Prej 9 muajsh bashkëshortja e Asllan Patriotit ndodhet e shtruar në spitalin e Durrësit, ku nuk ka as shërbim dhe as ilaçe dhe gjithçka paguhet me para në dorë
Mark Brunga
Me gjithë punën e bërë për të përmirësuar shërbimin shëndetësor ndaj pacientëve, në Spitalin Rajonal të qytetit të Durresit, për të cilin flitet se është rritur ndjeshëm kërkesa e llogarisë, përsëri ka mjaft probleme dhe të sëmurët kanë ankesa të drejtpërdrejta për një shërbim të kryer jo sipas standardeve të kërkuara, por edhe në ndonjë rast për mungesë humanizmi të personelit dhe për anashkalim të detyrimeve ligjore që kanë në shërbim të të sëmurëve.
Në orët e para të mëngjesit gjejmë para këtij spitali shtetasin Asllan Patrioti, i cili është mjaft i lodhur. Thotë se ka bashkëshorten e vet të shtruar prej 9 muajsh në këtë spital. Silva Patrioti është e paralizuar. Ai thotë se është i detyruar që të vijë dhe t’i shërbejë vetë çdo natë së shoqes, pasi infermieret dhe sanitaret e repartit të neurologjisë së këtij spitali nuk e kryejnë shërbimin.
Akuzat e Patriotit shkojnë edhe më tej për këtë personel, të cilët sipas tij janë jo vetëm indiferentë dhe shpesh kërkojne para në shkëmbim të shërbimit, por dhe se në orarin e punës për të cilin paguhen me paratë e taksapaguesve, ata flenë.
Patrioti thotë i shqetësuar se “Përsa i përket kujdestarisë, gjatë natës, si infermieret dhe sanitaret, nga ora 12:00 deri në orën 05:00 janë në gjumë. Kujdestaria ndaj pacientëve është zero. Kur të sëmurët kanë shqetësime shëndetësore gjatë natës, duhet t’i zgjosh vetë nga gjumi. Dhe pasi të zgjohen, duhet së paku çerek ore që të vijnë”.