Kryefaqja Aktualitet Sa bukur tallen!

Sa bukur tallen!

1
Shpërndaje

Arlinda Gjypi, kryeredaktore e gazetës “Shëndet+”

Sot, Partia Socialiste po zhvillon kongresin e saj. Dy ishin gjërat që tërhoqën vëmendjen time në fjalën e Kryeministrit Rama: e para, ne nuk kemi bërë padrejtësi të qëllimshme, dhe e dyta, do të jemi në pushtet edhe 5 vitet e ardhshme.

Për këtë të dytën, pak gjëra mund të vihen në dyshim. Rotacioni politik në Shqipëri ndodh realisht një herë në 8 vjet. Duket se aq kohë i duhet popullit tonë për t’u lodhur nga një forcë politike. Ndoshta për faktin se 4 vitet e para vazhdon t’i hidhet faji forcës politike paraardhëse, sepse, siç tha edhe vetë Kryeministri: Në 2 vjet e gjysmë nuk mund të vendosim drejtësi.Beqaj 2

Nga ana tjetër, deklarata e Kryeministrit se “nuk kanë bërë padrejtësi të qëllimshme” është pak për t’u gjykuar. Personalisht po merrem vetëm me anën e shëndetësisë, pasi atë po e ndjek që në kohën që kjo qeveri mori pushtetin.

Sot mediat publikuan faktin se drejtuesi i lartë i ALUIZNI-t u operua pas një problemi të rëndë në zemër. Ndoshta u anashkalua si lajm, sepse mediat janë të gjitha të përqendruara në kongresin e PS-së (ashtu siç u anashkalua edhe marshimi kundër betonizimit të liqenit).

Gjithsesi, çka bën përshtypje në operimin e zyrtarit të lartë, është fakti se operimi u zhvillua në një nga spitalet private në Shqipëri. Pra, sërish u anashkalua spitali shtetëror.

Më lejoni të them për të gjithë ata që nuk e dinë se kardiokirurgët në QSUT janë shumë të zotë. Shumë prej tyre kanë studiuar jashtë Shqipërisë dhe vijnë me një përvojë dhe aftësi të madhe në vendin tonë. Megjithatë, fatkeqësisht, pushtetarët tanë, të majtë e të djathtë, vazhdojnë të përzgjedhin privatët kur bëhet fjalë për jetën e tyre. Një gjë e tillë nuk bën gjë tjetër përveçse tregon se spitalet tona shtetërore janë lënë në mëshirë të fatit.

Ministri ynë i Shëndetësisë vazhdon të reklamojë se po bën një punë të mirë në drejtim të fuqizimit të spitaleve, por nëse shohim pak “pas reklamës”, nuk është vështirë të kuptosh se veprimet e shumta të ndërmarra nga ministri ynë, në fakt kanë fuqizuar ndjeshëm privatin.

Mund ta fillojmë analizën që nga check-upi i famshëm me gjithë milionat që i përkasin atij. Asgjë të mirë nuk i solli ky check-up qendrave shëndetësore në Shqipëri, megjithatë arriti të fusë në vijë laboratorët privatë të kontraktuar nga ministri ynë.

Mund të flasim për urgjencën: u blenë aq shumë autoambulanca, u përfol për gjithë atë investim, por nga ana tjetër, na del në pah fuqizimi i kompanive private të urgjencave, të cilat “çuditërisht” mbërrijnë përpara urgjencës shtetërore kur thirren nga qytetarët (ka që thonë se këto urgjenca private në mënyrë të kundraligjshme kanë lidhje të drejtpërdrejtë me linjën telefonike shtetërore). Dhe ndërkohë, Urgjenca e Tiranës shkrihet.

Mund të flasim për dializën: investimi aq i madh u shkoi privatëve. Në asnjë moment nuk u përmend fuqizimi i spitaleve shtetërore.

Mund të flasim për mungesat e specialistëve në rrethe: shteti thotë se dha 100.000 lekë në muaj për specialistët që pranojnë të shkojnë në rrethe, por nuk merr asnjë masë ndëshkimore për speciliastët që e kanë detyrim ligjor të shkojnë në spitalet shtetërore për të cilat e morën specializimin e megjithatë sot gjejnë punë në spitalet e klinikat private.

Mund të flasim për mungesat e analizave: që shteti nuk i bën, por i çon te privati. Sepse shteti ynë nuk ka bërë asnjë investim në laboratorë, duke e marrë për të mirëqenë që të investojë te laboratorët privatë (për çështjen e laboratorëve gazeta jonë ka kërkuar informacion nga Ministria e Shëndetësisë, por kjo e fundit nuk kishte “asgjë për të thënë”).

Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj mund të flasë pa fund për punën e tij. Mund të flasë edhe për të “bukurat” karta shëndeti: por pas çdo fjale të tij, prapa fshihet një përfitues privat shumë i fuqishëm (mes tyre veçanërisht “ish”-kompania e ministrit).

Pushtetarët tanë zgjedhin të kurohen në spitale private, pavarësisht deklaratave të ministrit tonë. Ndërkohë, spitalet shtetërore, pavarësisht pajisjeve, kanë mungesa të tjera aq të mëdha sa furnizimi me disa pajisje (që trumbetohen aq shumë nga qeveria dhe që në fakt nuk e kanë aq të madhe vlerën) përballë gjithë mungesave qesharake (apo mjerane), e bëjnë këtë popull të ndihet i dështuar.

Kryeministri tha sot se nuk ka opozitë. Jo, në Shqipëri nuk ka opozitë. Po të kishte, kësaj qeverie do t’i dridheshin leqet e këmbëve në momentin që do të tallej me këtë popull dhe do të mendohej mirë para se të fliste e të vepronte dhe nuk do ta thoshin me aq siguri se i kanë edhe pesë vjet të tjera pushtet! / https://shendeti.com.al/

1 Koment

  1. shkrim i sakte por mjerisht shqiptaret nuk kane sy te lexojne tru te kuptojne dhe dinjitet te reagojne. Pragrafi i fundit te ben qe te mos kesh nevoje fare per shendetsi dhe tja fusesh vetes, po paskemi qene te duruar. Perpiqu qe shkrimi te botohet ne sa me shume media.

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here