodë me “fals pozitivitet” të lartë që do të thotë se në disa raste mund t’i paraqesë të dyshimta lezione jokanceroze duke çuar në biopsi të panevojshme. Megjithatë kjo është e lidhur ngushtë dhe me teknikën e realizimit të ekzaminimit dhe eksperiencën e specialistëve përkatës. Përdorimi i aparaturave të posaçme dhe standartizimi i protokolleve ul në minimum këto rreziqe.
Ky ekzaminim ashtu si dhe të gjitha ekzaminimet e tjera të gjirit këshillohet të kryhet brenda 10 ditëshit të parë të ciklit menstrual, mundësisht ditën 5-7 të ciklit, ku gjiri është më i qetë dhe më pak i ndikuar nga ndryshimet hormonale.



