“Fëmija lindi me kordon rreth qafës dhe pa frymë. I hoqa kordonin shpejt e shpejt dhe i preva kërthizën me mjete rrethanore”
Lindja natyrale është një zgjedhje e grave të guximshme të cilat vendosin të përballojnë çdo lloj dhimbje për të sjellë në jetë beben e tyre. Edhe pse dhimbja është shumë e madhe dhe, sipas mjekëve, ajo mund të barazohet më dhimbjen e thyerjes së 6 brinjëve njëherësh, sërish disa nëna e presin me kënaqësi këtë moment duke e mbajtur mend si çastin më të paharrueshëm të jetës së tyre.
Sot ofrohen kushte optimale për lindjen e fëmijëve, ndërkohë që para disa vitesh nuk vendoseshe përpara zgjedhjeve. Fëmija duhet të lindte normalisht, për më tepër jo gjithmonë në kushtet më të mira të mundshme.
Infermerieret që kanë punuar në ato vite tregojnë eksperienca të ndryshme rreth rasteve që ata vetë i kanë kaluar nëpër duar. Ata dëshmojnë për raste që kalojnë çdo lloj kufiri të durimit njerëzor.
Bukurie Canameti ,dikur infermiere mami në spitalin e Krastës, Dibër, na tregon për një lindje tepër të vështirë në kushte aspak të përshtatshme.
E pyetur për gazetën “Shëndet+” në lidhje me lindjet me prerje cezariane ajo shprehet se nuk do t’i preferonte pavarësisht se mund të duket një mënyrë e mirë për të eliminuar dhimbjet. Këtë ajo e lidh me faktorë të ndryshëm ku përveç faktit që nënat do të humbin mundësinë për të përjetuar kënaqësinë e sjelljes në jetë të një fëmije, ndërlikimet do të ishin gjithashtu më të shpeshta, shërimi do një periudhë më të gjatë.
Gjithashtu, fëmijët e lindur me prerje cezariane mund të shfaqin shqetësime të ndryshme si probleme me frymëmarrjen.
Cili ka qenë rasti më i vështirë që keni pasur gjatë përvojës suaj në maternitet?
Rastin më të vështirë e kam pasur me një zonjë me iniciale L.C. Bebja e kësaj zonje ka ardhur në jetë në rrugë një natë të ftohtë dimri. Trashësia e dëborës kishte arritur në 50 cm.
Nga sa veta përbëhej stafi mjekësor për të pritur atë lindje?
Nëna e ardhshme, nuk preferoj ta quaj paciente, ishte njëkohësisht edhe komshia ime. Kur i erdhën dhimbjet e lindjes ajo më thirri për të shkuar bashkë me të në spital. Me ne ishe bashkëshorti i saj dhe bashkëshorti im. E mbështollëm gruan me një batanije dhe u nisëm. Unë mund ta ndihmoja gjatë rrugës nëse do kishte komplikacione të rënda, por asnjëherë nuk menduam që gjërat do të shkonin ashtu siç shkuan.
U komplikua sepse asgjë nuk shkoi ashtu siç e kishim menduar. Dhimbjet e lindjes së nënës së re erdhën duke u shtuar aq sa në një pikë ajo nuk e duroi më dhe u ul në mes të dëborës. Gjendja e saj nuk na premtonte vajtjen deri në spital.
A ishit e përgatitur që kjo gjë mund të ndodhte, nëse po çfarë masash kishit marrë me vete?
Deri diku e mendova pasi që prej nisjes e kuptova që ndoshta nuk do të arrinim të shkonim në spital. Kushtet shumë të këqija atmosferike do të na vononin, ndaj mund të them që e mendova . Sot mund të duket e pabesueshme nëse them që me vete kisha marrë: 2 kapëse rrobash, një palë gërshërë të thjeshta ato që përdorim në shtëpi, një shishe të vogël raki dhe një rrotull peri normal.
Pse nuk e njoftuat ambulancën apo stafin mjekësor?
Gjërat nuk janë më si sot. Atëherë nuk kishte telefonë celularë, por edhe nëse do të kishte, ambulanca nuk kalonte dot. Gjithsesi, për ne të tilla raste nuk ishin të jashtëzakonshme, ne ishim të përgatitur pasi kushtet ishin të tilla që ne përballeshim jo rrallë me të tilla lindje.
Si u ndjetë përballë një situate të tillë?
Isha shumë e frikësuar. Kisha pritur lindje në kushte shtëpie, madje unë kam qenë faktori kryesor edhe në lindjen e fëmijëve të mi, por në një të ftohtë të tillë, nuk dija çfarë të mendoja. Edhe nëse nuk do të kishte komplikacione të rënda gjatë lindjes, gjithmonë kisha në mendje pyetjen nëse nëna apo edhe fëmija do të arrinin të mbijetonin në atë mesnatë dimri kaq të ftohtë.
Si shkoi procesi i lindjes?
Atëherë, kur pacientes i plasën ujërat (lëngu amniotik) zgjidhja e vetme ishte t’i bënim një vend. Të akomodonim nënën dhe të përgatiteshim, pasi fëmija ishte bërë gati për të lindur. E mbuluam me një batanije, bëmë gati elektrikun e dorës dhe pas shumë përpjekjesh të nënës, fëmija lindi.
Fëmija lindi në kushte të mira shëndetësore?
Fëmija lindi me kordon rreth qafës dhe pa frymë. I hoqa kordonin shpejt e shpejt dhe i preva kërthizën me mjete rrethanore. Me dy kapëset e rrobave kapa kordonin në të dyja anët, më pas pasi e dizinfektova perin e lidha me këtë të fundit dhe me gërshërë e preva. Ndërkohë fëmijën e ngrita me këmbët lart duke i rënë pak te shputat e këmbëve në mënyrë që fëmija të qante. Fëmija filloi të qajë. E mbështollëm mirë dhe pastaj u morëm me nënën, sepse do të dilte placenta. Pasi nxora placentën, me pak vështirësi me dy drunje improvizuam një barrel. Me këtë të fundit realizuam me shumë vështirësi transportin për në spital.
Cila ishte gjendja e nënës pas lindjes?
Pasi e transportuam për në spital nëna pati hemorragji, por që arritëm ta kontrollonim me anë të injeksioneve të ndryshme. Nga spitali nëna dhe fëmija dolën shumë të shëndetshëm.
Çfarë mendimi keni për nënat që kanë frikë të bëjnë lindje natyrale dhe zgjedhin prerjen cezariane?
Nënat e reja e pëlqejnë këtë lindje, pasi në këtë mënyrë shmangin dhimbjet që do të përjetojnë gjatë lindjes. Por unë do të zgjidhja dhe do t’u rekomandoja nënave të reja që të bëjnë lindje natyrale, pasi përveç arsyeve të tjera, do të përjetojnë kënaqësinë më të madhe të sjellit në jetë një fëmijë.


