Elona Tereziu
Është mbajtur sot dëgjesa e parë në Komisionin e Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale, me qëllim dhënien e informacionit lidhur mbi kompetencat dhe përgjegjësitë e reja që i kalojnë tashmë Ministrisë së Shëndetësisë, pas bashkimit me atë të Mbrojtjes Sociale.
Pas një shpjegimi në mënyrë të përgjithshme lidhur mbi këto ndryshime, Manastriliu ka bërë oponencë thuajse “e heshtur” përballë opozitës.
Manastirliu: ‘Të bërit bashkë të shëndetësisë me çështjet sociale, do t’i japë fund procedurave të hallakatura të shëndetësisë dhe sociales. Këto struktura duhet të jenë bashkë për t’i dhënë fund mundit dhe sorollatjeve të qytetarëve. Tashmë qytetarët nuk do të duhet më të kalojnë dhjetë zyra për të marrë një vulë, por do të drejtohen vetëm në një njësi vlerësimi pasi të kenë shkuar më parë tek mjeku i familjes apo ai specialist.
Bashkimi i këtyre funksioneve, përmbledh dhe bën më efikas një shërbim problematik, burokrat, të gjatë dhe mjaft të komplikuar.’
Pas marrjes së fjalës nga opozita, i parë që është ndalur të argumentojë gjatë rimodelimin e Ministrisë së Shëndetësisë ka qenë Tritan Shehu, duke e cilësuar si një skemë për të mbuluar problemet reale që ka shëndetësia në vend.
Tritan Shehu: Jam i detyruar të flas në mënyrë të përgjithshme, sepse e përgjithshme ishte dhe paraqitja e zonjës ministrie për strukturën e re të kësaj mega ministrie, e cila paraqet amullinë nga ata që e kanë konceptuar këtë ministri në këtë mënyrë. Unë e mirëkuptoj ministren në vështirësinë e saj për të shpjeguar dhe për të na sqaruar ne për detyrat, strukturat, problemet të këtyre dy sektorëve kaq të mëdhenj, sepse realisht jam i bindur që dhe ata që e kanë ideuar nuk e perceptojnë dot. Mirëkuptoj ministren sepse i kanë varuar kësaj ministrie dy dinozaurë të vdekur, njëri është problemi i çështjeve sociale i cili pati dështime madhore gjatë katërvjeçarit, tjetër është shëndetësia e cila në katër vite u arrit vetëm një gjë. Varrosi konceptin e shëndetësisë falas, për të cilën ministrja nuk tha sot asnjë fjalë, por përmendi mbulimin universal i cili në bazë të OBSH-së 97% e territorit mbulohet që nga vitit 2009.
Pra unë mendoj dhe gjykoj që kjo mënyrë bashkimi, që është krejtësisht e pa natyrshëm dhe papërshtatshme për kushtet tona, është bërë për të fshehur problemet reale të këtyre dy sektorëve jetik të vendit tonë.
Kush janë vendet që kanë këtë mënyrë strukturimi të ekzistencës, së kësaj megaministrie! Janë dy lloj vendesh në botë. Një janë vende shumë të zhvilluara si Gjermania, Zvicra, dhe dy janë që nuk kanë shëndetësi, siç janë ato të Afrikës Qendrore. Gjykoni dhe thoni ku futet Shqipëria!
Sot nuk u tha asnjë fjalë që së bashku me strukturën e re të krijuar, kush do jetë financier për shëndetësinë. Ju e dini që në bazë të OBSH-SË, Shqipëria është vendi i fundit në rajon për kujdesin ndaj pacientit. Ne kemi ulur në mënyrë trazike numrin e mjekëve, ku kemi 1.12 mjek për 1000 banorë, kur e mesmja evropiane është 4. Ju e dini që ne jemi 2.6 shtretër për 1000 banorë, kur e mesmja evropiane është 4.5. Ju e dini që në nuk kemi më specialist.
Pra ne bashkojmë në këtë mënyrë dy sektorë të dështuar për të krijuar një megaministri me qëllim për të mbulojë varfërinë e thellë dhe dështimin. Ne krijojmë në këtë mënyrë një strukturë ku shëndetësia nuk është më prioritare, për vendin. U bë kaq jave që është krijuar ministria dhe ne nuk jemi ende të qartë se si do funksionojë, edhe pse në fakt duhej identifikuar që para se të bëhej propozimi.
Të nderuar shqiptarë, dilni vetë ballë shëndetit tuaj, se shëndetësi në këto katër vite nuk do keni.’
Ndërkohë që në fund të mbledhjes nuk ngurroi t’i kërkonte dhe mendimin personal lidhur mbi strukturën e re, ministres Manastirliu.
‘Zonja ministre, ju këtu u pyetët për shëndetësinë, për të përndjekurit, për punonjësit social, për punësimin, për dhunën në familje e shumë elementë të tjerë. Nuk është faji juaj që është krijuar kjo strukturë, por a ju duket normale që të vini këtu para komisionit e të flisni për çështje që nga punësimi, nga dhuna në familje, sistemi shëndetësor, kanceri e deri tek QSUT- ja?!’
Manstirliu: Në cilësinë e ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, unë jam këtu për të shërbyer në të gjitha fushat e përgjegjësisë që ka kjo Ministri./ Shendeti.com.al

