Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi (KMD) është një institucion i pavarur dhe një nga tre Institucionet Kombëtare të të Drejtave të Njeriut, i cili në ushtrimin e detyrës i nënshtrohet Kushtetutës dhe ligjit, duke vlerësuar mbrojtjen efektive të së drejtës së çdo individi për barazi dhe mbrojtje nga diskriminimi, si një prioritet me rëndësi të veçantë të progresit të shtetit shqiptar drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
Kushtetuta e Shqipërisë thekson se “të gjithë njerëzit janë të barabartë përpara ligjit dhe se askush nuk mund të diskriminohet padrejtësisht për shkaqe të gjinisë, racës, gjuhës, bindjeve politike, fetare ose filozofike, gjendjes ekonomike, arsimore, sociale ose përkatësisë prindërore”. Bazuar mbi këto parime dhe me nxitjen e komunitetit ndërkombëtar dhe shoqërisë civile, në vitin 2010 Shqipëria miratoi Ligjin për Mbrojtjen nga Diskriminimit (LMD). Ligji rregullon zbatimin dhe implementimin e parimit të trajtimit të barabartë dhe mosdiskriminimit mbi bazën e një liste të gjerë shkaqesh, ku përfshihen gjinia, raca, aftësitë dhe orientimi seksual, etj. KMD-ja mbron të gjitha të drejtat dhe liritë e individit, kur ato lidhen me pretendimin për diskriminim të individit, si në sektorin publik edhe atë privat.
Grupet vulnerabël si komuniteti rom, egjiptian, persona me aftësi të kufizuara, gratë, komuniteti LGBTI, etj. vazhdojnë të përballen me forma të ndryshme të diskriminimit.
Komisioneri, pasi shqyrton ankesat që i paraqiten nga individët, grupet e personave apo organizatat, të cilët pretendojnë diskriminim dhe përpara se të dal me vendim, kryen hetime administrative pranë subjektit që akuzohet. KMD konsiderohet institucion penalizues, pasi përveç rekomandimeve ndaj autoriteteve kompetente për vënien në vend të së drejtës ose përmirësimi/ nxjerrjen e legjislacionit përkatës mbi diskriminimin, vendos edhe sanksione administrative, gjoba.
KMD trajton çështje nisur nga ankesat e mbërritura në drejtim të tij nga individë, grupe individësh, organizata me interesa legjitime, por edhe kryesisht, me iniciativë të vet, bazuar në indicie që bazohen në informacione që qarkullojnë në media.
Në kuadër të projektit ‘Evropa respekton të Drejta e Njeriut”, mbështetur nga EU Albania, nëpërmjet programit IPA 2015, menaxhuar nga Ministria e Financave (CFCU Albania) dhe implementuar nga organizata ‘Together for Life’, është kryer një studim i fokusuar në performancën e Institucioneve Kombëtare të të Drejtave të Njeriut përgjatë viteve 2016, 2017, 2018, ku përfshihet edhe institucioni i Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
Sipas KMD, shkaqet kryesore për të cilat është pretenduar diskriminim gjatë kësaj periudhe kryesisht ka qenë raca, gjendja ekonomike, bindjet politike, aftësia e kufizuar, gjendja shëndetësore, etj. Në vitin 2018 numri i ankesave dhe çështjeve të trajtuara me inisiativë të vetë Zyrës së Komisionerit ka qenë më i lartë në krahasim me 2016 dhe 2017, respektivisht me 20% dhe 37% më shumë. Po ashtu, numri i vendimeve të dhëna nga Komisioneri gjatë 2018 ka qenë 18% dhe 84% më i lartë krahasuar me vendimet e dhëna respektivisht për vitet 2016 dhe 2017. Këto të dhëna janë tregues të performancës në rritje të Zyrës së Komisionerit.
Sipas studimit, numri i çështjeve të përfunduara pozitivisht, ku situata diskriminuese e pretenduar është rregulluar gjatë procedurës së shqyrtimit të ankesës, krahasuar me 2017-n, është dyfishuar në vitin 2018, nga 4 në 10 çështje. Por, ndërsa vihet re ndërgjegjësim në rritje të institucioneve qendrore për të reaguar ndaj vendimmarrjes së Komisionerit, shqetësim mbetet reagimi i institucioneve të pushtetit vendor, të cilat ende nuk monitorohen nga asnjë strukturë. Zipas Zyrës së Komisionerit, një pjesë e mirë e institucioneve qendrore e zgjidhin situatën e diskriminimit gjatë fazës së hetimit, pa pasur nevojë që Komisioneri të shprehet me Vendim. Kjo është arsyeja që numri i vendimeve të KMD ndaj institucioneve qendrore është dukshëm më i ulët se vendimet e dhëna ndaj institucioneve të pushtetit vendor.
Vendimet e KMD janë të detyrueshme të zbatohen nga të gjitha subjektet të cilave u drejtohen. E vetmja rrugë për të mos i pranuar ato, është goditja në gjykatë. Gjatë tre viteve të marra në analizë, mbi 50% e vendimeve të Komisionerit janë goditur në gjykatë, ndërsa pjesa tjetër janë zbatuar. Sipas Komisionerit, shpesh subjektet zgjedhin si taktikë për të shtyrë kohën e zbatimit të vendimit / rekomandimit t’i drejtohen gjykatës. Megjithatë, gjykatat kryesisht kanë në fuqi vendimet e Komisionerit, dhe prani I padisë është pranuar vetëm për pjesën e masës së gjobës së akorduar ndaj subjektit.
KMD, në fund të procedurës së shqyrtimit të ankesave, del me vendim dhe vetëm në raste të veçanta, të cilat lidhen kryesisht me shqyrtime ex-officio, Komisioneri mund të gjykojë të dalë me rekomandim. Sipas Zyrës së Komisionerit arsyet kryesore pse rekomandimet janë zbatuar 100% gjatë periudhës kohore 2016-2018 lidhen edhe me punën e bërë nga ky institucion për arsyetimin e plotë dhe të thelluar në mbështetje të çdo rekomandimi.
Ky shkrim është prodhuar në kuadër të projektit “Evropa respekton të drejtat e njeriut”, zbatuar nga organizata “Together for Life” dhe “Act For Society”, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e TFL dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

