Kryefaqja Aktualitet Riciklimi i dhunës: rolet ndryshojnë, historia mbetet e njëjtë

Riciklimi i dhunës: rolet ndryshojnë, historia mbetet e njëjtë

0
Shpërndaje

Nga Alma Lahe

… dhe Zoti mbante një valixhe në dorë:

  • Në këtë valixhe kam gjërat e tua nga jeta në Tokë, – i tha njeriut.
  • Ah, sa mirë! – ia ktheu ai i ngushëlluar disi. – Të paktën do të kem pasurinë për të cilën luftova gjithë jetën.
  • Jo, pasuria nuk ishte e jotja, – ia ktheu Zoti.
  • Atëherë, me ke sjellë bashkëshorten dhe fëmijët? – u ngazëllye njeriu.
  • Absolutisht jo, – ia preu Zoti. – Ata nuk të përkasin ty, nuk kanë qenë asnjëherë prona jote… Ti ke qenë vetëm kujdestari i përkohshëm i tyre.

‘Paskemi gënjyer veten gjithë kohën, që i ke menduar fëmijët si pronë’ do ta vazhdonte fabulën gjithkush. Një fabul e cila ka shumë të vërteta brenda dhe duket sikur është e krijuar për ne, shqiptarët, që ende  mendojmë  se fëmijët janë pronë e prindit dhe se, ashtu si pronari me pronën, edhe prindi me fëmijën mund të bëjë  ç’të dojë.

Një prind ‘pronar’ mundet që në mes të rrugës ta verë fëmijën e vet përposhtë dhe ta rrahë me pasion çmendurak dhe pa pikë mëshire, ndërsa spektatorët përqark të mos reagojnë, duke menduar: “Ç’më duhet? E ka fëmijën e vet dhe ka të drejtë të bëjë ç’të dojë me të.”  Dhe nëse dikush merr guximin të reagojë dhe t’ia heq nga dora dhe ta marrë në mbrojtje fëmijën, jo vetëm prindi, por edhe të tjerët do të reagonin të idinjuar ‘Ç’të duhet? E ka të vetin? E rreh kur të dojë! Për të mirën e tij e ka!’ Dhe kulmi arrin kur të përmendin shprehjen aspak të urtë ‘popullore’: ‘ Kush të rreh , të do.’

Në Shqipërinë tonë të vitit 2020 skena, situata dhe reagime të tilla konsiderohen ‘normale’ dhe dhuna, veçanërisht brenda anëtarëve të familjes, thuajse legjitimohet, edhe pse dënohet ligjërisht dhe masat e dënimit janë ashpërsuar nga viti në vit.

Por dhuna e legjitimuar nga shoqëria, ka tendencën të riciklohet. Brenda familjes  bashkëshorti ushtron dhunë ndaj bashkëshortes; prindërit (njëri ose të dy) dhunojnë fizikisht dhe verbalisht fëmijët e tyre; fëmijët më të mëdhenj, dhunojnë më të vegjlit.  Komuniteti mbyll sytë, institucionet ndonjëherë mbyllin sytë dhe veshët. Dhe dhuna mbetet mysafiri i përhershëm në familje, ku pjesëtarët më të dobët, bashkë me ushqimin e përditshëm, janë mësuar të konsumojnë edhe racionin ditor të ‘drurit’.

Koha rrjedh. Fëmijët rriten. Por në vetëdijen e tyre është ngulitur fort ideja se rregulli vihet me forcë, se mjeti më efikas për edukim është dhuna, se autoriteti vihet duke e ngritur fort jo vetëm zërin, por edhe krahun. Fëmija i rritur, ashtu si prindërit e tij dikur, mendon se, bashkë me lindjen e fëmijëve të vet, i lind edhe e drejta e pronësisë mbi ta dhe se ‘pronari ka të drejtë të bëjë ç’të dojë me pronën e vet’. Fëmijët rrezikojnë të jetojnë në të njëjtin kalvar dhimbjeje dhe pasigurie si prindërit e tyre dikur.  Ndërsa  prindi dhunues, tashmë i plakur, ka ndryshuar rolet me fëmijët e dikurshëm dhe është kthyer nga pronar në ‘pronë’ të fëmijës së tij dhe, me shumë gjasa, ka shtuar në menunë ditore të ushqimit dhe një ‘racion druri’.

Rolet ndryshojnë rrënjësisht, por historia është po ajo. Më i fuqishmi fizikisht dhunon të dobëtit, të cilët e kanë të pamundur të mbrohen vetë. Dhunuesi kthehet në viktimë dhe i dhunuari në dhunues. Qarku mbyllet dhe dhuna nuk merr fund kurrë, ata që ndryshojnë janë vetëm subjektet.

Reagimi i të gjithë shoqërisë kundër fenomenit të dhunës dhe veçanërisht kundër dhunës ndaj fëmijëve do të mund të këpuste hallkat e këtij zinxhiri, përndryshe Zoti do të vazhdojë t’i presë shqiptarët në botën tjetër me valixhe në dorë dhe me një mësim për t’ua mësuar:  Fëmijët nuk janë dhe nuk kanë qenë kurrë prona e prindërve. Prindërit janë vetëm kujdestarë të fëmijëve të tyre, përgjegjës për mirëqenien, mbrojtjen dhe edukimin e tyre për disa vite, derisa t’u rriten krahët e të dalin në jetë.

*Ky artikull u zhvillua nga Together for Life në kuadër të projektit “Mbrojtja e fëmijëve nga dhuna dhe abuzimi nëpërmjet edukimit gjithëpërfshirës”, i cili zbatohet në kuadër të skemës së granteve të vogla të projektit “Promovimi i të drejtave të njeriut nëpërmjet arsimit gjithëpërfshirës dhe fuqizimit të Organizatave të Shoqërisë Civile Lokale” i financuar nga BE dhe i zbatuar nga “Shoqata Internacionale për Solidaritetin në partneritet me Fondacionin AVSI dhe shoqatën Gruaja në Zhvillim Shkodër.

Përmbajtja e tij është përgjegjësi e Together for Life dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE”.

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here