Rustem Celami: Shëndetësia sot, më keq se ajo e para viteve ’90.

Denisa Canameti

Mjekët kanë vazhduar edhe sot protestën e tyre para urgjencë së QSUT-së. Janë bërë të njohura tashmë kërkesat e tyre. Ata kanë nënshkruar një peticion ku çdo pikë e cituar duhet të merret parasysh. Kjo është marrëveshja e vetme që ata duan me ministrinë që të mbyllin protestat. Nuk ka më frikë, nuk janë vetëm dy zëra, por si rrallëherë mjekët e kalojnë megafonin nga një dorë në tjetrën për të përcjellë një mesazh, për të thënë se ata janë të bashkuar, të vendosur dhe se asnjë bluzë e bardhë nuk do të cenohet.

I pyetur nga gazeta “Shëndet+” lidhur me këtë situatë të krijuar, mjeku Rustem Celami një nga nismëtarët e peticionit kundër testimit të mjekëve, thotë se bluzat e bardha po kërkojnë të mbrohen ligji. I pyetur përse infermierët vazhdojnë të jenë në protestë kur vendimi i pezullimit të testimit doli, ai u shpreh se sot mjekët dhe infermierët janë mbledhur për ruajtjen e dinjitetit të tyre, për ruajtjen e mos cenimit të autonomisë profesionale të tyre.

“Jemi këtu jo vetëm për çështje testimi, sepse ai është problem ligjor tashmë, ai i përket drejtësisë. Jemi këtu për të kërkuar një shëndetësi publike me standarde, kërkojmë një shëndetësi publike ku pacienti të vijë të marrë shërbimin e duhur, shërbimin cilësor, siç i takon”. Rustemi vazhdon fjalën e tij duke thënë se sot jemi në kushtet e shëndetësisë së para viteve ’90.

“Problemet në shëndetësi nuk janë probleme që janë krijuar sot. Pra, nuk mund të vëmë gishtin vetëm tek kjo qeveri. Megjithatë, edhe këto dy vjet që prisnim shumë, po pësojmë një zhgënjim total.

“Investim 0, po përurohen të njëjtat ambiente nga 5 herë, kushtet janë po prapë mjerane. Përveç kushteve këtu tek ne, edhe rrethet janë në kushte po kaq skandaloze, në mos më keq (sepse protestat nuk janë përqendruar vetëm në QSUT). Kryesorja, atje nuk ka specialistë. Edhe ambientet nuk janë cilësore, edhe aparatura nuk ka, edhe staf të specializuar nuk ka.

“Unë jam një mjek, jam bluzë e bardhë. Problemi nuk është imi individual. Ne bëjmë një jetë shkollë. Nëse do të testohemi, le të testohemi nga ata që kanë tagër ligjor, nga Ministria e Arsimit. Por jo ta marrë Ministri i Shëndetësisë një të drejtë që nuk i takon”.

Sot protesta kishte në qendër kryesisht çështjen e pagave. I pyetur për këtë çështje Celami komenton: “Mjekët janë më të diskriminuarit, pagat janë shumë të ulta dhe nuk po mundemi të përballojmë kërkesat në familjet tona”.

Por nëse çështja e pagave të ulta justifikon mjekët përballë pakënaqësisë së pacientëve, mjeku thotë se pacientët ankohen për mjekët pasi janë ata që përballen drejpërdrejt me pacientin. “Pacienti duhet ta kuptojë shumë mirë se ne jemi një pjesë e sistemit. Makropolitikat nuk i bëjmë ne. Ne nuk blejmë aparatura, mjeku e përdor aparaturën dhe vendos diagnozën. Ilaçin nuk e sjell mjeku në spital. Nuk është faji i mjekut që nuk ka kushte në spital, që nuk ka laboratore”.

Pyetjes nëse kjo ministri po tregon përgatitjen e duhur që ta sjellë shëndetësinë në ato nivele që duan mjekët, Celami i përgjigjet: “Kjo ministri nuk ka treguar, nuk po tregon dhe nuk mund të jetë më (jo se e them unë) e aftë të bëjë reformë. Le të vijë dikush që ka përgjegjshmërinë, ka idenë të ngrejë grupe pune dhe të bëjë reforma reale për shëndetësinë”.

 

Postime të ngjashme

Shkencëtarët zbulojnë dy pijet me kafeinë që mund të ulin rrezikun e goditjes në tru dhe sulmit në zemër, ja sa duhet të konsumoni për përfitime shëndetësore
5 ushqime që mund të bëhen të rrezikshme nëse nuk gatuhen siç duhet
AKU bllokon çokokremin "Nudossi" me përmbajtje salmonele
Gjendet helm minjsh në ushqimin për bebe, tërhiqen nga tregu kavanozët me pure
Turqia, destinacion global për shërbime mjekësore: Anadolu Medical Center, lider në këtë rrugëtim
Gjashtë këshilla të provuara shkencërisht për një tru të shëndetshëm
Trajtimi psikosocial dhe shëndetësor i dhunuesve: hallka e munguar për thyerjen e ciklit të dhunës
Përdorimi i bimëve mjekësore në trajtimin e çrregullimeve të sistemit tretës