Rreziku i kollës kronike, pacientët nuk e vlerësojnë sa duhet!

Bisedoi: Elona Tereziu

“Kolla e zgjatur ose kronike në vetvete është një shenjë që duhet vlerësuar jo vetëm për kohëzgjatjen, por edhe sepse shkaqet e saj mund të lidhen me sëmundje serioze për jetën”. Kështu shprehet për gazetën “Shëndet+”, mjekja pneumologe pranë Spitalit Universitar të Traumës, Elona Hila.

Teksa tregon rreziqet që paraqet kjo patologji në shëndetin e njëriut, liston sëmundje si: astma bronkiale, kanceri pulmonar, turbekulozi, histoplazmoza, fibroza cistike, sëmundja eozinofilike etj.

Por, a e vlerësojnë pacientët sa duhet kollën si patollogji?  Si bëhet trajtimi i saj? Sa të rekomandueshme janë trajtimet popullore? Të gjitha këto mund t’i lexoni në intervistën më poshtë.

Doktoreshë, çfarë është kolla kronike?

Kollitja është një refleks i shpejtë tek njeriu për të pastruar fytin dhe hapur rrugën e frymëmarrjes nga pjesëzat e huaja, si: mukusi, mikrobet, ngacmuesit etj.Mund të jetë e vullnetshme ose e pavullnetshme.

Simptomat kryesore të saj lidhen me sistemin respirator, megjithëse shumë njerëz e anashkalojnë duke qëndruar për një kohë të gjatë me kollë para se të paraqiten tek mjeku.

Sipas klasifikimeve ajo ndahet në:

  • Kollë akute: Kjo është një kollë e menjëhershme, që zgjat zakonisht tre javë.
  • Kollë gjysmë akute: Kjo lloj kollë vazhdon apo zgjatet për 3-8 javë.
  • Kolla kronike: Kjo lloj kollë vazhdon për mbi tetë javë.
  • Kolla produktive: Kollë me shumë sekrecione apo gëlbazë.
  • Kollë e thatë: Një kollë që nuk ka sekrecione/gëlbazë.
  • Kollë e natës: Shfaqet vetëm gjatë natës.

Cili është dallimi mes kollës akute dhe asaj kronike?

Duke marrë parasysh kohëzgjatjen e kollës ajo mund të ndahet në akute kur zgjat më pak se 8 javë dhe në kollë kronike kur kolla zgjat më shumë se 8 javë.

Sido që të jetë (kollë produktive ose jo), duke konsideruar faktin që kolla është një refleks dhe që ngacmimet për fillimin e kollës mund të vijnë nga disa organe, si hunda, sinuset, faringu, perikardi, kanali i veshit, trakea, bronket, pleura, ezofagu. Kolla si shenjë klinike duhet vlerësuar me seriozitet.

Po mes kollës së thatë dhe produktive (me gëlbazë)?

Kolla e thatë vjen si rezultat i ngacmimit që shkaktojnë nervat në rrugët e sipërme të frymëmarrjes. Kjo vjen zakonisht kur, për shkak të ftohjes apo ndonjë infeksioni fyti, rrugët e sipërme të frymëmarrjes pezmatohen. Në këtë rast truri mendon se në këto rrugë ka ndonjë objekt të huaj (grimca, pluhur), dhe nxit refleksin e kollitjes për të “nxjerrë jashtë” këto “objekte”, ndjenjë e cila shkaktohet nga pezmatimi i mukozës.

Ndërkohë që kolla produktive, ndryshe nga kolla e thatë, shoqërohet me gëlbazë dhe vështirësi në frymëmarrje, pasi rrugët e fryëmëmarrjes prodhojnë shumë mukus  i cili qëndron i ngjitur në sipërfaqen e brendshme të tyre, duke shkaktuar mundim tek pacienti.

Cili është rreziku i kollës kronike/pasojat më të rënda tek pacientët?

Kolla e zgjatur ose kronike në vetvete është një shenjë që duhet vlerësuar jo vetëm për kohëzgjatjen, por edhe sepse shkaqet e saj mund të lidhen me sëmundje serioze për jetën.

Shkaqet kryesore pulmonare janë: SPOK (Sëmundje Pulmonare Obstruktive Kronike/ sëmundje e lidhur ngushtë me duhan pirjen), astma bronkiale, kanceri pulmonar, sëmundjet infektive (tuberkulozi, histoplazmoza, pneumocisti carini etj), sëmundje sistemike difuze, bronkoektazi, fibroza cistike, sëmundje eozinofilike etj.

Po shkaktarët ekstrapulmonarë a ndikojnë?

Po, patjetër, edhe shkaqet extrapulmonare që shkaktojnë kollë kronike duhen vlerësuar po me aq seriozitet. Ndër to mund të përmendim: rinitin kronik, sinuzitet, apnea në gjumë, disfunksion i kordave vokale, kollën e induktuar nga barnat, sëmundjet kardiake si endokarditi dhe kongjestioni kardiak.

A e vlerësojnë pacientët sa duhet kollën si patologji?

Shpesh kolla “maskohet” ose mbulohet nga mjekime të marra në farmaci pa recetë mjekësore dhe kjo e bën edhe më të vështirë diagnostikimin dhe trajtimin e kollës.

Pavarësisht se është një problem i shpeshtë i hasur në komunitet, rrallë merret  në konsideratë nga njerëzit.

Megjithatë parimi kryesor është që sa më shpejt dhe saktë të bëhet diagnoza, aq më të shumta janë mundësitë e kurimit dhe shërimit të saj të plotë.

Si bëhet trajtimi i kollës kronike?

Trajtimi i kollës bëhet sipas sëmundjes/patologjisë bazë që është përgjegjëse për kollën. Shpesh merren në farmaci shurupe ose mjekime që frenojnë kollën ose sekrecionet, duke mbuluar ose tjetërsuar klinikën/ prezantimin e kollës gjë që mund të çojë në zgjatjen e trajtimit real që është trajtimi i sëmundjes që ka sjellë kollën.

Sa të rekomandueshme janë metodat popullore të trajtimit?

Sot në treg qarkullojnë një gamë e gjerë me mjekim edhe çajra bimorë që lehtësojnë kollën, por që sigurisht janë vetëm ndihmëse, pasi siç e theksuam më lart, për të trajtuar kollën së pari duhet të vlerësojmë se çfarë e ka shkaktuar, pasi shkaqet janë në vete sëmundje të rëndësishme që duhen trajtuar.

Mjekësia është një fushë ku bashkëpunojnë shumë “aktorë”. Së pari duhet bërë diagnostikimi i saktë, pastaj trajtimi që, përveç barnave, mund të përfshijë preparate bimore, rehabilitim pulmonar, fizioterapi, mësim i pozicioneve të ndryshme të drenimit të septumit/ gëlbazës etj.

Cila është këshilla juaj?

Kolla është një shqetësim shumë i shpeshtë, por dhe shumë i nënvlerësuar. Kolla, sidomos ajo kronike, lidhet me sëmundje të rënda mjekësore. Kështu që referohuni tek mjeku i familjes dhe ai specialist për diagnostikim të saktë dhe në kohë, si dhe për trajtimin e duhur./ Shendeti.com.al

Postime të ngjashme

3 gjëra që duhet të bëni për të pasur lëkrë me shkëlqim
Zakonet që do t'ju "shpëtojnë" nga fryrja e barkut
5 mite dhe të vërteta rreth sëmundjeve venoze
“Sterilizimi”/ Shtyhet gjyqi për ish-ministrin Ilir Beqaj, ja kur do të mbahet seanca e radhës
Asambleja e OBSH, ministrja Sala prezanton prioritetet e Shqipërisë në shëndetësi
Polifenolet: Sekreti i të ushqyerit të shëndetshëm dhe mirëqenies
'Çohu o dreq mos bëj si e sëmurë'/ Infermierja te Psikiatria keqtrajton pacientët, reagon QSUT: Rast i papranueshëm, janë marrë masa për punonjësen
Qetësia mendore në punë: 6 mënyra për të ulur stresin dhe për t’u përqendruar